E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni Anderholt takohet me Berishen: Sukseset tuaja na binden qe tu pranojme ne NATO

Kongresmeni amerikan Robert Aderholt, theksoi se hënën në mbrëmje, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, se lidershipi dhe reformat e suksesshme të Kryeministrit Berisha bindën SHBA-të dhe aleatët të pranonin Shqipërinë në NATO. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur sot se Kryeministri Berisha falenderoi Kongresmenin Amerikan Robert Aderholt, i cili ndodhet për një vizitë disaditore në vendin tonë, për mbështetjen e tij personale dhe të Kongresit Amerikan, por edhe të të gjitha institucioneve të SHBA-ve dhe popullit amerikan ndaj Shqipërisë, gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit dhe ndërtimit të demokracisë e shtetit ligjor, në veçanti për përkrahjen e fuqishme dhe mbështetjen e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilin Kryeministri Berisha e cilësoi si një ngjarje madhore historike për mbarë kombin shqiptar. Kongresmeni Aderholt i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për realizimin e projektit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Falë lidershipit tuaj dhe falë reformave të suksesshme të ndërmarra nga ju dhe qeveria që ju drejtoni, ju arritët të bindi SHBA-të dhe aleatët të pranonin Shqipërinë në gjirin e Aleancës më të suksesshme politiko-ushtarake. Jo çdo vend anëtarësohet në NATO. Bërja anëtare e plotë e Shqipërisë dëshmon qartë angazhimin dhe përkushtimin tuaj në kauzën dhe vlerat e Aleancës dhe është një arritje e madhe për ju, për qeverinë tuaj dhe për Shqipërinë e qytetarët e saj”, u shpreh Kongresmeni Aderholt. Kongresmeni Aderholt vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit në Shqipëri, reformat në të gjitha fushat dhe në veçanti, arritjet e pakrahasueshme të qeverisë shqiptare për sa i përket ndërtimit të infrastrukturave dhe veprave madhështore e moderne në vend. Ai u shpreh jashtëzakonisht i impresionuar nga rruga Durrës- Kukës-Morinë. “Jam i mrekulluar nga pamja madhështore e kësaj vepre gjigande. Është vështirë të besosh që Shqipëria arriti në një kohë kaq të shkurtër të realizojë një projekt të tillë, një arritje a papërshkrueshme”, u shpreh Aderholt. Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që kjo rrugë do të luajë si për forcimin e marrëdhënieve të ngushta midis Shqipërisë e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, por edhe për forcimin e shkëmbimeve dhe zhvillimin e konsolidimin e lidhjeve e miqësisë të mbare rajonit, Kongresmeni Aderholt e krahasoi Kryeministrin Berisha me Presidentin Amerikan Eisenhower, i cili ka mbetur në memorien e popullit amerikan si ati i sistemit kombëtar të rrugëve që lidhin shtetet federale në një rrjet kombëtar infrastrukturor në SHBA.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›