Rekordi: çmimi i naftës 153 lekë për litër
Çmimet e naftës nuk ndalen, gjatë ditës së djeshme një fuçi naftë në bursa është shitur me 122 dollarë
Rritja e çmimeve ishte me 5 lekë për litër, nafta D2 u shit 149 lekë për litër dhe D1 153 lekë
Çmimet e naftës kanë vazhduar rritjen galoponte të këtij viti duke kaluar 150 lekë për litër dje në tregun vendës. Sipas të dhënave të sigluara në pikat e shitjes një litër naftë D2 është shitur me 149 lekë për litër, ndërsa një litër eurodiesel 153 lekë për litër. Por çmimet nuk kanë ndër mend që të ndalen me kaq, pavarësisht një rënieje të lehtë prej 1 dollar për fuçi që shënoi nafta në bursat ndërkombëtare gjatë ditës së djeshme. Tashmë opinionet e specialistëve të bursave për një çmim që shkon në 200 dollarë për fuçi në harkun kohor të 24 muajve janë rritur. Çmimet e naftës janë rritur me rreth 13 dollarë që prej javës së kaluar në bursa dhe sipas kompanisë së prognozave, Goldman Sachs, çmimet e arit të zi mund të arrijnë në 200 dollarë në 2 vitet e ardhshëm. Raporti i Goldman Sachs bën të ditur se rritja nuk do të vijë për mungesë në ofertë apo rritje në kërkesë. Një analizë të tillë kjo kompani e bazon edhe në faktin se, pavarësisht rritjes së çmimeve gjatë javës së kaluar pati një rritje në rezervat e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke treguar se kemi të bëjmë me një ofertë suficiente.
***
Tregjet shqiptare të shitjes me pakicë të karburanteve kanë rritur sot, me 5 lekë/litër të gjitha llojet e karburanteve. Kështu, ndërsa një litër naftë diezel në tregjet e pakicës po shitet me 149 lekë/litër, për produktet eurodiezel dhe benzinë, çmimi u barazua në shitje me 153 lekë/litër. Nga të dhënat e Inspektoratit Qendror Teknik, në tregtimin me shumicë të hidrokarbureve në vend, punojnë 42 shoqëri me leje tregtimi për shumicë, 30 për GLN, 55 shoqëri për vajrat lubrifikante, 6 për karburant avionësh. Ndërsa në tregun e shitjeve me pakicë numërohen 1.002 stacione karburantesh, prej të cilave me vërtetim janë 700 dhe 331 me autorizim. Por rritja e çmimeve në tregun vendës në një nivel rekord prej 200 lekë për litër nuk është më një tabu. Kur në fund të vitit 2007 specialistët e këtij tregu lajmëruan se mund të ketë një rritje të çmimit në një periudhë afatshkurtër (deri në 2 vjet) deri në 200 lekë për litër, lajmi pati një besueshmëri të ulët në publik. Por tashmë pritjet edhe në tregun vendës janë për një çmim në nivelet më të larta që mund të parashikohen. Kurba e rritjes së çmimit të karburanteve gjatë këtij viti, ka pësuar ndryshime të herëpashershme. Gjatë 4 viteve të fundit çmimet e karburanteve janë rritur mbi 65%. Në fillim të 2008-ës, që në ditët e para, çmimet e karburanteve në tregjet shqiptare nuk pësuan ndryshim, dhe një litër naftë eurodiezel u shit me 140-145 lekë/litër, ndërsa Diezel-i me 130-135 lekë/litër. Në muajin Shkurt, në tregjet tona, eurodiezeli u shit me 140 lekë/litër, benzina me 142 lekë/litër dhe diezel-i me 135 lekë/litër. Ndërsa në muajt në vijim, çmimet kanë ardhur drejt rritjes.