E Diel, 1 Nëntor 2026

Tornado në SHBA, dhjetë të vdekur, mes tyre edhe tre fëmijë



Tornado që ka goditur pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, përveç shkatërrimit kolosal ka marrë edhe dhjetë jetë njerëzish, mes të cilëve tre fëmijë. Viktimat janë regjistruar në shtetin e Misisipit, sipas një televizioni lokal, ku është zona më e goditur nga tornado dhe stuhitë e forta gjatë ditës së djeshme. Më i goditur është rajoni Koktau, një zonë rurale, ku dëmet janë të pallogaritshme, me shumë të plagosur dhe shkëputje energjie. Policia i ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për të mos penguar skuadrat e ndihmës. Mes pasojave të tornados që goditi 13 rajone me qendër të Misisipit ka edhe persona të zënë në grackë në banesat e tyre, aktivitete tregtare të dëmtuara dhe autostrada të bllokuara. Ky është vlerësuar si një nga tornadot e parë të mëdha që ka goditur Shtetet e Bashkuara këtë stinë. Guvernatori Haley Barbour ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme. Vrulli i tornados po shkon tashmë drejt Tenesit, Alabamës e Kentakit. Ushtarë të Gardës Kombëtare bllokuan rrugët, dhe janë përdorur vetëm mjetet të përshtatshme për raste emergjente. Erërat e forta nisën që të shtunën pasdite në zonën jugore të Shteteve të Bashkuara duke ngritur çatitë e duke shkatërruar ndërtesa, si një nga goditjet më të fuqishme për këtë vit. Meteorologët thanë se është shumë shpejt për të përcaktuar nëse është vetëm një tornado i gjatë, apo është i shkurtër dhe do të pasohet nga të tjerë. Ndërsa të dielën tornado drejtohej nga Alabama dhe Xhorxhia, shkreptima të fuqishme kanë goditur pjesën veriore të këtyre vendeve, dhe erërat shkulën pemë dhe dëmtuan me dhjetëra ndërtesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›