Poni: “Tani funksionon Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”
TIRANË - Pas printimit të certifikatave elektronike, për herë të parë do të vihet në funksion edhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile që do të mbulojë të gjithë territorin e vendit. Ky regjistër do të sigurojë identifikimin e të dhënave për të gjithë qytetarët në kushte kompjuterike. “Është hera e parë në Shqipëri që do të vihet në punë Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, një sistem kompleks, një sistem që mbulon të gjithë territorin, një sistem me standarde të larta kompjuterike, një sistem me standarde të larta sigurie, i cili do të sigurojë identifikimin e të dhënave të qytetarëve tanë në kushtet më të mira të mundshme”, – tha zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Sipas Ponit, ka përfunduar me sukses implementimi i softuerit për printimin e certifikatave elektronike dhe ato do të funksionojnë në fund të nëntorit në Bashkinë e Tiranës dhe në harkun kohor të një jave në të gjithë Shqipërinë. Sa i përket certifikatave biometrike, Poni tha se ato do të jenë gati për shtetasit në mesin e muajit janar.
Gjykata italiane dënon me nga 12.5 vite burg 5 skafistë shqiptarë
LEÇE - Gjykata italiane në Leçe ka dënuar dje me nga 12.5 vite burg secilin nga pesë skafistët që provokuan tragjedinë e rëndë të 4 majit të vitit 2000, kur përmbysja e një gomoneje në afërsi të brigjeve italiane shkaktoi 15 viktima. Pesë skafistët u gjykuan në Itali nën akuzat e favorizimit të trafikut të paligjshëm dhe mbytjes së qëllimshme të gomones. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e 4 majit të vitit 2000 kur një gomone u përmbys në ujërat e Adriatikut pasi u përplas me helikën e një motovedete italiane. Dëmtimi i gomones shkaktoi 15 viktima, ndërkohë që në bordin e saj ndodheshin 31 klandestinë shqiptarë, 20 nga të cilët nga Shkodra. Ngjarja u cilësua tetë vite më parë si një Otranto e dytë. Prej kohësh, të afërm dhe familjarë të viktimave kanë kërkuar zbardhjen e tragjedisë së rëndë pas një procesi që në shtetin italian zgjati për vite me radhë.
18 Nentor 2008