E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i FIFA-s, votim mes skandaleve dhe akuzave

NION- Mungojnë vetëm pak orë nga votimi për presidentin e ri të FIFA-s, që vijnë në një nga momentet më të vështira për këtë institucion. Akuzat e shumta për korrupsion ndaj presidentit dhe kandidatit të vetëm Sep Blater, që kanë përfshirë edhe përzgjedhjen e Botërorëve 2018 dhe 2022, kanë bërë që imazhi i FIFA-s të ulet në minimumin historik. Ndërsa delegatët nga 205 federata kanë mbërritur në Zyrih nën sytë e qindra gazetarëve, Federata Angleze, ka kërkuar një shtyrje të zgjedhjeve, për t’u dhënë mundësinë kandidatëve të tjerë që të futen në garë, pas tërheqjes së Mohamed Bin Hamam si rrjedhojë e përfshirjes në një skandal për blerjen e votave. Një kërkesë e tillë duhet të miratohet me 2/3 e votave të Kongresit, pra 154, gjë që duket e pamundur. Anglia është pozicionuar haptazi kundër Blater, pas përzgjedhjes së kandidaturës së Rusisë për Botërorin 2018. Por, kjo nuk është pika e vetme. Duke qenë se ka një kandidat të vetëm, pritet që Blater të kërkojë votim me ngritje dore, ndonëse Statuti parashikon votim të fshehtë. Me votim të hapur ndoshta askush nuk do të guxonte t’i dilte kundër, ndërsa me votim të fshehtë, fitorja do të ishte e dobët. Ndërkaq, Konfederata e Amerikës së Veriut është përfshirë nga akuza të tjera, pasi presidenti i komanduar Lesli Ostin, i ka kërkuar amerikanit Çak Blejzër, ai që denoncoi skandalin e shitjes së votave për president, që të shpjegojë arsyet e denoncimit të tij. Pra, duket një atmosferë larje hesapesh. Por, një çudi mbetet kontinenti aziatik, që duket totalisht i përçarë pas tërheqjes së Bin Hamam. Të martën, mbi 10 delegatë kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj biznesmenit nga Katari, ndërsa presidenti i Konfederatës Aziatike Zhang Jilong, ka thënë se Bin Hamam është ende president dhe se FIFA nuk kishte të drejtë ta pezullonte. Pas kësaj, Blater takoi përfaqësuesit e Azisë e Afrikës, për të marrë mbështetje. E ndërkaq, një lajm i çuditshëm ka shkaktuar panik në orët e mëngjesit. Gazetarëve u ka shkuar një e-mail që i njoftonte për një konferencë misterioze me akuza bombë, për shitjen e votave për Botërorin e Katarit. Në këtë konferencë do të tregoheshin dokumentat e pagesave që u janë bërë delegatëve. Por, për çudi, konferenca u anulua.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›