E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet përplasja në shesh, PS proteston, qeveria feston

PS: Do ta gdhijmë më 1 maj, si një betejë qytetare. Qeveria, ende nuk ka përcaktuar sheshin e aktivitetit

Protesta e Partisë Socialiste më 30 prill dhe festa e mazhorancës më 1 maj, pritet të shkaktojnë konfuzion mes palëve, për shkak të kohëzgjatjes së këtyre aktiviteteve dhe vendit ku ato do të mbahen. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje në Kongresin e Socialistëve se opozita do të nisë më 30 prill një protestë maratonë. Sipas Ramës, opozita do të vijojë protestën e saj edhe më datën 1 maj, ditë në të cilën mazhoranca ka lajmëruar festime në kryeqytet. “Që më 30 prill do t’i japin jetë manifestimit të madh të protestës në bulevardin e Tiranës për çlirimin e zgjedhjeve dhe 1 majin do ta gdhijnë si një ditë beteje qytetare për ndalimin e rrënimit ekonomik”, njoftoi kryetari socialist delegatët e kësaj partie dje në Kongres. Nga ana tjetër, mazhoranca e përfaqësuar nga Partia Demokratike nuk ka ndërmend të heqë dorë nga organizimi i një feste masive në Tiranë më datë 1 maj.

Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar këtë festë si të rëndësishme për të kremtuar punën e qeverisë dhe të vetë qytetarëve për transformimin e Shqipërisë në një shtet europian dhe ecjen me shpejtësi në rrugën drejt integrimit. Dy ditë më parë, Berisha insistoi se duhej të organizohej një festë e tillë nga selia blu, pasi opozitarët e majtë, siç sipas tij ndodh kudo, nuk po premtonin organizimin e një feste për punëtorët. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se këtë organizim, i cili pritet të jetë i përmasave të mëdha, po e organizojnë dy grupe pune të ngritura përkatësisht në Ministritë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë së Punëve dhe çështjeve Sociale. Mësohet se Ministria e Punës po merr pjesë në organizim nisur nga fakti se 1 Maji kremtohet si Festa e Punëtorëve. Këto dy grupe po drejtohen nga ministri i Kulturës, Ferdinant Xhaferri dhe pritet që këtë javë të vendosin detaje mbi mënyrën e organizimit të kësaj feste dhe vendin ku do të mbahet ajo. Bllokimi i sheshit “Skënderbej” për arsye të restaurimit të tij nga Bashkia e Tiranës, pritet t’i krijojë problem demokratëve mbi vendin se ku do të mblidhen simpatizanët e saj. Në të gjitha organizimet e saj në vitet e fundit, PD ka zgjedhur sheshin “Skënderbej”, por bllokimi i tij duket se do t’i lërë demokratëve alternativën e vetme për ta zhvilluar festën e tyre në sheshin “Nënë Tereza”.

Kjo vlen edhe për Partinë Socialiste, por me ndryshimin e vetëm se përfaqësuesit e kësaj partie, në mënyrë të herëpashershme, i kanë kryer tubimet e tyre në këtë shesh. Kësaj radhe, PS do ta organizojë protestën e saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë. Vijimi i protestës së socialistëve edhe më datën 1 maj, duket se do ta vështirësojë situatën dhe do të bëjë që në sheshet e Tiranës, të cilët janë të lidhur nga ky bulevard, të ketë kaos dhe paqartësi. Fillimisht ishte PS-ja e cila vendosi që protestën e saj të parë në Tiranë për këtë vit për hapjen e kutive, ta mbante më 30 prill. Pas këtij lajmërimi, Partia Demokratike njoftoi se më 1 maj ajo do të festonte në Tiranë me simpatizantët e saj dhe gjithë qytetarët për progresin e vendit, si rezultat i punës së kryer nga qeverisja e djathtë. Kjo nuk është hera e parë në të cilën dy forcat kryesore politike zhvillojnë aktivitete masive në kundërpërgjigje të njëra-tjetrës. Të tilla ishin organizimet e zhvilluara në fund të vitit të kaluar kur Partia Socialiste, më datën 20 nëntor, zhvilloi një protestë maratonë (treditore) në kryeqytet dhe Partia Demokratike më 8 dhjetor organizoi një tubim madhështor në përkujtim të fillimit të protestave të rinisë për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Në një situatë të tillë politike të acaruar nuk dihet se si mund të menaxhohen mbështetësit e dy grupimeve politike më 1 maj, teksa mund të përballen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Faturën e çdo përplasjeje të mundshme mes qytetarëve të majtë e të djathtë do ta mbajë padyshim papjekuria e klasës politike, që ka sjellë në këtë realitet ku ndodhet vendi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›