E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës–Kukës”, Gjykata e Faktit inkompetente për gjykim

Shtyhet seanca ku do të shqyrtohej kërkesa e ish-zëvendësministrit Teliti.

TIRANË – Shtyhet sërish në Gjykatën e Tiranës seanca e radhës ku do të shqyrtohej kërkesa e ish- zëvendësministrit të Transporteve, Armand Teliti, i cili kishte paditur Prokurorinë për shtyrjen e afatit të hetimit për rrugën Durrës-Kukës. Prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi nga gjykata shpalljen e moskompetencës së gjykimit për shkak se sipas tij në këtë procedim ndodhet edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, aktualisht pa imunitet, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Kraja argumentoi para trupit gjykues se duke qenë deputet kjo çështje nuk mund të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, por nga Gjykata e Lartë. Avokati i të pandehurve Teliti dhe Toma, Genci Gjokutaj, i kërkoi të paraqiste në gjykatë një vendim të Gjykatës së Lartë për rastin e Gërdecit. Sipas tij, pak më parë kjo gjykatë shpalli moskompetencën për gjykim në rastin e masës së sigurisë ndaj Ylli Pinarit, Dritan Minxollit dhe Mihal Delijorgjit. Seanca pritet të zhvillohet nesër ku do të merret edhe një vendim.
Një seancë më parë
Ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti, u ka kujtuar prokurorëve që po hetojnë mbi rrugën “Durrës-Kukës” se kishin kohën e mjaftueshme për të dalë me një konkluzion. Gjatë seancës së djeshme, ku pritej të niste dhe shqyrtimi për kundërshtimin e afateve të hetimit, mungoi prokurori i çështjes. Pas vendimit të gjykatës për të zhvilluar seancën një datë tjetër, Teliti u shpreh për mediat pse e kishte ndërmarrë këtë nismë ligjore. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, të vënë nën akuzë për abuzime me fondet për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për raportin voluminoz të ekspertëve, ku është përcaktuar vlera e dëmit shkaktuar shtetit shqiptar. Sipas burimeve nga prokuroria, vetëm pak ditë kanë mbetur që prokurori i vetëm i çështjes, Arben Kraja, të firmosë për dosjen.
Kërkesa
Gjykata e Tiranës pritej të shqyrtonte në seancën e kaluar kërkesën penale të bërë nga ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-drejtori Juridik i kësaj ministrie, Andi Toma, në akuzë për “shpërdorim detyre”. Të dy ish-zyrtarët kundërshtojnë zgjatjen e afateve të hetimit nga ana e prokurorisë edhe për një muaj (6 nëntor–6 dhjetor). Duke e cilësuar si të paligjshëm këtë vendim, Teliti dhe Toma iu drejtuan Gjykatës duke kërkuar ndërprerjen e hetimeve dhe zgjidhjen sa më parë të çështjes. Zyrtarisht, Prokuroria deklaron se është brenda afateve ligjore për hetimet e dosjes “Durrës-Kukës”.
Raporti
Tre ekspertë inxhinierë kanë përcaktuar vlerën reale të ndërtimit të aksit rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Në raportin e dorëzuar në prokurori më datën 8 tetor 2008, ekspertët theksonin se investimi në total për “Rrëshen-Kalimash” kap shifrën e 1.3 miliardë eurove. Për raportin ku janë renditur shkeljet e kryera asnjëri prej tre ish-zyrtarëve të Transporteve, të vënë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, nuk ka dhënë shpjegim. Në bazë të ligjit, të pandehurit nuk janë të detyruar ligjërisht të japin shpjegime.

KSHH-ja rekomandon masa për të shmangur mbipopullimin në Burgun e Shën Kollit

TIRANË - Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka kërkuar marrjen e masave për të reduktuar numrin e personave që mbahen të izoluar në institutin e ekzekutimit të vendimeve penale në Shën Koll, Lezhë, mjediset e të cilit, sipas këtij komiteti, janë të mbipopulluara. Pak ditë më parë, punonjës të KSHH-së zhvilluan një vëzhgim mbi infrastrukturën e Burgut të Shën Kollit, kushtet e jetesës së të paraburgosurve, kujdesin social dhe edukativ, shërbimin shëndetësor etj. Burime zyrtare pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit bënë të ditur dje se KSHH-ja, krahas masave për shmangien e mbipopullimit, ka rekomanduar edhe rritjen e numrit të personelit mjekësor për të siguruar një shërbim shëndetësor efikas në këtë institucion, punësimin e një psikiatri me kohë të plotë, bashkëpunimin me shtëpi botuese dhe OJF-të, pasurimin e bibliotekës së institucionit me tituj librash të rinj, etj. KSHH shpreh besimin se nga ana e institucionit do të merren masat e nevojshme për përmirësimin e situatës të të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›