Zorba i Kazanzaqis, balet në TKOB
Vjen për herë të parë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit baleti me dy akte, “Zorba”, me muzikë të Mikis Theodorakis dhe libret të shkrimtarit të madh grek, Nikos Kazanzakis, nga romani i të cilit vjen edhe protagonisti diellor, Zorba. Ky balet i është besuar koreografisë së Arjan Sukniqit. Skenografia do të mbajë firmën e Platon Bardhit, ndërsa kostumet janë krijime të Taulant Pustinës. Mjeshtër kori për këtë balet premierë është Dritan Lumshi, ndërsa do të dirigjojë Edmond Doko. Një e ftuar e veçantë për këtë premierë në TKOB do të jetë këngëtarja Manjola Nallbani. Në rolet kryesore do të interpretojnë balerinët Altin Korruti e Blendi Latifaj, si të ftuar, si dhe Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika e Odeta Dishnica. Mbrëmja e parë në të cilën do të ngjitet në skenë baleti “Zorba” do të jetë data 25 qershor, për të vijuar deri më 30 të po këtij muaji. Ngjarjet e baletit “Zorba” zhvillohen në ishullin e Kretës. Kreta është zona me zakonet dhe traditat më të forta në Greqi. Personazhi kryesor i baletit, Zorba, është një fshatar i pashkolluar, por me një inteligjencë natyrore të lindur, i cili me mençurinë e tij karakterizon një nga heronjtë popullorë të Greqisë. Zorba e quan jetën dhuratë nga Perëndia dhe në sajë të mençurisë së tij kërkon që këtë jetë ta shfrytëzojë në të gjitha mënyrat, duke shpalosur një prakticizëm perfekt dhe duke gjetur zgjidhje në favor të tij për çdo situatë të jetës që i krijohet. Rastësisht ai takohet në ishullin e Kretës me Xhonin, i cili është një intelektual i shkolluar në Perëndim, ku e ka të pamundur që të përshtatet me ambientin që gjen në Kretë. Takimi i tyre i rastësishëm krijon një lidhje të gjatë, ku të dy personazhet shpalosin karakterin e tyre. Njëri është pragmatist, kurse Zorba mbetet një prakticist i thekur. Ndonëse ato krijojnë një lidhje biznesi së bashku, edhe pse dështojnë në biznes, Xhoni që ka investuar për këtë biznes nuk e quan humbje, por e quan fitore të madhe, sepse e njohu me Zorbën, i cili u përpoq ta përshtaste Xhonin me ambientin e egër të Kretës. Gradualisht ata eksplorojnë të gjithë vendin dhe përballen me situata të cilat zhvillojnë subjektin e shfaqjes. Xhoni rastësisht bie në dashuri me njërën nga vajzat e fshatit, me Marinën, por kjo dashuri nuk shihet me sy të mirë nga fshati, pasi në ligjet vendore nuk lejohet që vajzat e fshatit të lidhen me njerëz të huaj dhe aq më tepër që Marina pëlqehet edhe nga Maloniosi, i cili është i pari i fshatit. Ky i fundit përpiqet të bindë të tërë fshatin që kjo dashuri është e papranueshme për zakonet e vendit, duke u munduar gjithmonë që ta pengojë këtë dashuri të sapolindur. Ndërkohë, në tavernën e fshatit gjendet edhe një zonjë, Madamë Ortanca, e cila prej shumë vitesh ka hapur një tavernë. Këtu njihet Zorba me Madamë Ortancën. Megjithëse të dy në moshë të madhe, shkëndija e dashurisë që lind është e fortë. Madje ata vendosin të martohen. Zorba, pasi vjen nga një udhëtim i largët disaditor, sjell dhurata për të gjithë fshatin dhe në veçanti për Madamë Ortancën, së cilës i sjell dekorin e një dasme madhështore. Ndërkohë, me Marinën kanë filluar problemet e mëdha në fshat, pasi Malionisi ka ngritur të gjithë fshatin në këmbë duke kundërshtuar dashurinë e saj me Xhonin. Fshati merr vendimin që kjo duhet të vdesë. Dhe pikërisht gjendet momenti kur këta janë bashkë, dhe fshati në mënyrë të dhunshme i merr jetën Marinës. Një tragjedi nën diell ndodh në Kretën e bukur greke. Dëshpërimi i Xhonit është i pamat dhe Zorba mundohet ta qetësojë, duke i dhënë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë, nga kjo situatë që i ndodhi Xhonit, Zorbës i fanitet në ëndërrimet e tij sikur edhe dashurisë së tij vdekja kërkon t’ia marrë Ortancën. Ndërkohë që pikëllimi kalon te Zorba, Xhoni optimist tashmë i shprehet se jeta vazhdon dhe duhet shijuar.
#