E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet mali, Berisha e Thaçi: Ky, tuneli që bashkon kombin

 

ADI SHKEMBI

Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur siç jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve. Kryeministri Berisha iu është përgjigjur kështu të gjithë kritikëve të rrugës Durrës-Kukës pikërisht në ditën e inaugurimit të një prej dy tuneleve, që shkurton ndjeshëm distancën për në Prishtinë. Në përfundim të shembjes së centimetrave të fundit të murit të tunelit, kreu i qeverisë homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi e kanë vlerësuar atë si kryeveprën që bashkon kombin dhe rrugën e shpresës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se pas ditës së djeshme nuk ka më pengesa jo vetëm mes dy vendeve, por edhe mes kombeve të tjera të rajonit, të cilët tani mund të lidhen shumë më shpejt me njeri tjetrin. “Ky tunel para së gjithash është tuneli i bashkimit të kombit. Tuneli ka qenë i vështirë dhe i kushtueshëm, por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale, se bashkimi që sjell midis njerëzve, se shërbimi që iu bën njerëzve dhe qytetarëve, si dhe dalja në det që i jep Kosovës, dalja në det që i jep jo vetëm Kosovës, por dhe fqinjëve të saj”, u shpreh Kryeministri Berisha. Por ky inaugurim ka marrë edhe nuanca politike, ku teksa fliste para qindra qytetarëve të ardhur nga Kukësi dhe disa qytete kosovare, kreu i qeverisë shqiptare premton se mandatin e dytë do të ndërtohet çdo rrugë për të shkurtuar distancat mes qyteteve. “Unë do ta mbyll fjalën time me një zotim, se pas këtij tuneli dhe këtij korridori qeveria ime nuk do të lerë mal pa shembur, nuk do të lerë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptareve tua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës”, u shpreh Berisha. Në fund të fjalës së tij kreu i ekzekutivit ka falënderuar punonjësit e kompanisë “Bechtel & Enka” për punimet e kryera, por edhe dy ministrat e Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha për të cilët tha se kanë punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për zbatimin e këtij projekti.
Thaçi
Nga ana tjetër, për të treguar rëndësinë e kësaj rruge, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka sjellë eksperiencën e tij personale ku për të udhëtuar drejt Tiranës i është dashur të kalojë male e kodra. “Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet, kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, në borë dhe në acar, e bëmë këtë rrugë, në këmbë, për lirinë e vendit. Që sot, Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohen dhe më tepër. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë”, u shpreh Thaçi. Para përfaqësuesve të mediave të së dyja vendeve kreu i qeverisë kosovare bëri të ditur se ekzekutivi i tij do të vazhdojë ndërtimin e rrugës nga Vermica deri në Prishtinë. “Bashkërisht kemi thyer perandori e pushtues, e do të thyejmë edhe male e bjeshkë që na dalin përpara. Kjo është autostrada e shpresës, e besimit, e punës dhe e zhvillimit të shqiptarëve. Kjo është historia jonë. Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, rruga e shekullit te ri. Kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”, përfundoi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

PS: Rruga, janë paguar 600 milionë euro ekstra
Socialistët deklarojnë se qeveria abuzoi me punimet e segmentit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj tha se “Sali Berisha inauguroi një segment të rrugës Rrëshen Kalimash. Nga një investim i rëndësishëm që duhet të kushtonte rreth 418 milionë euro, sot shpenzimet janë shumëfishuar dhe taksapaguesit shqiptar duhet të paguajnë një vlerë ekstra prej 600 milionë eurosh, vlerë e cila mbetet ende e pajustifikuar dhe e pashpjegueshme, ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar një abuzim prej 232 milionë euro. Me këto para ekstra, mund të ishin ndërtuar 1450 shkolla të reja si kjo, dhe 145 spitale moderne, për t’i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë”, tha Baraj. Ai theksoi se “Berisha dështoi dhe në vend që të përdorte paratë e taksapaguesve shqiptarë për të edukuar brezin e ri të fëmijëve tanë, ai u kujdes edhe një herë tjetër për të pasuruar familjen dhe miqtë e tij të afërm”. “Berisha dështoi duke i kthyer shpinën shqiptarëve dhe tani është momenti që shqiptarët t’i kthejnë shpinën Berishës dhe politikës së vjetër që ai përfaqëson. Ky është ndryshimi mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Berisha vendos interesin e fëmijëve të tij përpara interesit të shqiptarëve, ndërsa Rama kujdeset që Shqipëria të jetë e gjithë shqiptarëve”, theksoi kryesocialisti i Tiranës.

Mediat kosovare jehonë për rrugën
Dhjetëra gazetarë të mediave të shkruara dhe atyre televizive në Kosovë kanë ndjekur nga afër dje ceremoninë e inaugurimit të tunelit, pjesë e rrugës Rrëshen-Kalimash. Mediat e Prishtinës i kanë kushtuar një rëndësi të madhe në versionet e tyre online ndërtimit të kësaj rruge. Agjencia e lajmeve “Kosovalive” shkruan se “Fillon qarkullimi në njërin krah të autostradës Durrës-Kukës-Morinë”. Sipas saj, një krah i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e cila i ka kushtuar qeverisë shqiptare mbi 1 miliard euro, hapet të dielën me një ceremoni rasti ku marrin pjesë kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa “Radio Televizioni i Kosovës” shkruan se “Diç pas orës 12:00 kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi e Sali Berisha, janë përqafuar në mesin e tunelit, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë ka përshkruar rrugën, duke hyrë në tunel nga Thirra, ndërsa kryeministri i Kosovës ka përshkruar tunelin duke hyrë nga ana tjetër, Kukësi”. Ky lajm u pasqyrua gjerësisht edhe në versionin online të BBC-së dhe në Zërin e Amerikës.

