E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qemal Stafa, politikat për të zhvilluar ekonominë

 

Në një tryezë të organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa”, ekspertë të ekonomisë paraqitën sfidat mbi politikat monetare dhe fiskale

Në kuadrin e tryezave me “Dyer ta hapura”, Fondacioni “Qemal Stafa”, organizoi gjatë ditës së djeshme, tryezën e dytë për çështjet ekonomike në Shqipëri. “Politika monetare dhe fiskale”, ishte tema e përzgjedhur nga organizatorët, të cilët kishin ftuar për diskutim specialistë, profesorë të ekonomisë dhe ekspertë të fushës. Fjalën hapëse e mbajti Drejtori Ekzekutiv i fondacionit, Saimir Tahiri, i cili bëri një rezyme të gjendjes ekonomike në Shqipëri, ku sigurisht kryefjala ishte vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese, për moslejimin e hyrjes në fuqi të ligjit të gjobave ndaj biznesit. Përfaqësues të shoqatave të biznesit, të pranishëm në këtë takim, kanë deklaruar se shpallja si antikushtetues i nenit që parashikon gjobat dhe interesat të parapaguhen është vetëm një fitore e pjesshme në betejën kundër metodave represive të qeverisë. Përfaqësuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka bërë të ditur se veç gjobave dhe interesave, biznesi duhet të ketë mundësinë e lënies së garancisë bankare edhe për detyrimin që tashmë kërkohet të paguhet në parapagim. Përfaqësues të Partisë Socialiste të pranishëm në këtë tryezë i kanë bërë të ditur sipërmarrjes se me ardhjen e tyre në pushtet ky problem do të zgjidhet. Më pas, fjalën e mori eksperti gjerman, Zopel dhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Diskutantët në këtë tryezë, prekën disa probleme ekonomike, si menaxhimi i shpenzimeve publike, politika monetare, deficiti buxhetor apo dhe administrimi i të ardhurave buxhetore. Fondacioni “Qemal Stafa” ka bërë të ditur se do të vazhdojë organizimin e tryezave të tilla edhe në ditët në vazhdim, për të marrë mendimin e të gjithë ekspertëve dhe specialistëve, për ndërtimin e programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›