Kriza ekonomike, PS: 48 mijë invalidë pa pagesë
TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Deputeti, Ilir Beqja ka deklaruar se vendi është mbërthyer nga një situatë e vështirë ekonomike. "Sipërmarrja është në ngërç ndërsa punësimi është ulur.
Punëdhënësit janë në vështirësi edhe nga mos kryerja e pagesave nga qeveria nuk po japin rregullisht pagat. Si të mos mjaftonin vështirësitë që qeveria i ka krijuar sipërmarrësve e për rrjedhojë të punësuarve në këto sipërmarrje, prej muajsh qeveria nuk po paguan shtesat për invalidët e punës"- tha ai.
Beqja kujtoi sot se janë 48 mijë invalid pune të cilëve nuk u janë paguar shtesat e invaliditetit. Sipas tij, përveç bllokimit të pagesës së shtesave, qeveria në mënyrë të paligjshme nuk realizon detyrimin e indeksimit të shtesave duke ia lënë të gjithë barrën e krizës në të cilën ndodhet vendi që invalidët ta përballojnë vetë.
"Po në mënyrë të paligjshme qeveria nuk ka zbatuar për disa vite rresht detyrimin që pagesa e aftësisë së kufizuar të jetë jo më e vogël se pensioni minimal në qytet. Janë 57 mijë persona me aftësi të kufizuar që marrin vetëm 9 mijë lekë në muaj"- tha më tej ai.
Sipas tij, invalidët kanë javë që protestojnë në të gjithë Shqipërinë, por qeveria e Sali Berishës është e shurdhët.