Petrolifera, ky simbol i modelit të dështuar ekonomikNga Lavdosh FerruniSali Berisha, të nesërmen e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë të partisë që ai drejton, nxitoi të shkonte në Vlorën e Flamurit për të celebruar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Petrolifera, ky simbol i modelit të dështuar ekonomikNga Lavdosh FerruniSali Berisha, të nesërmen e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë të partisë që ai drejton, nxitoi të shkonte në Vlorën e Flamurit për të celebruar fillimin e punës së një kompanie italiane në një ekstra-territor italian brenda territorit shqiptar. Kur 5 vjet më parë (maj 2004), në Kuvendin e Shqipërisë mazhoranca e atëhershme ngriti kartonët jeshilë për faljen (shitjen me vleftën 1 euro) e një territori të vendit në bregdet të Gjirit të Vlorës, cilësuar si një nga perlat e Mesdheut, një kompanie italiane për t’u përdorur si port nafte, opozita e atëhershme kundërshtoi duke u larguar nga salla e Kuvendit. Dhe ja, sot, pas 5 vitesh ish-opozita me ngazëllim lëpin atë që pështyu. Berisha u ambientua menjëherë me kalimin e territorit shqiptar me hipotekë të rregullt në një ekstra-territor të Italisë duke i quajtur para medieve pronarët e rinj të Petroliferës të “zotët e shtëpisë”. Duke dashur të shmangim çështjen e aferave korruptive, në shitjen e territoreve të vendit nën etiketimin zhvillim, dhe duke tentuar të depërtojmë në thelbin e problemit nuk mund veçse të thuhet me forcë “Petrolifera, ky simbol i modelit të dështuar ekonomik”. Është simbol i modelit të dështuar, së pari se është koncesioni i pa-kërkuar që i prin një sërë veprash të tjera koncesionare të pa-kërkuara, të projektuara për t’u ndërtuar në Shqipëri, që përbëjnë shtyllën kurrizore të modelit të dështimit. Petrolifera është simbol i dështimit, pasi biznesi shqiptar nuk ka përfitim ekonomik, madje dëmtohet teksa ai (si p.sh., biznesi shqiptar i tregtimit të hidrokarbureve në Porto Romano), paguan për territorin që zë për aktivitetin që kryen, ndërsa Petrolifera, jo. Shteti shqiptar gjithashtu nuk ka asnjë përfitim ekonomik. Punësimi është në përmasa të papërfillshme, vetëm disa dhjetëra vetë. Cilido mund të llogarisë se sa qindra vetë apo dhe mijëra do të mund të punësoheshin në 183000 m2 bregdet turistik brenda murit të Petroliferës dhe në rrezen prej 500 metrash tej murit që me ligj e kontrollon gjithashtu Petrolifera. Ndotja në një terminal nafte është e pashmangshme, dhe e shtrirë në një territor shumë herë më të madh se territori i okupuar. Kjo është arsyeja që veprat e naftës ndërtohen në zona larg qendrave të banuara e zonave turistike e zonave të mbrojtura, ndërkohë kur Petrolifera është brenda të gjitha këtyre. Derdhje të qëllimshme të naftës, si ajo e fundit në Vlorë, janë thuajse të paevitueshme. Statistikat botërore tregojnë se 2/3 e derdhjeve të naftës janë të qëllimshme. Por në një gji turistik dhe të mbyllur si i Vlorës ato mund të jenë fatale. Vepra e naftës, e quajtur pakuptueshmërisht prej Berishës si diamant i strategjisë për super-energji të rajonit, përcaktohet gjithashtu me shkallë të lartë rrezikshmërie eksploziviteti. Petrolifera është simbol dështimi, edhe pse është dhunuar e drejta kushtetuese e komunitetit për pjesëmarrje në vendimmarrje me referendum.
