E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ, drejt koalicionit të majtë

Vendimi do të merret të martën nga kryesia. Dule ka shfaqur hapur preferencën për koalicionin e majtë


"Integrimi në NATO u përdor si slogan demagogjik, më shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve"


Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk ka përcaktuar ende se në cilin krah të politikës do të pozicionohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ka lënë të kuptohet qartë se ka preferencë pozitive për të qenë pjesë e koalicionit që sot ndodhen në opozitë. Ndryshe nga sa ishte premtuar më parë nga drejtuesit e kësaj force, kongresi i PBDNJ-së, i cili zhvilloi punimet më 8 dhe 9 maj, nuk ka vendosur për një gjë të tillë, por ka mandatuar kryesinë e partisë që të përcaktojë ajo në mbledhjen e së martës, për forcat politike me të cilat do të konkurrojë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.


Dule
Ka qenë kryetari i kësaj force, Vangjel Dule, ai që i ka kërkuar kongresit, si organi më i lartë vendimmarrës, që t'i japë mandatin e duhur kryesisë për të gjykuar në një mbledhje të veçantë, lidhur me ecurinë e bashkëpunimit katërvjeçar me forcat e djathta dhe për të vendosur më pas për koalicionin në të cilin do të bëjë pjesë PBDNJ-ja në këto zgjedhje. "Nëse do të duhet që të lëmë mënjanë krenarinë tonë të kandidimit më vete, do dëshironim pëlqimin tuaj që, me shumë vëmendje, ditën e martë, strukturat drejtuese të PBDNJ-së, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, me "Omonian", me "Unionin Vllah", me shoqatën "Rozafa", etj., do të nxjerrim një vendim përfundimtar", - tha Dule. Pavarësisht se vendimi zyrtar do të merret pikërisht nga ky forum i lartë ditën e martë, kreu i kësaj force, Vangjel Dule, duke përshëndetur kongresin, ka lënë të kuptohet qartë në fjalën e tij se nuk do të donte që të bënte më pjesë në një koalicion me PD-në, të cilin ai nuk nguroi ta kritikojë shpeshherë. Kryetari Dule, partia e të cilit bën pjesë në koalicionin qeverisës, ishte shumë kritik ndaj situatës në vend, duke theksuar se ka ende nevojë për reforma të thella në disa sektorë si, arsimi, çështjet sociale dhe ekonomike dhe trajtimi i minoriteteve. Madje, ai e ka konsideruar si demagogjike të gjithë mënyrën sesi është sjell mazhoranca aktuale lidhur me integrimin e Shqipërisë në NATO. "Integrimi në NATO dhe vetë arritja në aleancë u përdor si slogan demagogjik, më shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve", - u shpreh Dule. Një çështje tjetër, për të cilën Dule nuk kurseu aspak kritikat ndaj qeverisë, ishte edhe ajo e votës së emigrantëve. Për këtë ai akuzoi qeverinë, por jo vetëm atë, se nuk pranoi që në këto zgjedhje të votonin edhe emigrantët, nëpërmjet krijimit të një infrastrukture të duhur. "Qeveria në të cilën ne kontribuojmë, u angazhua se në zgjedhjet e kësaj radhe, emigrantëve do t'u garantohej e drejta e votës. Edhe në këtë sektor të politikës mbizotëron slogani dhe spekulimi", - u shpreh Dule.


Afati
Vendimi i Kongresit të PBDNJ-së për të përcaktuar koalicionin ku dhe do të bëjnë pjesë ditën e martë, duket se ka prishur planet e dy forcave të mëdha politike, të cilat kishin vendosur që të shpallnin koalicionin e tyre ditën e nesërme, për ta regjistruar atë sa më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, asnjëri prej dy koalicioneve të mëdha politikë, nuk do të mund të formatohet plotësisht, të paktën deri në datën 12, kur dhe pritet që PBDNJ-ja të shpallë vendimin e saj. Nisur nga një shtyrje e tillë, mbetet që këto dy koalicione të regjistrohen në KQZ vetëm në momentet e fundit të skadimit të afatit ligjor, i cili përcakton se koalicionet regjistrohen jo më vonë se 45 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Kështu, dita e martë pritet të jetë intensive për partitë politike, të cilat në bazë të udhëzimit të KQZ-së, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi para se të regjistrohen zyrtarisht si pjesëmarrëse në një koalicion zgjedhor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›