Prokuroria: Sefgjini ka rrëmbyer e torturuar tre persona në vitin 95
Nuk ndryshon masa e arrestit në shtëpi për Drejtorin e Tatimeve dhe Avni Koldashin
TIRANË- Dëshmia e Avdyl Loshajt, dhënë në dhjetor të 2003 para oficerëve të policisë gjyqësore ka nxitur prokurorin e çështjes, Xhevat Hana, të sjellë në bankën e të akuzuarve katër të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për rrëmbimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur dhe mendohet se është vrarë. Sipas prokurorit Hana që hetoi për dy vite këtë dosje të “arkivuar” në policinë e shtetit, personat përgjegjës për këto tre rrëmbime, janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombtar. Kështu, mesditën e djeshme, kur i pandehuri Arben Sefgjini me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, u përball për herë të parë me prokurorin e çështjes Xhevat Hana në sallën e gjyqit nuk ngurroi të shfryjë mllefin për rihapjen e dosjes dhe ngritjen e akuzës së rrëmbimit. Por, edhe pse i pandehuri Sefgjini këmbënguli para gjyqtarit të masave Fran Prendi, se prokurori i çështjes Xhevat Hana kishte manipuluar në dosjen dorëzuar pranë kësaj gjykate për gjykim nga themeli dhe në përpilimin e kërkesës për caktimin e masës shtrënguese ndaj tij dhe dy ish-SHIK-asve, gjyqtari nuk ndryshoi vendimin e dhënë pesë ditë më parë për izolimin e tij në shtëpi. Ky mos ndryshim i masës erdhi pas sqarimit të prokurorit Hana drejtuar gjykatës dhe vetë të pandehurit Arben Sefgjini, i cili pa lejen e gjyqtarit ndërpreu disa herë prokurorin në fjalën e tij, duke e kundërshtuar atë për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas prokurorit, pretendimet e të pandehurit Arben Sefgjini, janë të pabaza pasi edhe në dosjen për gjykim edhe në kërkesën për caktimin e masës shtrënguese, vepra e ngritur ndaj tij është e sqaruar. “I pandehuri Arben Sefgjini, me datë 22 maj 2003 është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për rrëmbimin e shtetasit Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha, ky i fundit i zhdukur prej vitit 1995. Kjo masë sigurie ndaj të pandehurit Sefgjini ka qëndruar në fuqi deri më datë 28 maj 2004 kur me vendim të prokurorisë është pushuar akuza ndaj tij dhe është liruar. Lirimi i tij erdhi edhe pse ndaj tij u ngrit vetëm akuza e “shpërdorimit të detyrës” vepër kjo e amnistuar me dekret të Presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2003 është marrë në pyetje në Holandë shtetasi Avdyl Loshaj, i cili ka dëshmuar të gjitha, që nga momenti i rrëmbimit, torturave të ushtruara ndaj tij e deri te ikja nga qendra e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Pas marrjes së kësaj dëshmie, në maj të 2006 me vendimi të prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, është urdhëruar rifillimi i hetimeve për rrëmbimin e shtetasit Avdyl Loshaj dhe ushtrimit të torturës së rëndë ndaj tij. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Arben Sefgjini këtë vepër e ka konsumuar në bashkëpunim edhe dy herë të tjera, në rrëmbimin e Ziso Kristopulit dhe Remzi Hoxha i cili mendohet se është vrarë dhe zhdukur”,-tha prokurori Hana gjatë fjalës së tij, edhe pse të ndërprerë disa herë nga i pandehuri Arben Sefgjini, i cili me ton të ngritur akuzonte prokurorin se kishte manipuluar provat dhe dëshmitë për t’i ngritur akuzë atij dhe tre ish-drejtuesve të SHIK-ut. Ndërkohë, i pandehuri Sefgjini gjatë fjalës së tij pretendonte para gjykatës se akuza e ngritur nga prokurori Xhevat Hana është hetuar një herë dhe ka një vendim pushimi për këtë çështje. Gjithashtu, në fjalën e tij, i pandehuri u shpreh se “do të kërkojmë nga Prokuroria e Përgjithshme përjashtimin e prokurorit Xhevat Hana nga gjykimi i kësaj çështjeje, pasi ka manipuluar dosjen”. Sipas prokurorit, gjatë hetimeve dyvjeçare ka rezultuar se i pandehuri Arben Sefgjini me veprimet e tij ka kryer veprën penale të “rrëmbimit të personit” tre herë të shoqëruar me torturë të rëndë po tre here, hetime të cilat sipas prokurorit janë mbyllur me datë 28.04.2008, ku është sjellë dosja për gjykim.
Replikat mes Prokurorit dhe Arben Sefgjinit
Xh.Hana: I pandehuri Arben Sefgjini është marrë i pandehur më 22 maj 2003 për rrëmbimin e Ziso Kristopulit dhe Remzi Hoxhës, ndërsa në dhjetor të atij viti është marrë në pyetje shtetasi Avdyl Loshaj. Në maj të vitit 2006 është ngritur akuza e rrëmbimit të shtetasit Avdyl Loshaj...
