E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi vendos me votë për përfshirjen e deputetëve

14/12/2009  Përbërja e AK-së jo pjesë e pyetësorit për ndryshimet në statut

Ndryshimet në statut pritet të prekin përbërjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Konkretisht është përfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë e deputetëve-anëtarë partie në një forum të tillë çështja do të rishikohet nga kupola rozë. Burime pranë kësaj selie bënë me dije se lidershipi socialist po diskuton lidhur me këtë pikë të statutit të PS-së, duke pretenduar që në ndryshimet e pritshme të kushtetutës së partisë të përfshihet dhe përbërja e AK-së, duke kërkuar që përfshirja e deputetëve në forum të mos jetë më automatikisht, por ti nënshtrohet votimit. Neni 24 i statutit aktual në pikën 2 të tij saktëson qartë se “kryetari i PSSH-së, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët-anëtarë partie si dhe kryetari i FRESSH-it, kryetarja e FGSSH-së janë drejtpërdrejt anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PSSH-së”. Por pritet që në propozimin e saj kupola rozë të ndryshojë përfshirjen në mënyrë të drejtpërdrejtë të deputetëve, dhe kjo të bëhet përmes votimit në kongresin e PS-së, i cili ka atributin e zgjedhjes së anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Por një çështje e tillë nuk është shtruar për diskutim në pyetësorin e përgatitur nga PS-ja për anëtarësinë e saj, duke ia lënë në dorë grupit të punës për ndryshimet në statut të vendosë mbi këtë çështje. Megjithatë, të zgjedhurit socialistë në grupin e punës për ndryshimet në statut kanë projektuar turin në bazën e partisë. Por më parë është bërë shpërndarja e pyetësorit e më pas do të shkohet në të gjitha degët e partisë apo organizatat për të bërë një analizë të hollësishme se çfarë nuk ka funksionuar mirë nga zbatimi i statutit aktual, tek i cili bazohet organizimi i Partisë Socialiste. Kjo do të jetë një periudhë jo e shkurtër, ku jo vetëm deputetët e këtij grupi, por edhe anëtarë të Asamblesë Socialiste do të vjelin mendimet e anëtarësisë për përmirësimet në statut. Pas kësaj do të fillojë procesi i hartimit të projektstatutit të përmirësuar. Ndërkohë i mbetet kongresit të kësaj partie, që është vendosur të mblidhet në muajin prill të vitit të ardhshëm, për të vendosur në mënyrë përfundimtare mbi ndërhyrjet në librin e rregullave të socialistëve.

Qëllimi i pyetësorit

Partia Socialiste i është drejtuar anëtarësisë së saj për përthithjen e ideve mbi funksionimin e statutit të kësaj partie. Për këtë arsye kupola rozë ka hartuar një pyetësor për përmirësime e ndryshime në statutin e PS-së. Ky është një dokument orientues, ku do të mbështetet procesi i konsultimit për tërheqjen e mendimeve nga strukturat e partisë. Por në këtë dokument gjatë pyetjeve që janë shtruar për testim për strukturat e partisë vihen re disa ndryshime të pritshme mbi mënyrën e organizimit të PS-së në nivel vendor. Gjithashtu në këto pyetje shihet prirja që shumë nga strukturat e Partisë Socialiste të ndryshojnë mënyrën e të drejtuarit. Në këtë dokument anëtarët do të japin mendimin e tyre edhe lidhur me institucionalizimin e mendimit ndryshe, pra oponenca kolektive e organizuar brenda Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në kongresin e saj.

Afati

Grupet e punës të ngritura për ndryshimet në statut dhe programin politik të Partisë Socialiste brenda muajit janar të vitit që vjen duhet të kenë përfunduar zbatimin e programit të punës në funksion të detyrës për të cilën ato janë ngritur dhe funksionojnë. Në këtë mënyrë, ndryshimet në statut dhe përmirësimi i programit politik i kësaj partie janë ndër çështjet kryesore në të cilat duhej të ishin përqendruar në vijim grupet e punës. E fokusuar në një linjë të tillë, selia rozë nga qendra në bazë do të vijojë të përfshihet deri në mesin e muajit të ardhshëm në diskutimet, debatet dhe përthithjen e ideve mbi këto dy çështje. Sipas burimeve pranë këtij kampi, ajo që vlen të theksohet është fakti se përfaqësuesit e dy grupeve të punës kanë nisur kontaktet me Internacionalen Socialiste, me qëllim që si bazë e gjithë punës që do të zhvillohet gjatë muajve në vijim të jetë pikërisht kjo eksperiencë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›