E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfuzion në KQZ

KQZ’ja s'ka marrë as të premten ndonjë vendim për Gjilanin. Në këtë organ kanë arritur dy vendime lidhur me procesin zgjedhor në Gjilan, ai i Gjykatës Supreme që anulon kërkesën për rivotim dhe vendimi më i ri i KZAP’së, që urdhëron rivotimin.

I gjendur mes dy vendimeve që bien ndesh me njëri-tjetrin, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që të kërkojë nga Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese që të informojnë nëse ende ka çështje të papërfunduara për Gjilanin.

“KQZ-ja do të kërkojë nga Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese se a ka çështje, a ka lëndë që nuk kanë përfunduar dhe nëse kanë përfunduar, të na i dërgojnë vendimet, gjegjësisht informatat”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.

Në të vërtetë, në vendimin e para dy ditëve, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se i ka kthyer për plotësim lëndët e LDK-së, që kishin të bënin me ankesat për parregullsi në votime në raundin e dytë zgjedhor në Gjilan.

Për Lushtën, që të dyja vendimet, edhe vendimi i Gjykatës Supreme, edhe ky i KZAP-së, janë valide. “Secili prej këtyre organeve i ka kompetencat e veta të ndara me ligj. Nuk mund të them se njëri institucion ka rëndësi më të madhe sesa institucioni tjetër, sepse secili prej tyre ka kompetencat e veta. Do t’i respektojmë vendimet e të dy organeve”, ka deklaruar Lushta.

Por, anëtari i KQZ-së nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Fadil Maloku, ka kritikuar se procesi është duke u politizuar.

“Të gjitha partitë politike janë pajtuar se vendimi i Gjykatës Supreme do të jetë valid për të gjithë. Tash, pas vendimit të Gjykatës, vjen rikonfirmimi i KZAP-së. Unë po kuptoj që dikush dëshiron të blejë kohë, dëshiron të bëjë pazare politike”, është shprehur Maloku. (REL)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›