Sefgjini në gjykatë me shofer personal dhe pa policë:
Drejtori i Tatimeve i akuzuar për rrëmbimin e tre shtetasve tha dje se ishte i pafajshëm dhe ishte gjykuar njëherë për atë çështje
TIRANË- Ora 11:55 minuta ishte kur i pandehuri Arben Sefgjini në shoqërimin e shoferit të tij personal, avokatit mbrojtës hyri pa bujë dhe zhurmë në oborrin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke mos u shoqëruar as nga forcat e policisë, edhe pse gjykata kishte dërguar njoftimin në Drejtorin e Policisë së Tiranës për shoqërimin e të pandehurit për në gjykatë ku do të kryhej verifikimi i masës shtrënguese “arrest shtëpie” të caktuar pesë ditë më parë me kërkesë të prokurorit. Por, edhe pas dëgjimit të pretendimeve dhe debateve mes tij dhe prokurorit të çështjes, gjyqtari Fran Prendi vendosi të mos ndryshojë masën shtrënguese “arrest shtëpie”, pasi sipas vendimit nuk kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat e parashikuara në ligj për ndryshimin e masës së sigurisë dhënë të dielën e kaluar me kërkesë të prokurorit Xhevat Hana. Në sallën numër 1, të katit të parë të kësaj gjykate, i pandehuri Arben Sefgjini zuri vend në bankën e të pandehurve që ndodhet në krahun e djathtë të gjyqtarit përballë prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, të cilin e kishin rrethuar 6 shoqëruesit e forcave speciale që janë angazhuar në ruajtjen fizike të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në sallë nuk munguan edhe forcat e policisë së burgjeve të cilët kishin zënë vend për çdo të papritur që mund të ndodhte brenda sallës së gjyqit. Ndërkohë, i pandehuri Sefgjini i ulur bashkë me avokatin Zef Nika, herë pas herë tregonte me lëvizjet dhe mimiken e fytyrës së tij se qetësia i kishte ikur. Gjatë kohës së pritjes së gjyqtarit për të hyrë në sallën e gjyqit dhe pas fillimit të seancës gjyqësore, dallohej qartë se ai kishte humbur qetësinë dhe ishte në një gjendje të nervozuar. Kjo dallohej edhe në mënyrën e të folurit me zë të lartë, tone kërcënuese ndaj prokurorit dhe përplasje letrash në tavolinën e tij. Me fillimin e seancës gjyqësore, gjyqtari Prendi urdhëroi ngritjen në këmbë të të pandehurit Sefgjini për të dhënë gjeneralitetet e tij dhe më pas duke vazhduar me pyetjen se, ishte njohur me vendimin e gjykatës ku i kishte caktuar masën shtrënguese “arrest shtëpie” dhe kur. “Jam drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe që nga ora 17 e pasdites jam njohur me vendimin dhe e kam zbatuar atë duke ndenjur në shtëpi. Këto akuza dhe kjo masë është e padrejtë, e pabazuar dhe e manipuluar nga prokurori. Unë kam qenë dhe jam i pafajshëm nga këto akuza dhe këtë do ta dëshmoj gjatë gjykimit të dosjes, edhe pse për mua gjithçka është e manipuluar nga prokurori, pasi unë jam hetuar njëherë për këtë çështje dhe ka një vendim. Kërkoj nga gjykata që të më revokojë vendimin e masës shtrënguese”,-tha Sefgjini duke iu drejtuar gjyqtarit Prendi. Ndërkaq, edhe avokati mbrojtës gjatë fjalës së tij, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, duke e quajtur të paligjshëm dhe jo kompetencën e një gjyqtari për shqyrtimin e vleftësimit të masës së sigurisë. “Me vendimin që keni dhënë ju, i nderuar gjyqtar klienti im është mbyllur në shtëpi, vetëm për shkak të këtij vendimi të padrejtë dhe jo ligjor. Kjo masë është e papërshtatshme dhe duhej të revokohet nga gjykata. Ndërsa, akuza e ngritur nga prokurori është e padrejtë dhe e pabazuar në ligj pasi një herë është hetuar për këto vepra penale. Dhe kërkesa e tij, nga e cila ka vendosur masën gjykata është e padrejtë dhe duhet të revokohet. Në ditët në vazhdim në lidhje me veprimet e prokurorit Xhevat Hana, do t’i drejtohemi drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurores së Përgjithshme për të marrë masa ndaj prokurorit Xhevat Hana dhe largimin e tij nga ndjekja e gjykimit të kësaj çështjeje”,-tha avokati Nika. Edhe përkundër këtyre pretendimeve gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë mesditën e së dielës, masën shtrënguese “arrest shtëpie”.
