E Diel, 1 Nëntor 2026

Pese parti do te monitorohen per shpenzimet elektorale


FML dhe IDRA, me mbështetjen e SOROS-it dhe NED-it, do të kryejnë monitorimin e shpenzimeve që do të kryejnë 5 parti politike në fushatën zgjedhore të këtij viti


Organizatat Forumi i Mendimit të Lirë (FML) dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) kanë ndërmarrë nismën për të monitoruar shpenzimet e pesë prej partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo u bë e ditur në një deklaratë të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (SOROS) në Tiranë. Pesë partitë që do të monitorohen janë Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe G99. Sipas deklaratës, vendimi për monitorimin e këtyre partive vjen nga rezultatet e kombinuara të disa sondazheve të zhvilluar kohët e fundit në Shqipëri, me porosi të mediave vendase, ku këto parti rezultojnë të parat prej këtyre sondazheve. Nisma do të realizohet me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy - Ndihma Kombëtare për Demokraci) dhe Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (SOROS). Arsyeja për ndërmarrjen e kësaj nisme, sipas deklaratës, është angazhimi për një proces zgjedhor të ndershëm e transparent, mes të cilëve edhe transparenca në financimin dhe përdorimin e fondeve publike dhe jopublike që këto parti do të përdorin gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë këtij studimi, FML-ja dhe IDRA do të përdorin metoda të ndryshme monitorimi, përfshi dhe ato investigative, për të dokumentuar shpenzimet elektorale të partive politike. Këto të dhëna në fund do të bashkohen dhe do të krahasohen me fondet që partitë deklarojnë se kanë përfituar nga buxheti i shtetit dhe donatorët privatë.


Objektivi i këtij studimi nuk është vetëm të identifikojë shumat reale që këto parti politike shpenzojnë, por edhe të krijojë një presion publik mbi politikën dhe strukturat shtetërore që të ketë një rregullim dhe monitorim më të saktë të financimit të partive politike. Kodi Zgjedhor ka siguruar dhe siguron një kornizë rregullatore ligjore për financimin publik dhe jopublik të formacioneve politike dhe një kornizë institucionale për një kontroll të këtyre financimeve. Megjithatë, në përfundim të zgjedhjeve të kaluara ka pasur raste kur mediat apo formacione të ndryshme politike kanë hedhur akuza për mungesë transparence në gjetjen e fondeve, sidomos jopublike, dhe përdorimin e tyre në fushatat zgjedhore prej partive politike.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›