E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në samitin e NATO-s: “Sfida jonë, zgjedhjet e qershorit”

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe homologu i saj kroat, Luka Bebiç, ishin të ftuar në Samitin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, që u mbajt në Oslo të Norvegjisë. “Jam krenare që shoh flamurin e vendit tim për herë të parë përkrah flamujve të vendeve të Aleancës së lirisë, u shpreh kryeparlamentarja Topalli gjatë fjalës së saj. Duke u ndalur tek zgjedhjet, ajo ka ftuar pjesëmarrësit të vijnë në Shqipëri dhe të monitorojnë këtë proces. “Sfida kryesore që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 Qershorit”, - ka shtuar ajo. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se në fjalën e mbajtur para këtij Samiti, kryetarja Topalli falënderoi parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, që brenda një kohe rekord prej nëntë muajsh, bënë të mundur ratifikimin e Protokollit të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë aleance. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen, se ëndrra e shqiptarëve për t u bërë pjesë e Aleancës së lirisë, nuk do ishte bërë e mundur pa angazhimin për t i shkuar deri në fund reformave të suksesshme, të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha. "Ju ftoj të vini në Shqipëri dhe të shikoni ndryshimin e jashtëzakonshëm të saj, të konstatoni me sytë tuaj sesi është modernizuar infrastruktura, sesi ekonomia ka bërë progres të pakthyeshëm",- tha Topalli.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›