Edhe i pandehuri tjetër i çështjes “Remzi Hoxha”, Avni Koldashi, hesh poshtë akuzën e prokurorit
Koldashi: Akuzat ndaj meje,
të pabaza, kam bërë detyrën
Flamur VEZAJ
TIRANË- “Akuzat ndaj meje janë të pabaza dhe me prapavijë politike”. Kështu u shpreh, ndër të tjera, i pandehuri Avni Koldashi gjatë seancës së djeshme gjyqësore ku u vlerësua zbatimi dhe ekzekutimi i masës shtrënguese “arrest në shtëpi” dhënë pesë ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë. Sipas pretendimeve të të pandehurit Koldashi, rihapja e hetimit dhe ngritja e akuzave ndaj tij janë të pabaza e të manipuluara, pasi për këto vepra penale dikur është arrestuar, hetuar dhe më pas është liruar duke i pushuar akuzat ndaj tij. “Këto akuza janë të pabaza, pasi kështu ka rezultuar edhe gjatë hetimit të vitit 2003, ku u theksua se nuk kam përgjegjësi penale dhe për këtë jam shpërblyer po nga shteti për mbajtjen time në burg. Jam gjykuar njëherë, por nuk do të thotë që të fshihem pas ligjit që nuk lejon gjykimin e një çështjeje dy herë, do të përballem me drejtësinë pasi jam i pafajshëm”,-tha ndër të tjera Koldashi. Duke akuzuar indirekt prokurorin e çështjes, Xhevat Hana, se edhe pas hapjes së dosjes nuk ka asnjë element të ri në krahasim me vendimin e pushimit të vitit 2003. “Në rihapjen e kësaj çështjeje, asgjë të re nuk ka që nga hetimi i vitit 2003 dhe akuzat ndaj meje janë krejtësisht të pabaza dhe me prapavijë politike, pasi punën që kam kryer e kam bërë me përpikmëri dhe me ndershmëri”,-tha Koldashi me një zë shumë më të qetë në krahasim me bashkë të pandehurin e kësaj dosjeje, Arben Sefgjini, i cili debatoi ashpër me prokurorin Xhevat Hana. Ndërkohë, edhe pse invalid i klasit të parë, i pandehuri Avni Koldashi shprehu gatishmërinë për të ardhur në gjykatë sa herë që kërkohet nga togat e zeza duke besuar në pafajësinë e tij. “Jam i gatshëm për çdo hetim, përveç këtij do të jem i gatshëm edhe për një hetim ndërkombëtar nëse është e nevojshme. Gjithashtu, ai kundërshtoi masën e sigurisë vendosur të dielën e kaluara nga gjyqtari i gatshëm Fran Prendi me kërkesë të prokurorit, duke e quajtur këtë vendim të padrejtë. “Akuzat janë të padrejta, pa baza, masa është e padrejtë dhe jam i gatshëm të përballem. Disa herë kam pas rastin të iki dhe të mos kthehem në Shqipëri, duke kërkuar azil të cilin jam i bindur se do ta fitoja, por nuk e kam bërë asnjëherë pasi e di që jam i pafajshëm. Të gjitha këto janë trillime me prapavijë politike dhe korruptive. Do të jem këtu sa herë të më kërkohet”,-tha Koldashi duke kërkuar nga gjykata të mos i caktojë avokat kryesisht, pasi sipas tij nuk është e nevojshme. Edhe për kundër kundërshtimit të tij, gjyqtari Prendi sqaroi të pandehurin se është e detyrueshme të ketë mbrojtës ligjor në këtë seancë gjyqësore pasi verifikohet zbatimi i masës së sigurisë dhënë ndaj tij. Pas këtij, sqarimi gjyqtari Prendi vendosi të caktojë avokaten Vjollca Pustina si përfaqësuese ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Masa ndaj Budjon Meçes e pamundur
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e vlerësoi të pamundur verifikimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Budjon Meçe, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në pavijonin e neuro-kirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Edhe ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest me shtëpi” ndaj këtij të pandehur është kryer në ambientet e këtij pavijoni, duke i njoftuar familjarët pasi i pandehuri Meçe prej gati dy jave gjendet në gjendje koma i shtruar në reanimacionin e këtij pavijoni.
PROKURORIA
Akuzat për 4 ish-punonjësit e SHIK-ut
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.F.Vezaj