E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Rritja e pjesemarrjes se gruas ne parlament eshte shume e rendesishme

Withers: Grate pertnere te barabarta


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi rolin e gruas në jetën politike, duke bërë njëkohësisht apel që rritja e pjesëmarrjes së grave në Kuvendin e ardhshëm të krijojë një zbutje dhe ekuilibrim të toneve në parlament. Gjatë aktivitetit me temë "Liderët në Politikë", i cili u organizua sot nga Instituti Demokratik Amerikan (IDN), në ambientet e Hotel Tirana International, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për një konkurrim sa më të lehtë të grave në politikë. "Nuk kam qenë i lumtur që është vendosur një shifër 30 për qind për përfaqësimin e grave në Kuvendin e Shqipërisë, pasi nuk është mirë të vendosim standarde mekanike, por duhet të krijojmë kushte dhe hapësira që konkurrimi të jetë i lehtë", tha Kreu i Shtetit. Në këtë drejtim, Presidenti Topi vlerësoi ligjin propocional për zgjedhjet e reja parlamentare, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, i cili favorizon një pjesëmarrje më të lartë të femrës në politikë. Duke shprehur dëshirën për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në çdo institucion të vendit, Presidenti theksoi se "pjesëmarrja e gruas në shoqëri dhe në institucione duhet të jetë një proces natyral dhe jetik për shoqërinë tonë. Pjesëmarrja e grave në të gjitha institucionet e vendit jo vetëm duhet të jetë e pranishme, por duhet të synojë nivele të barabarta me pjesëmarrjen e burrave", tha Presidenti Topi. Në këtë drejtim, Presidenti solli në vëmendje se "në të gjitha emërimet që ka bërë kanë predominuar më shumë gratë dhe kjo sepse roli i gruas është jetik për shoqërinë. Kam emëruar Kryeprokuroren Ina Rama në një institucion që konsiderohej tabu për sa i përket drejtimit nga gratë, ashtu sikurse kemi edhe emërime të tjera në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë", tha Presidenti. Sipas tij, "gratë demonstrojnë vitalitet, por më shumë demonstrojnë ndershmëri, luajalitet dhe i japin një garanci forcimit të institucioneve të demokracisë në Shqipëri. Nuk jam këtu për të moralizuar, por uroj që zonjat të mos humbin natyralitetin e tyre. Është e vërtetë se politika bëhet në një mjedis të ashpër, shpeshherë ka rivalitet që nuk bëhet në kushte korrekte dhe ndonjëherë ka edhe bërryla, por unë uroj që gratë të jenë të forta dhe të shpalosin vitalitetin e tyre, jo thjesht biologjik, por edhe shoqëror", tha Kreu i Shtetit. Në këtë drejtim, Presidenti theksoi se "është e nevojshme të krijohet një zbutje dhe ekuilibrim i toneve në parlament, pasi ky institucion nuk është vetëm vendi ku zhvillohet debati politik dhe miratohen ligje, por është edhe vendi ku shoqëria shqiptare ka një pikë referimi". Duke i'u referuar ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë, ku u dhunua publikisht një person me aftësi të kufizuar, Kreu i Shtetit e konsideroi të papranueshme "faktin që asnjë nga zonjat përfaqësuese të institucioneve nuk u prononcua për këtë ngjarje të shëmtuar". Sipas Presidentit, "reagimi nuk duhet të jetë për çështje të karakterit sekondar, por duhet të jetë për ngjarje të tilla që janë të shëmtuara për imazhin e shoqërisë shqiptare. Ju bëj thirrje ta ndihmoni njëra-tjetrën. Edhe kur rreshtoheni në kampe të ndryshme duhet që dialogu dhe debati juaj të jetë shumë elegant dhe të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër që bëhet mes politikanëve burra", i'u drejtua Presidenti i Republikës pjesëmarrëseve në këtë aktivitet. Instituti Demokratik Amerikan përmbylli sot programin "Zhvillimi i liderëve të rinj në politikë- Rritja e pjesëmarrjes së gruas", duke shpërndarë çertifikata për rreth 39 femra pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të cilat vijnë nga fusha e politikës, shoqërisë civile dhe medias. Aktualisht rreth 20 prej zonjave që kanë ndjekur programin e Institutit Demokratik Amerikan janë përfshirë në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Politika shqiptare karakterizohet nga një nivel i ulët i pjesëmarrjes së gruas në politikë, një situatë që rezulton me një mungesë përfaqësimi të gruas në institucione të ndryshme. Konkretisht vetëm 10 nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë gra. Në këtë drejtim, Instituti Demokratik Amerikan po punon me gra aktive politikane, anëtare të partive të ndryshme për të rritur nivelin e pjesëmarrjes së gruas në politikë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›