Vrasja e dyfishtë në Mamurras, për një femër
Vrasja e dyfishtë që tronditi banorët e Mamurrasit mbrëmjen e së dielës ka qenë e paramenduar. Ky është konkluzioni në të cilin ka arritur policia e Kurbinit 24 orë pas ngjarjes. Pas shoqërimit të rreth dhjetë personave, policia e Kurbinit ka mundur të zbardhë motivet e këtij krimi të rëndë dhe të vërë në pranga personat e dyshuar se janë përfshirë në të.
Sipas burimeve policore mësohet se objekt i ekzekutimit ka qenë Albert Seiti. Dyshohet se 24-vjeçari nga Mamurrasi kishte rrëmbyer për dy ditë të fejuarën e autorit të krimit, që mendohet se është Diamant Preçi. Kjo ka qenë edhe arsyeja që autori ishte ndarë nga e fejuara, duke u betuar se do të hakmerrej ndaj Seitit. Sipas policisë, Diamant Preçi dhe Bledar Preçi, kushërinj të parë, i kanë ndjekur dy viktimat gjatë gjithë pasdites së të dielës, por pa rënë në sy deri në realizimin e vrasjes. Policia tha se në momentin e vrasjes, në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe Eni Allamani, vajza për rrëmbimin e së cilës nisi konflikti mes djemve nga Miloti dhe atyre nga Mamurrasi. Të tre këta persona u arrestuan dje në lagjen “Gurrat e Begut” në Lezhë, ndërsa si bashkëpunëtor në vrasje është arrestuar në qytetin e Laçit edhe shtetasi Rudolf Ndoci.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe përgjimeve telefonike është bërë e mundur të lokalizohet vendndodhja e tre të rinjve: Diamant Preçi, Bledar Preçi dhe Eni Allamani. Sipas policisë, këta shtetas po përpiqeshin të kalonin në Mal të Zi për t’i shpëtuar arrestimit. Por nga burime jozyrtare mësohet se arrestimi është bërë me bashkëpunimin e familjarëve të këtyre personave.
Policia ka përcaktuar si autor kryesor të krimit Diamant Preçin dhe po punon për të verifikuar rolin e kushëririt të tij, Bledar Preçi dhe ish të fejuarës, Eni Allamani, në këtë krim të rëndë. Policia sqaron se është e sigurt se këta persona kanë bashkëpunuar në krim, por nuk dihet nëse janë bashkautorë direktë, apo vetëm ndihmës. Vetë të arrestuarit nuk e kanë pranuar krimin, por gjetja e armëve në makinën e tyre është një provë e fortë që i implikon ata.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur dy viktimat Ersid Rama dhe Albert Seiti po udhëtonin me një autoveturë tip “Renault” me targa italiane AZ248AV nga Laçi për në Mamurras. Në hyrje të qytetit, në lagjen “Demokracia”, ata janë qëlluar me breshëri automatike. Për pasojë, 23-vjeçari Ersid Rama ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që Albert Seiti 24 vjeç ka mbetur i plagosur rëndë. Ndonëse është dërguar me urgjencë për në spital, ai ka gjetur vdekjen 30 minuta më pas. Policia saktësoi se i pari është qëlluar Ersid Rama, pasi ka refuzuar të ndalojë makinën, në të cilën udhëtonte së bashku me viktimën tjetër, Albert Seiti.
#