E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit protestojnë: Nuk duam histori të politizuar

Teksti i Historisë 12-të, i cili ka shkaktuar debate e diskutime të shumta mes historianëve, nuk është "gëlltitur" as nga nxënësit e shkollave të mesme. Dje, të parët që kanë protestuar për tekstin ishin maturantët e shkollës së mesme "Andon Zako Çajupi". Nxënësit, në shenjë proteste lidhur me politizimin e tekstit të ri të Historisë, kanë bojkotuar një orë mësimi për të hapur kështu "ciklin" e protestave. Pas tyre në protestë, nëpërmjet bojkotimit të mësimit, do të hidhen edhe maturantët e shkollave të tjera. Mësuesit e Historisë kanë deklaruar se tashmë teksti do të mbetet i pandryshuar për të paktën një vit. Ndërkohë që maturantët kanë kërkuar që mësimi të mos zhvillohet me këtë libër, por me tekste të viteve të kaluara, të cilat nuk janë përfolur për politizim, pasaktësi apo gafa.

Protesta

Dje në mëngjes, në shkollën "Andon Zako Çajupi", nxënësit e shkollës kanë protestuar duke kërkuar nga mësuesit të merren masa lidhur me këtë tekst që përflitet nga historianët për pasaktësi dhe subjektivitet. Policia dhe drejtoria e shkollës "Andon Zako Çajupi" ka ndërhyrë që nxënësit t‘u kthehen orëve të mësimit. Disa prej organizatorëve të kësaj proteste kanë sqaruar se janë kërcënuar me thyerje notë në sjellje nëse nuk futeshin në klasë për të vijuar mësimin normalisht.

Vendimi i nxënësve të vitit të tretë dhe të katërt për të bojkotuar mësimin derisa drejtoria të merrte vendim për tërheqjen e librit të Historisë, është ndërprerë nga drejtoria e shkollës dhe një pjesë e stafit mësimor.

Drejtues të lëvizjes "Rinia Aktive" sqarojnë se drejtoria e shkollës i ka kërcënuar duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj nxënësve që refuzuan të futen në mësim. Drejtoresha e shkollës së mesme ka sqaruar se protesta ishte e paligjshme dhe deri dje nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e nxënësve. Maturantët kërkojnë të ndryshojë teksti, pasi, sipas tyre, në historinë e popullit shqiptar duhet të ketë vetëm fakte të vërteta dhe jo politike.

Diskutimi

Specialistë të historisë kanë deklaruar dje se tekstet e historisë për shkollat e mesme duhet të jenë të rregullta dhe të shkruara në fakte e dokumente zyrtare. Një tekst i rregullt dhe i saktë me ngjarje të faktuara dhe objektivitet bëhet vetëm me ndihmën e arkivit. Arkiva e shtetit shqiptar nuk mund të japë dokumentacion për një ngjarje e cila ka ndodhur sot, pa kaluar 25 vjet. Për më shumë, në rast se një tekst shkruhet pa këto të dhëna, ai nuk mund të jetë korrekt dhe nuk bazohet në fakte dhe të dhëna të arkivuara, shkrimet e mëpasshme kalojnë në interpretime personale. Kjo metodë rëndon në tekstet shkollore, sepse mund të çojë në shkrime dhe rishkrime të teksteve disa herë, duke humbur kështu rëndësinë e duke shpërndarë informacion të pasaktë ose të vakët. Në rast se do të shkruhet një tekst me elementë interpretimi, atëherë ai rrezikon të ribotohet menjëherë pas ndryshimeve të shqyrtimit të ngjarjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›