Po cili është vetë modeli i dështuar ekonomik? Një përgjigje i jep kësaj pyetjeje një nga analistët ekonomikë më të zëshëm të tranzicionit shqiptar, Bledi Kajsiu. Ai thotë se “dështimi i modelit politiko-ekonomik që qeveritë shqiptare kanë ndjekur këto dy dekadat e fundit me rekomandimin dhe nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve buron nga vetë modeli. Problemi me modelin aktual nuk buron nga moszbatimi, por nga vetë përpjekja për ta zbatuar atë” (Gazeta “Panorama”, 1 Qershor 2009). Ndër faktorët kryesorë që argumentojnë dështimin e modelit, ai rendit dhënien prioritet investimeve të huaja dhe jo atyre lokale. Kajsiu shkruan: “Për këtë arsye edhe sot pas njëzet vitesh, pas miliarda eurove që shqiptarët me punën e tyre kanë sjellë në Shqipëri aktorët dhe përfituesit kryesorë të ekonomisë sonë janë investitorët e huaj dhe jo sipërmarrja lokale. Kështu që më shumë sesa zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare në botë modeli aktual garanton zhvillimin e kapitalit global në Shqipëri.” Nëse kjo pikë analizohet më në thellësi, kthehet në kuintesencën e gjithë debatit për modelin shqiptar të zhvillimit. Duke supozuar se investimet e huaja operojnë në rregulla të pastra loje ekonomike, ku shteti pritës ka një strategji të vetën të siguruar nga një konsensus i gjerë dhe aplikon një proces selektimi të investimeve në funksion të kësaj strategjie, debati për rolin prioritar ose jo të investimeve të huaja bëhet më i vështirë. Në kushtet e Shqipërisë, ku mungon një strategji e tillë prioriteti i investimeve të huaja i bazuar kryesisht në investimet e pa-kërkuara, jo vetëm që çon në mënyrë të sigurt në dështim të këtij modeli, por si rrjedhojë e karakterit afatgjatë të investimit krijohet një situatë me pasoja të parikuperueshme.
Shembulli më tipik vjen po nga Vlora dhe po nga kaos-lideri Berisha. Në strategjinë e qeverisë 2008-2013 parashikohet që do zgjerohet e modernizohet porti i Durrësit, i cili, jo vetëm plotëson më së miri nevojat e vendit, por shërben edhe për zhvillim tregtie me vendet fqinje, përfshi dhe Kosovën veçanërisht në raport me rrugën Durrës-Kukës. Por ja që tani papritmas mbretëresha e turizmit e Vlorës na u bë mbretëresha e investimeve. “Në katër vitet që vijnë Vlora do të ketë portin më të madh të rajonit”, - tha Berisha dhe shtoi se ky port do të punësojë 30-50 mijë vetë. Ajo që dihet nga eksperienca botërore është se port i kësaj madhësie, si ky i projektuar në Vlorë (me kapacitet 3 milionë kontejnerë në vit), që është 200 herë më i madh se porti i Durrësit, e përjashton zhvillimin e sektorit të turizmit së paku në një reze rreth 10 km. Nuk po diskutojmë në këtë shkrim disinformimin dhe mungesën e transparencës, si në rastin e mësipërm të deklarimit të punësimit prej 50 mijë vetash në portin e ri që do ndërtohet, kur shifra e parashikuar është vetëm 2000 vende pune dhe që mund të shkojë edhe disa mijëra, nëse veç portit i hiqen dhe mbi 500 hektarë të tjerë bregdetit të Vlorës për “zonë të lirë”, por, nëse kjo ndodh, nuk ka dyshim se shumica e të punësuarve do jenë kinezë apo afrikanë, që do të ulin artificialisht dhe vlerën e ditës së punës te punëtorët shqiptarë. Meqenëse investime të kësaj natyre, thuaj që të gjitha me shkallë të lartë ndotjeje dhe të përqendruara në bregdet apo ultësirën e vendit kapin shifra që afrojnë me GDP vjetore të vendit janë të mjaftueshme për ta tërhequr vendin në një drejtim që nuk ka asnjë mundësi që të jetë drejtimi më i mirë, thjesht për faktin se mungon boshti i zhvillimit e mbizotëron spontaniteti e anarkia.