Stolitë e grave shqiptare, ekspozita që shuan etjen etnografike
U bënë vite që flitet për ndërtimin e një pavijoni etnografik në Muzeun Historik Kombëtar, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Një projekt, për të cilin ka vite që flitet por mbeti ende në letër. Në një kohë kur ky pavijon mungon në mjediset e muzeut, sot u hap ekspozita Stolitë e grave shqiptare. Për vite më radhë koleksionisti Lulzim Perati
ka mbledhur në fondin e tij stoli të hershme, të cilat sot kanë një vlerë të rrallë kulturore. Pjesë e fondit të koleksionistit të njohur shijakas Lulzim Perati, që u ekspozuan sot në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojnë gjatë gjithë këtij sezoni veror në muze. Janë të shumta në numër dhe sipas koleksionistit mbulojnë një shtrirje gjeografike të madhe. Vetë koleksionisti pohon se specialistët e MHK kanë qenë më parë në shtëpinë e tij, ku Perati ruan stenda të tëra të këtyre stolive, dhe aty i kanë parë se çfarë rëndësie kanë ato. Për publikun janë prezantuar 24 stenda me inventarin e plotë të stolive të përdorura në krahina të tilla si në Gjirokastër, Berat, Skrapar, Rrajcë, Lezhë, Zadrimë, Malësi e Madhe. Vetëm dy ose tri prej këtyre stendave përmbajnë fragmente stolish, të cilat Perati nuk ka mundur ti plotësojë. Ekspozita është një koleksion shumë i pasur, që bën të mundur të sjellë para publikut një gamë kaq të gjerë të stolive të grave shqiptare. Lulzim Perati, tashmë pjesë e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, e ka nisur këtë aktivitet rreth viteve 88-89 thuajse për rastësi. Ai pohon se në atë kohë ai ka qenë një mësues i teknikës, ku u vu në kërkim të një kryqi të vjetër që ia kishin lënë porosi dhe prej atëherë ai mbetet i pasionuar pas stolive të vjetra shqiptare. Stolitë që sjell sot në këtë ekspozitë janë shumë të hershme. Ato i përkasin fillimit të shekullit XVIII deri në fund të shekullit XIX. Për të gjitha këto unë kam punuar që të ndërtoj stenda të plota me të gjitha stolitë e përdorura nga gratë e një krahine të caktuar dhe vetëm pak prej tyre janë fragmente. Gjatë këtyre viteve unë kam bërë edhe një punë organizuese, për të ndërtuar stenda të plota me stolitë tipike të një krahine. Gjen vargje të llojeve të ndryshme, vathë, byzylykë etj, me motive të ndryshme. Çdo gjë në këto stoli varet nga krahinat ku ato janë përdorur. Në këtë ekspozitë nuk mungojnë dhe stolitë e gruas çame dhe vllahe, cilëson ndër të tjera koleksionisti Perati. E ndërkohë që për vite me radhë specialistë të etnografisë kanë pohuar se janë duke punuar për ndërtimin e një pavijoni etnografik në muze, por duket që mungesa e fondeve nuk e ka bërë të mundur deri tani realizimin e tij. Sa i takon kulturës së vjetër shqiptare, në Shqipëri njihen dy grupime të mëdha etnografike, të konsoliduar që nga mesi i shek. XVIII, që janë: Gegëria në veri të lumit Shkumbin dhe Toskëria në jug të tij. Gegëria përbëhej nga Gegëria e mirëfilltë, Dukagjini apo Leknia, Malësia dhe Fushat Bregdetare të Veriut, kurse në Toskëri bënin pjesë: Toskëria e mirëfilltë, Myzeqeja, Labëria e Çamëria. Natyrisht, përbrenda këtyre krahinave etnografike ekzistonin edhe ndarje të tjera më të vogla. Traditën e punimit të argjendit e gjejmë në lulëzim të plotë në shekujt XVII-XVIII. Edhe sot, ruhen veçanërisht në koleksione muzeale, objekte argjendi me mbishkrime të datuara e me prejardhje nga qendra të ndryshme qytetare të vendit, si Shkodra, Elbasani, Berati, Voskopoja, etj. Ato janë shumë herë të një cilësisë të lartë artistike. Midis të gjitha objekteve prej argjendi të ekzekutuara me teknika të ndryshme (me të rrahur, me të derdhur, etj), finesë të veçantë paraqesin punimet me filigranë, qe ishin më fort një specialitet i mjeshtërve argjendarë të qyteteve të veriut se sa i atyre të jugut.
Nga Julia Vrapi