Kongresi amerikan: Standardet kanë rënë, duhen shpëtuar zgjedhjetNga Tema, VOA Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë organizoi një seancë në mjediset e Kongresit amerikan, ku u diskutua për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Sh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kongresi amerikan: Standardet kanë rënë, duhen shpëtuar zgjedhjetNga Tema, VOAKomisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë organizoi një seancë në mjediset e Kongresit amerikan, ku u diskutua për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.
Shqipëria ndodhet përballë një prove të rëndësishme. Zgjedhjet e 28 qershorit janë një mundësi, por edhe një sfidë për këtë vend, që për herë të parë të zhvillojë votime në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Ky duket se ishte mendimi i përgjithshëm i diskutantëve në seancën që u zhvillua të enjten nga Komisioni Amerikan i Helsinkit.
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria do të vlerësohet në bazë të standardeve të tjera. Duket se këtë kishte parasysh bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, ligjvënësi Alcee Hastings, kur theksoi se dëshironte të shprehte keqardhjen e tij për vetë faktin se ende vazhdojnë shqetësimet për zgjedhjet në Shqipëri që mund të dëmtojnë kredencialet e saj demokratike. “Edhe nëse gjenden zgjidhje të minutës së fundit dhe korrigjohen me sukses të metat, kjo do të jetë përsëritje e një prirjeje shqetësuese nga zgjedhjet e mëparshme që nuk merren masa në kohë që zgjedhjet e radhës pas 4 vjetësh të zhvillohen pa probleme”, - u shpreh ligjvënësi.
Mes diskutantëve kishte emra të njohur ekspertësh dhe analistësh të çështjeve shqiptare.
Drejtori i Divizionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, Dr. Elez Biberaj, njohës me përvojë i zhvillimeve në Shqipëri, theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një provë e rëndësishme për demokracinë e Shqipërisë.
“Në se zgjedhjet nuk zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, kjo do të kishte një ndikim të madh për stabilitetin politik të Shqipërisë, do të zmbrapste arritjet e mëdha politike dhe ekonomike që janë shënuar gjatë viteve të fundit, do të pakësonte mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërinë dhe për shqiptarët në Kosovë e Maqedoni dhe do të shtynte pafundësisht anëtarësimin e Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, - tha zoti Biberaj.
Kryeministri, Sali Berisha, ka theksuar se ai do të garantojë zgjedhje të lira e të drejta. Duke shprehur qëndrimin e qeverisë së tij, Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda, tha se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të zhvilluar zgjedhje të lira e të drejta në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Por problemi i kartave të identitetit vazhdon të jetë një prej çështjeve më shqetësuese mes ankesave dhe kritikave të vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisë për mospajisjen e gjithë qytetarëve me dokument identifikimi për të votuar. Sipas ambasadorit Sallabanda, nga 700 mijë qytetarë pa pasaporta, 450 mijë kanë paraqitur kërkesë për karta, dhe 150 mijë jetojnë jashtë Shqipërisë. Megjithatë, këto shifra lënë dhjetëra-mijëra qytetarë të tjerë pa dokument votimi.
Drejtori i zyrës së Institutit Kombëtar Demokrat për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin, theksoi se, ndonëse nuk ka të dhëna konkrete, me gjithë akuzat e bëra, se procesi i kartave po shfrytëzohet për qëllime partiake, vetë fakti që qytetarët duhet të shkojnë më se një herë për të marrë kartat e identitetit, të cilat do të jenë për një pjesë dokumenti i vetëm për votuar, u vë atyre një barrë të padrejtë, për të ushtruar një të drejtë bazë, siç është votimi.
Zoti Benjamin u bëri thirrje autoriteteve të marrin të gjitha masat e duhura për t’ua lehtësuar barrën qytetarëve.
Ndonëse mendimi i analistëve ishte se Shqipëria ka një rast të mirë për të treguar pjekurinë e demokracisë së saj, shqetësimi mbetet i pranishëm, nëse zgjedhjet do t’i plotësojnë apo jo standardet ndërkombëtare dhe vlerësimin përfundimtar për to do ta japin vetë qytetarët shqiptarë.
Komisioni Amerikan i Helsinkit është një agjenci e pavarur qeveritare që vëzhgon dhe nxit vendet të respektojnë angazhimet ndaj OSBE.
VOA
“Një zgjidhje e suksesshme e minutës së fundit nuk do shpëtojë imazhin e zgjedhjeve”
Nga Alcee L. Hastings*
Bashkëkryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë
Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar që të mbahen në Shqipëri më 28 qershor, pak a shumë pas tri javësh duke nisur nga sot.