Çahet mali, Tirana e Prishtina janë më afër

Jonuz Hallaci

Kryeministri Berisha dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi i dhënë dorën njeri-tjetrin në mes të tunelit pas shembjes së centimetrave të fundit të murit që ndante dy vendet. Ka qenë pikërisht ora 12:15 minuta e mesditës së djeshme kur është hapur edhe pjesa e mbetur e kësaj vepre dhe kreu i qeverisë shqiptare ka kaluar në gjysmën tjetër të tunelit ku e priste homologu i tij nga vendi fqinj.
“Përgjithmonë bashkë”
Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova ishin mbledhur dje në hyrje të tunelit të rrugës Durrës-Kukës nga Kalimashi për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të kësaj vepre. Shembja e murit të fundit që pengonte dritën në tunel paralajmëronte në mënyrë simbolike edhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Në hyrje të njërit prej dy tuneleve, pikërisht atij që sapo ka përfunduar së hapuri, ishte vendosur një pllakatë e madhe ku flamuri shqiptar dhe ai kosovar qëndronin në krah të njeri tjetrit dhe poshtë tyre ishte shkruar “Përgjithmonë”. Në pjesën hyrëse të tunelit qytetarë nga të gjitha trevat kishin zënë vendet e tyre që në orët e para të mëngjesit ku veç flamujve të dy vendeve binin në sy edhe flamurët e NATO-s, BE-së, por edhe të Partisë Demokratike.
Ceremonia
Ashtu siç edhe ishte parashikuar me parë delegacioni shqiptar dhe ai kosovar do të niseshin nga dy anët e tunelit për t’u takuar pikërisht në mesin e tij ku do të shembej edhe pengesa e fundit. Në orën 12.00 eskorta e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Berisha hyri në tunel nga drejtimi i Thirrës, ndërsa pala kosovare nga drejtimi i Kalimashit ku pas 28 qershorit do të jetë edhe dalja e mjeteve në drejtim të Kosovës. Pasi përshkuan më shumë se 2.5 km me makinë dy delegacionet u ndalën pikërisht në mesin e kësaj vepre ku ende disa centimetra të malit ishin pa shembur. Në mënyrë simbolike, kreu i qeverisë shqiptare, ndihmuar edhe nga specialistët e kompanisë “Bechtel & Enka”, mori drejtimin e një fadrome për të shpuar këtë pengesë, ndërkohë që nga ana tjetër kryeministri Thaçi ndiqte shembjen e malit. Pas rreth 2 vjet e katër muaj nga momenti kur Berisha shtypi butonin e shpërthimit për nisjen e punimeve në tunel, dje në orën 12.15 në mesditë, gjithçka u krye. I pari, Kryeministri së bashku me bashkëshorten dhe më pas i gjithë stafi i tij i ngushtë kaluan nëpër rrugën e hapur për të takuar përfaqësuesit e palës kosovare, të cilët shoqëruan me duartrokitje përfundimin e punës në tunel. Pas ceremonisë së inaugurimit, dy kryeministrat morën drejt-imin e Kalimashit ku nën ritmet elektorale të PD-së, “We can win the race” (Ne mund ta fitojmë garën) përshëndetën qytetarët e pranishëm. Në fund kujtimi për dy qeveritë është një copë shkëmbi e vendosur në një pllakë qelqi në të cilën shkruhet “Përgjithmonë Tiranë-Prishtinë”. 
Rruga
Pas përfundimit të punimeve të rrugës Durrës-Kukës-Morinë distanca mes Tiranës me Prishtinës do të shkurtohet me 65 kilometra. Nga 330 kilometra që ishte distanca Tirana-Prishtinë, tashmë ajo do të jetë 265 kilometra dhe më se shumti atë e shkurton tuneli Thirrë-Kalimash, një vepër gjigante e ngritur mes shkëmbinjve, që tashmë është shndërruar në një aks modern, 5.6 kilometra. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 33 milionë metër kub material shkëmbor janë zhvendosur për të ndërtuar tunelin Thirrë-Kalimash. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 km e gjatë, do të lidhë bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Kjo do të jetë lidhja më e shkurtër midis portit të Adriatikut në Durrës pranë Tiranës dhe Morinës në kufi me Kosovën.

Projekti i Rrëshen-Kalimash

Gjatësia    60.85 km (5.65 km tunel)
Tipi                          4 korsi (2 në secilin drejtim)
Shpejtësia    100 km\orë
Përfundimi    Qershor 2009
Urat        35 në total
        4.5 km të rrugës do të jetë në urë
        100 m gjerësi
Rruga        2 korsi për secilin drejtim, plus karrexhata
        3.75 m gjerësi korsie
        2 m gjerësi korsie emergjence

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›