Kongresi miraton rezolutën dhe ndryshimet në statut
Aksioni i kombinuar politik i Partisë Socialiste ka marrë dje një miratim zyrtar nga organi më i lartë vendimmarrës i saj, Kongresi. Një rezolutë e posaçme lidhur me këtë gjë ka sanksionuar përmbajtjen e veprimit të opozitës që si shprehje më të fortë ka protestën, por që gjithsesi integron në vetvete një sërë pikash që kanë të bëjnë me një pjesëmarrje aktive në jetën institucionale. Dhënia e kontributit të specializuar për heqjen e vizave, angazhimi për forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe transparencë në emërimin e kandidatëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, insistimi për hetimin parlamentar, bashkëpunimi politik për integrimin europian etj., janë vetëm disa prej drejtimeve ku do të orientohet PS gjatë muajve në vijim. Ajo që bie menjëherë në sy është fakti se dalja në rrugë është një prej tipareve të qëndrimit opozitar dhe jo i vetmi, pavarësisht se protesta ka marrë një theks të ri. Kështu sipas asaj që deklaroi dje sekretari organizativ, Blendi Klosi, ndryshimet e bëra në tekstin fillestar të rezolutës pasqyrojnë propozimet e disa delegatëve që konsistojnë në përforcimin e idesë së protestave. “Me kërkesën e disa delegatëve u kërkua ritheksimi në këtë rezolutë, i kërkesave të vazhdueshme të PS për transparencë dhe po ashtu thirrjet që ky Kongres i bën gjithë mbështetësve që të jemi të gjithë bashkë më 30 prill dhe më pastaj, kërkesa për protesta të vazhdueshme në shkallë vendi, por dhe nga grupi parlamentar i PS, forcimi i debatit politik, në kërkesë të vazhdueshme për transparencë dhe kërkesë të zgjidhjes së krizës ekonomike të vendit”, tha Klosi. Ndërkaq Kongresi ka miratuar edhe ndryshimet statutore rreth të cilave debati ka qenë më shumë teknik. Ashtu sikurse është bërë e ditur, PS do të ketë strukturën e vet në bazë të ndarjes administrative të vendit, duke rikthyer edhe Asambletë e Rrethit dhe degën e Rrethit. Kryetarët e këtyre të fundit nuk do të votohen me parimin “një anëtar, një votë”, edhe pse kandidaturat e propozuara nga baza gjithsesi do të miratohen nga Kryesia e Asamblesë Kombëtare. Po kështu ndryshimet sanksionojnë edhe përfaqësimin e grave që zbret nga kuota 50% në 30%, duke e përputhur shifrën me atë që sugjeron edhe Kodi Zgjedhor. Ndryshimet në Statut kanë më shumë rëndësi, sepse i hapin rrugë fushatës zgjedhore në PS, që do të sjellë në krye të degëve të rretheve krerët e rinj; një proces që parashikohet delikat për shkak të specifikave të brendshme.
#