Ka shqetësime se këto zgjedhje nuk do të përmbushin standardet e OSBE. Ne do të dëgjojmë sot panelistët, teksa flasin për këto shqetësime dhe për perspektivën e këtyre zgjedhjeve.
Komisioni i Helsinkit ka qenë në kontakt me ambasadën shqiptare, e cila na ka informuar ne në lidhje me përpjekjet për të trajtuar çështjet zgjedhore.
E para mes këtyre problemeve duket se është çështja e identifikimit të zgjedhësve, dhe numri i madh i votuesve që nuk kanë një pasaportë dhe që nuk kanë marrë akoma një kartë identiteti që do u mundësojë atyre të drejtën për të votuar.
Nuk do të hyj në detaje të mëtejshme për sa u përket këtyre zgjedhjeve. Këtë do ua lë ta bëjnë panelistët tanë.
Megjithatë, dua të shpreh keqardhje për faktin që këto shqetësime zgjedhore vazhdojnë të ekzistojnë dhe të dëmtojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.
Edhe nëse një zgjidhje e minutës së fundit për të korrigjuar gjërat do të jetë e suksesshme, ajo thjesht do të përsërisë modelin shqetësues nga zgjedhjet paraardhëse për mosmarrjen e veprimeve të nevojshme për të bërë diferencën gjatë zgjedhjeve të ardhshme, që planifikohen të mbahen rregullisht çdo katër vjet.
Përfundimisht, dua të them se nuk janë as partitë në pushtet, as ato në opozitë që vuajnë pasojat e plota të këtyre shtyrjeve. Ai që vuan është votuesi.
Një qytetar që ka të drejtën për të votuar për përfaqësuesit e tij në parlament, jo vetëm që ka të drejtën për të bërë këtë dhe duhet respektuar, por qytetari duhet gjithashtu të ketë disa pritshmëri në mënyrë që vota të ketë një domethënie dhe të bëjë diferencën në jetën e tyre.
Edhe nëse gjithçka shkon në rregull më 28 qershor, pa dyshim që duhet bërë shumë për të ndihmuar popullin shqiptar që të ketë besim te sistemi.
Kjo është një pikë shumë e dobët e demokracisë shqiptare.
Komisioni i Helsinkit tradicionalisht i ka përdorur zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një mundësi për t’u hedhur një sy më afër zhvillimeve në përgjithësi në vend. Komisioni prandaj ka pyetur panelistët që të flasin jo vetëm për zgjedhjet, por dhe për tendencat e mëtejshme dhe zhvillimet në vend, si zhvillimi i shoqërisë civile dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin.
Ndërsa ne po shqyrtojmë situatën në Shqipëri sot, nuk duhet lënë pa thënë që qëllimi është që të jemi konstruktivë.
Duke u rikthyer në vizitën e parë në Shqipëri në vitin 1990, Komisioni i Helsinkit e di mirë si çdo palë tjetër e jashtme mund të dijë shkallën në të cilën vendi e ka marrë veten nga një erë komuniste brutale dhe represive.
Komisioni është gjithashtu i vetëdijshëm dhe mbështet plotësisht marrëdhëniet e forta bilaterale mes të dy vendeve. Tani, si anëtare e NATO, ne mund t’i referohemi Shqipërisë si një mik dhe një aleat, që kjo ka qenë gjithmonë me zemër.
Ky mirëkuptim dhe mbështetje për Shqipërinë është arsyeja pse jemi sot këtu, duke shpresuar që të inkurajojmë progresin në një vend, progres që njerëzit e meritojnë kaq qartësisht.
* Fjala e mbajtur në nisje të seancës dëgjimore
Çfarë është Komisioni i Helsinkit
Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur dhe si Komisioni i Helsinkit, është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane, e krijuar në vitin 1976 për të monitoruar dhe inkurajuar zbatimin e Aktit Final të Helsinkit dhe të tjera standarde të OSBE.
Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë nga Senati i Shteteve të Bashkuara, nëntë anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve, dhe një anëtar nga secili departament, ai i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë. Pozicionet e kryetarit dhe bashkëkryetarëve ndahen mes Dhomës dhe Senatit dhe janë me rotacion çdo dy vite, kur mblidhet Kongresi i ri.
Komisioni kontribuon për formulimin e politikave të Shteteve të Bashkuara.