Kongoli: Sndihem fajtor për Hysenilin, por për djemtë e tij

Shkrimtari Fatos Kongoli
Me zyrat e hetuesisë Fatos Kongoli nuk do të ndahej vetëm me një takim. Ai u thirr sërish, ku iu desh tu përgjigjej pyetjeve nga më të ndryshmet, që lidheshin me njohjen e tij me Hysenil Dumen, kolegun e shtëpisë botuese Naim Frashëri, të cilin e arrestuan në verën e vitit 1981. Në librin e tij Iluzione në sirtar Kongoli tregon pyetje-përgjigjet me hetuesit dhe dëshmitë e tij pa peshë. Por që renditeshin në listën e akuzave kundër Dumes. Ndër të tjera del në dritë edhe një ditar i Hysenil Dumes, rënë në duar të Sigurimit e ku ai kritikonte Enver Hoxhën.
…vijon nga numri i kaluar
Në brendësi të godinës së burgut, nga kati përdhes e deri sipër, te zyra e hetuesit vinte një erë e rëndë, e neveritshme. Vite më vonë, pas përmbysjes së diktaturës, kur u ktheva prapë për ca kohë në gazetën Drita, mu dha mundësia përmes një lejeje të posaçme të futesha edhe një herë atje për një reportazh. Synimi i gazetës ishte një shikim i gjendjes së të paraburgosurve në Burgun 313 dhe i atyre që tashmë vuanin dënimin në një burg diku, nga zona e Varrit të Bamit. Tek ky i fundit pata rastin të takoja një numër grash të dënuara për krime të ndryshme, disa prej të cilave për vrasje makabre të bashkëshortëve. Atëherë, në vitet e para të përmbysjes së diktaturës, po tregohej vëmendje për të drejtat e të burgosurve, kushtet e vuajtjes së dënimit. Më parë këto kishin qenë çnjerëzore. Kur shkrova reportazhin, bashkë me kolegen Briseida Mema, kishin nisur të bëheshin ca ndryshime për mirë, sidomos tek burgu i grave, ndërsa te Burgu 313 kushtet mbeteshin po ato të epokës së diktaturës, të tmerrshme. Këtë e pashë me sytë e mi. I shoqëruar nga policë, zbrita edhe në katin e poshtëm, te birucat. Llahtarisht të vogla, me një WC kolektive llahtarisht të pistë. Në katin e birucave, era e rëndë në kujtoi pas shumë vitesh erën që më kishte shoqëruar dikur tërë kohën brenda asaj godine, i thirrur nga hetuesi Dh.Sh.. Dhe mendova se atëherë Hysenil Dumen duhet ta kishin mbajtur në njërën nga këto biruca si vrima urithësh.
Ballafaqimi në burg me kolegun tim më erdhi i papritur. Ai u shfaq në kuadratin e derës i shoqëruar nga dy gardianë, i zbehtë, pa syze, me pranga në duar. E urdhëruan të ulej në një karrige pranë derës. I hoqën prangat dhe i dhanë syzet. Ndërkaq, unë isha zhvendosur përbri tryezës, në një pozicion prej nga, në një farë largësie, u ndodha përballë Hysenilit. Ky zuri vend në karrige pa mi hedhur sytë, nuk mi hodhi as kur i dhanë syzet e kjo vazhdoi deri në fund të ballafaqimit. Shpesh kam vrarë mendjen të kuptoj pse Hysenili nuk mi hodhi sytë për asnjë çast, por gjithë kohën komunikoi vetëm me hetuesin. Nga përçmimi ndaj meje? Ti tregonte hetuesit se çfarëdo që të pohoja unë për të nuk kishte vlerë? Apo, me shpërfilljen e tij deshi të më tregonte se ndiente keqardhje që ndodhesha atje për shkak të tij? Nuk e di.
Ai mohoi çdo thënie timen rreth bisedave tona për Dostojevskin, letërsinë shqipe, mohoi madje edhe episodin anekdotik të pikturës në muzeun e Pompeit me balancën, në njërën anë të së cilës ndodhej bota, në anën tjetër një penis, megjithëse, sipas meje, ato nuk formonin akuza rënduese ndaj tij, për shkak të të cilave të dënohej. Kjo më bëri përshtypje, u ndjeva keq, në pozicionin e njeriut që trillon, shpif gjëra të paqena. Unë vërtet nuk kisha trilluar, as shpifur gjëra që nuk i kishim biseduar midis nesh. Më bëri përshtypje edhe diçka tjetër: qëndrimi i qetë, sfidues i Hysenilit ndaj hetuesit. Kur ky i fundit po mohonte çdo gjë, Dh.Sh. ngriti fletoren-ditar, ia tundi në largësi, i tha se ajo fletore e zhyste deri në grykë. Hysenili iu përgjigj se ato ishin intimitete të tij, askush nuk kishte të drejtë ti përdorte. Atëherë Dh.Sh. e grisi fletoren në dy copa, i hodhi në mënyrë demonstrative në koshin aty pranë, veprim vërtet qesharak, sepse copat mund të merreshin e bashkoheshin lehtësisht. Bëjmë edhe pa këto, i tha Hysenilit.
