E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Protestat e opozitës një kurs absurd politik”

14/12/2009  Lëvizja Socialiste për Integrim

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ashpër ndaj rinisjes së protestave nga ana e opozitës. Nënkryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto ka thënë se ndihej i keqardhur për vazhdimin nga ana e lidershipit të PS-së të kursit të saj absurd politik të opozitës destruktive, që vetëm politikë e re nuk mund të jetë. Në qëndrimin e tij Haxhinasto vlerësoi se axhenda e re e bojkotit dhe e protestave nuk është shprehje e vullnetit të shqiptarëve dhe e detyrimeve e përgjegjësive opozitare të PS-së për të kontribuar në këtë moment historik të procesit të integrimit. “Nuk është as në funksion të reformës zgjedhore, zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe as të forcimit të institucioneve në Shqipëri, siç po pikturohet rëndom fasada e këtyre protestave. Nëse vërtet lidershipi i PS-së i ka këto objektiva, të zërë vendin e saj në Parlament dhe të drejtojë reformën zgjedhore”, - tha ai. I pyetur mbi qëndrimin e LSI-së për vazhdimin e moratoriumit të skafeve, gjë për të cilin më parë kishte votuar kundër, Haxhinasto tha se partia e tij jep konsensus. “Vendimi i qeverisë për të shtyrë edhe tre vjet moratoriumin e skafeve ka si qëllim të godisë skafistët dhe jo turistët”, - tha nënkryetari i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›