Kongo, 200 të vdekur nga shpërthimi në depo municionesh
Shpërthimet në një depo municionesh në një bazë ushtarake në Brazavill, Kongo, kanë marrë jetën e rreth 200 personave dhe kanë plagosur më shumë se dymijë të tjerë. Bilanci i viktimave, sipas autoriteteve, pritet të shtohet me kalimin e kohës. Shumica e punëtorëve në këtë depo ishin kinezë. Sipas agjencisë Kina e Re, në momentin e shpërthimit 140 punëtorët kinezë gjendeshin në shesh-ndërtim. Shpërthimet seri në depon e municioneve kanë tronditur edhe shumë godina pranë vendit të incidentit. Ato kanë pësuar dëmtime. Zjarret janë përhapur nëpër shtëpi, kishën e vendit dhe biznese të ndërtuara aty pranë. Shpërthimi ka bërë që të ngrihen pyetje për faktin përse një depo aq e madhe municionesh ndodhej pranë një zone të banuar, duke sjellë reminishencë për rastin Gërdeci në Shqipëri.