Pikërisht në atë çast të tensionuar Dh.Sh befas u ngrit, doli jashtë zyrës, mbylli derën pas vetes dhe na la vetëm. Sapo mbetëm vetëm, më shkrepi të komunikoja me Hysenilin, ti thosha se më vinte keq për gjithçka po ndodhte. Nga ky veprim impulsiv me pasoja ndoshta fatale për mua, më shpëtoi Hysenili. Ndërsa unë nuk e pata në dorë të mos e hidhja vështrimin drejt tij, me shpresë se edhe ai do të shihte nga unë, Hysenili qëndroi i heshtur, me sytë përdhe. Sjellja e tij më shkundi, më solli në vete. Më dha të kuptoja se duhej të bëja të njëjtën gjë, në atë dhomë me siguri na vëzhgonin. Duke imituar Hysenilin, ula dhe unë kokën, zura të vështroja në dysheme, i ngrirë, i hutuar. Sjam në gjendje të them se sa zgjati ajo heshtje e nderë, kur edhe ai, ashtu si unë, këtë e ndieja në thellësi të qenies, dëshironte të më thoshte diçka. Më në fund, dera u hap, Dh. Sh. si aktor i keq u fut brenda me nervozizëm të shtirë, u thirri gardianëve të merrnin Hysenilin dhe, fill pas largimit të tij, tha se me mua kishte mbaruar punë.
Që nuk do të më arrestonin, u binda kur u ndodha jashtë, përtej derës së madhe prej hekuri të burgut. Kalimthi, te dhoma e vogël ku isha paraqitur në mëngjes, sytë më zunë një burrë, ish-shef i administratës në shtëpinë botuese, dalë prej ca kohësh në pension. Nuk ia mbaj mend emrin. Kush e di me kë do ta ballafaqonin, me Hysenilin apo ndonjë nga të arrestuarit e tjerë. Në shtëpinë botuese flitej se ai person, me post jo pa peshë dikur, kishte përfunduar në vendin modest të shefit të administratës së ndërmarrjes sonë, pasi ishte djegur për një histori qesharake dhe banale njëherazi me një femër. Fatmirësisht nuk më vuri re dhe unë u nguta të largohesha. Doja vetëm një gjë: të mbërrija në ndonjë lokal, të pija. E vetmja mënyrë për të mbledhur veten disi.
Për herë të fundit Hysenilin e pashë në sallën e gjyqit, ku isha një nga dëshmitarët. Shumë hollësira të atij gjyqi më janë fshirë. Kujtoj turbull se përsërita të njëjtat pohime të bëra në hetuesi dhe Hysenili i hodhi poshtë të gjitha. Po ka ca gjëra që më janë ngulitur, që nuk mund të harrohen.
Rendis në krye një fakt: gjyqtar i çështjes ka qenë një njeri i afërt për mua, Bashkim Xholi, bashkëshort i një kushërirës sime, vajzës së dajës së madh, Fatbardha Shabani, me profesion mjeke, vdekur përpara kohe, në moshë të re, nga një sëmundje e rëndë. Nisur nga njohja jonë, Bashkimi duket e gjykoi me vend të takoheshim para zhvillimit të gjyqit, dhe vërtet u takuam në lokalin Flora. Smë kujtohet, e kërkova unë takimin apo ai. Bashkimi ka qenë një tip i sjellshëm, me humor, së paku unë kështu e kam njohur, i prirë të bënte mirë, ndonëse i pafat me bashkëshortet: edhe gruaja e dytë me të cilën u martua pas vdekjes së kushërirës sime, vdiq në Amerikë ku ishin vendosur, sdi në çvit dhe në çqytet. Kur u takuam, duke përfituar nga lidhja familjare, nuk ngurrova ti flas haptazi. I thashë se ndihesha shumë keq që detyrohesha të dilja dëshmitar në një gjyq kundër një kolegu. Bashkimi deshi të më jepte zemër. Dhe më shpjegoi se pozita e Hysenilit rëndohej nga pohimet në hetuesi të kolegëve të tij të arrestuar pothuaj njëkohësisht me të. Ai nuk më tregoi hollësira doemos, por fjalët dhe mirësjellja e tij nuk mjaftuan të më qetësonin. Deri në takimin me të, kisha ushqyer idiotësisht një iluzion, sikur do të ndodhte një mrekulli, e ai do të më shpëtonte në momentin e fundit, do të gjente një rrugë për të më shmangur nga gjyqi. Më kot! U ndava nga Bashkimi në një gjendje shpirtërore edhe më të rëndë.
Momenti i dytë i atij gjyqi, i pashlyeshëm në kujtesën time, lidhet me fëmijët e Hysenilit, dy djemtë e tij adoleshentë. I ndesha në sallonin e katit të poshtëm të godinës së Gjykatës, para se të fillonte gjyqi. Kanë ardhur për të atin, mendova, të marrin vesh çdo të bëhet me të