Putin zgjidhet për herë të tretë President i Rusisë
Pjesëmarrje e lartë në votime, monitoruesit njoftojnë për manipulime.
Vladimir Putin u zgjodh për herë të tretë si President i Rusisë, kështu sugjerojnë rezultatet paraprake. Rizgjedhja e tij u bë pas një mandati katërvjeçar si Kryeministër, pasi la Presidencën në vitin 2008 për të respektuar Kushtetutën e vendit, e cila nuk lejon tri mandate radhazi për të njëjtin post. Sipas paraprakeve, Putin ka fituar rreth 60 për qind të votave, që do të thotë se nuk ka nevojë as për të mbajtur raundin e dytë të balotazhit. Në atë rast ai do të përballej me komunistin Genadi Zuganov. Sipas zyrtarëve, pjesëmarrja në votime ishte më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2008. Por grupet opozitare thanë se ka pasur mashtrime dhe manipulime në qendrat e votimit, ku shumë njerëz kanë votuar më shumë se një herë. Ata kanë bërë thirrje për të organizuar sot protesta në Moskë. Ndërkohë, mijëra mbështetës të Putinit janë mbledhur jashtë Kremlinit me flamuj dhe banderola për një koncert në nder të fitores së tij. Në kryeqytetin rus janë forcuar masat e sigurisë gjatë ditës së votimit, ku janë angazhuar të paktën gjashtë mijë policë ekstra të sjellë nga jashtë Moskës. Afër Sheshit të Kuq, sipas korrespondentit të BBC-së, janë rreshtuar rreth 50 kamionë që ruajnë Kremlinin me trupa të Ministrisë së Mbrojtjes. Monitoruesit e zgjedhjeve kanë raportuar manipulim të gjerë të votave në mbështetje të Putin, përfshirë edhe të ashtuquajturin votimin karosel ku njerëzit transportoheshin nga një qendër votimi në tjetrën për të votuar disa herë. Janë raportuar rreth dymijë parregullsi. Putin dhe mbështetësit e tij kanë nisur festimet përpara se të mbylleshin qendrat e votimit. Komisioni elektoral paraqiti rezultatet paraprake me 28 për qind të zonave të numëruara, të cilat tregojnë se Putin ka fituar rreth 63 për qind të votave, dhe Zyuganov më pak se 18 për qind të tyre. Tre kandidatët e tjerë ishin më pak se 10 për qind. Në një konferencë për shtyp pas mbylljes së votimit, Zyuganov i përshkroi zgjedhjet si të padrejta dhe të pavlefshme. Por ai shtoi se me rritjen e zemërimit të publikut Putin nuk do të arrijë të qeverisë siç është mësuar.
Kandidatët
Në garën për Presidencën ruse ishin përfshirë pesë kandidatë. Vladimir Putin, kandidati më potencial sapo shpalli kandidaturën, kryetari i Partisë Komuniste ruse, Genadi Zuganov, i cili ashtu siç pritej u rendit i dyti, por nuk ka gjasa të shkojë në balotazh pasi Putin mori mbi 50 për qind të votave, nacionalisti Vladimir Zhirinovski, miliarderi Mikhail Prokhorov, të cilët janë afër në vota për vendin e tretë të të preferuarve për President, dhe në fund ish-aleati i Putinit, Sergei Mironov, i cili ka garuar edhe në zgjedhjet e vitit 2004, ku u rendit i fundit, njëlloj si këtë vit. Të tre kandidatët e fundit kanë marrë më pak se 10 për qind të votave.