E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi miraton planin e "shpëtimit"

Dhoma e Përfaqësuesve
aprovoi dje planin "e
shpëtimit" prej 700 miliardë
dollarësh të kërkuar nga administrata
e Bushit për të shpëtuar financat
amerikane, të zhytura në
krizë të thellë pas një falimentimi
zinxhir të disa prej bankave më të
fuqishme në vend. Ky ligj u rrëzua
po në Kongres, të hënën, i refuzuar
nga një numër i madh republikanësh
dhe demokratësh dhe më
pas u votua në Senat për t‘iu rikthyer
edhe një herë dje procedurës së
rivotimit. Një numër i madh kongresmenësh
duket se kanë ndërruar
mendje gjatë ditëve që patën në
dispozicion nga vota e parë. Një
pjesë e kongresmenëve që kanë
ndërruar mendje deklaruan se kjo
ndodhi pasi mori siguri nga kandidati
demokrat, Obama, që, nëse do
të zgjidhej President i Shteteve të
Bashkuara, do të përdorte tërë autoritetin
e tij për të stabilizuar
përmes ligjit tregun e pasurive të
patundshme. Për të tjerë, shkaku i
ndryshimit ishte nxitja e zgjedhësve,
të cilët duket se edhe ata kishin
ndërruar mendje dhe ishin kthyer
në favor të planit. Të gjithë pak a
shumë janë të bindur që vota e dytë
është bërë mbi një ligj të përmirësuar
në krahasim me herën e parë.
Ndërsa kongresmenë të tjerë e kanë
votuar planin sepse, sipas tyre, nuk
kishte zgjidhje tjetër më të mirë dhe
se të paktën ai ishte njëfarë mase që
po merrej për situatën e rënduar. Të
hënën ishin republikanët, ata që
nuk votuan në shumicë dhe jo
demokratët, ndërsa në votën e Senatit
ditën e mërkurë reagimi ishte
më i unifikuar. Para votës, Kryetarja
e Dhomës, Nensi Pelozi, tha se ishte
e bindur që këtë herë plani do të
merrte një mbështetje bipartizane,
duke qenë se ligji ishte përmirësuar.
Varianti i ndryshuar i paketës përfshinte
çështjet kryesore të refuzuara
nga Kongresi: një plan që do t‘i lejojë
Sekretarit amerikan të Thesarit,
Hank Poulson, që të blejë përmes
shumës 700 miliardë dollarë borxhet
e këqija të bankave dhe asetet negative
të tyre. Pikërisht këto asete dhe
performanca e dobët deri në dështim
e bankave të Wall Street ka shkaktuar
një krizë në të gjithë sistemin
bankar botëror dhe bursat e
kryeqyteteve financiare të globit.
Përveç kësaj, do të ndërmerren edhe
masa të tjera të miratuara nga Kongresi.
Plani ka edhe dispozita të reja,
përfshi atë të një rritjeje të Sigurimit
të Depozitës Federale nga 100 mijë
dollarë në 250 mijë. Sipas këtij plani,
shifra prej 250 miliardë dollarësh, që
do të jetë edhe transhi i parë i 700
miliardë dollarëve, do të përdoret
menjëherë për të blerë një pjesë të
aseteve të këqija. Më pas i vjen radha
100 miliardë dollarëve të tjerë që do
të vihen në punë pas një vendimi të
Presidentit të vendit dhe më së fundi,
në përfundim të një periudhe 2-
vjeçare, Kongresi, pas një rishikimi
të hollësishëm të situatës dhe arritjeve,
do të lëshojë edhe 250 miliardë
dollarët e tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›