A.Sefgjini: z.Gjyqtar, ky është një manipulim që bën prokurori, për qëllime që vetëm ai i di. Nuk është e vërtetë se kjo është një akuzë e re dhe aq më shumë e zbuluar nga ky prokuror. Nëse shohim vendimin mbi pushimin e akuzës të datës 1 korrikut 2004, në faqen 2 dhe 4 bëhet fjalë pra për hetime të zhvilluara nga organi i prokurorisë në lidhje me të quajturin rrëmbim dhe tortura ndaj personit Avdyl Loshaj. Organi i prokurorisë e ka shqyrtuar këtë si dhe akuzën ndaj Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopulit, dhe ka konkluduar në fund. Tani prokurori Hana pa bërë asnjë hetim tjetër, na del se paska zbuluar një akuzë tjetër të re, të paparë më parë
Xh.Hana: I nderuar gjyqtar, ta sqaroj të pandehurin se në vitin 2003 ndaj tij nuk ka pasur akuzë për rrëmbimin e Avdyl Loshajt, por në dhjetor është marrë ai si deklarues dhe çështja është pushuar në korrik 2004....
A.Sefgjini: Këto janë të shkruara në vendimin e datës 1 korrik 2004....
Gjyqtari: Mos fol i pandehur pa lejen time. Fole prokuror....
Xh.Hana: I pandehuri e ka vendimin dhe aty shkruan që ai akuzohej për Ziso Kristopulin dhe Remzi Hoxhën hetim ky i filluar në maj 2003, ndërsa Avdyl Loshaj....
A.Sefgjini: E ke në vendimdhe thuhet se pushohet akuza për Arben Sefgjinin për akuzën e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt, (përplas mbi tavolinë letrat)...
Gjyqtari: Mos ndërhyni i pandehur pa ju dhënë fjalën...
Sefgjini: Këto janë trillime të prokurorit Hana dhe tërësisht të manipuluara...
Gjyqtari: I pandehur, respekto procedurat. Do të flasësh kur të ta jap fjalën unë...
Xh.Hana: I pandehur Arben Sefgjini, vendimi i pushimit të çështjes është shumë i qartë. Ju jeni marrë i pandehur në 22 maj 2003 dhe në dhjetor 2004 është pyetur Avdyl Loshaj si deklarues dhe mbi bazë të kësaj është ngritur akuza e re në maj 2006, për këtë jeni këtu sot....
A. Sefgjini: Ja ku shkruan (tregon vendimin) ku është pushuar akuza edhe për shtetasin Avdyl Loshaj, lexojeni prokuror, na paskeni gjetur një akuzë të re, këto janë stisje, spekulime që i dini ju vete pse...
Xh.Hana: I pandehur, në atë vendim shkruan...
Gjyqtari: I pandehur nuk keni të drejtë të flisni pa leje, do të jap fjalën, mos ndërhyni ju lutem...
A.Sefgjini: Dua të flas pastaj...
Gjyqtari: Të mbarojë prokurori dhe do flisni bashkë me avokatin....
Xh.Hana: I pandehuri Arben Sefgjini, është marrë në maj i pandehur dhe në dhjetor është pyeturLoshaj dhe në 1 korrik 2004 akuzat ndaj jush janë pushuar. Aty nuk ka qenë i përfshirë shtetasi Avdyl Loshaj. Ndaj jush Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal më datë maj 2006, ku ju jeni marrë si i pandehur për këtë çështjen e rrëmbimit dhe torturimit të shtetasit Avdyl Loshaj, dhe më pas në bashkëpunim edhe ndaj shtetasve Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha i cili është zhdukur...
A.Sefgjini:. Çfarë akuze të re paska zbuluar prokurori, një që ndodhet në vendimin e vitit 2004. Këto akuza janë spekulime dhe manipulime të prokurorit dhe jo organit të akuzës që ai përfaqëson. Këto janë manipulime personale të prokurorit për çështjen që ai e di vetë...
...A.Sefgjini: Prokurori edhe pse në këtë vendim thuhet se këto vepra janë pushuar ai kërkon për mua një masë shtrënguese, pasi sipas spekulimeve tij, ekziston rreziku dhe dyshimet e tij se unë mund të largohem nga vendi, këto janë trillime të ngritura në kokën e prokurorit. Prokurori ka dyshime që do iki, po unë kam dhënë prova dhe për këtë shikoni pasaportën time. Kam dalë jashtë shtetit dhe jam kthyer edhe pasi më janë komunikuar akuzat. Kam mundur të largohem po nuk kam ikur pasi nuk e ndjej vetën fajtor për ndonjë gjë dhe t’i shmangem hetimit dhe gjykimit....