E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I vetmi kryeqytet i Evropës pa pemën e Vitit të Ri”

14/12/2009  Kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, për zbukurimet e Tiranës

Sipas tij, situata do të ndryshojë me ndërhyrjen e Forumit

Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të nisë të zbukurojë kryeqytetin me rastin e festave të fundvitit. Kryetari i FRPD-së, deputeti Gerti Bogdani, ka deklaruar se, duke marrë në konsideratë papërgjegjshmërinë dhe indiferencën totale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, njëherësh numri një i Partisë Socialiste, do të ndërmerren masa konkrete. “Sot Tirana është i vetmi qytet dhe kryeqytet i Evropës që nuk është zbukuruar dhe nuk ka pemën e Vitit të Ri. Është i vetmi kryeqytet ku qytetarët duhet të vuajnë pasojat e skizofrenisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edvin Kristaq Rama dhe të grupit të bllokmenëve të rinj, të cilët, në vend që të zbukurojnë qytetin, zgjedhin ta ndotin atë me qeset me plehra”, - ka deklaruar dje drejtuesi i të rinjve demokratë. Bogdani doli në konferencën e djeshme pasi në kryeqytetin shqiptar vetëm ditët e fundit janë shumë pak zbukurime me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, madje të përdoruara vitet e mëparshme. Ai thotë se nga njëra anë kjo situatë edhe mund të kuptohet, duke parë në thelb personin e Edi Ramës. “Është e kuptueshme, pasi, siç tregojnë dokumentet e procesit gjyqësor të botuar nga Ymer Baze, zoti Rama, i cili publikisht ka pozuar pa të mbathura, për vite me radhë nuk ka njohur fëmijën e tij. Nga një person i tillë nuk mund të presësh të krijojë atmosferë festash për fëmijët dhe qytetarët e Tiranës”, - tha Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›