Trafik me autobusin e Athinës
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Linjat e autobusëve të udhëtarëve për në Greqi shndërrohen sërish në burime të trafiqeve të klandestinëve. Drejtuesi i linjës së autobusëve Tiranë-Athinë, Taulant Gjikopulli 39 vjeç, është arrestuar mëngjesin e djeshëm nga specialistët e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Autobusi i përket shoqërisë së transportit të udhëtarëve “Klid Ballkan” me targa TR 2932 T dhe ishte nisur mbrëmjen e së shtunës nga kryeqyteti në drejtim të Kakavijës. Policia e Gjirokastrës, ishte vënë në dijeni për ekzistencën e gjashtë personave që gjendeshin në autobus, të cilët do të kaloheshin ilegalisht, qysh në momentin e hipjes së tyre në një vend afër Zogut të Zi në kryeqytet. Kjo u konfirmua edhe nga vetë klandestinët, të cilët gjatë intervistimeve të mëvonshme, patën pohuar se kishin hipur në këtë vend duke shmangur hipjen në agjencinë e udhëtarëve të shoqërisë së udhëtarëve, Klid Ballkan. Autobusi me 35 udhëtarë, pas rrugëtimit gjashtë orë nga kryeqyteti, ka mbërritur në orët e para të mëngjesit në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar të Kakavijës. Taulant Gjikopulli drejtuesi i autobusit, është paraqitur në sportelet e përpunimit të dokumenteve me listën e pasagjerëve për të kryer veprimet rutinore dhe apelin e zakonshëm nominal të të gjithë pasagjerëve nga ana e kontrollorit të turnit. Pas kësaj procedure të kryer, specialistët e Hetimit të Krimit të Policisë Kufitare, konkluduan se në autobus përveç pasagjerëve, të cilët ishin të pajisur me dokumente të rregullta, u gjendën edhe gjashtë shtetas të tjerë emrat e të cilëve nuk figuronin te lista e pasagjerëve, si dhe njëkohësisht nuk dispononin biletë udhëtimi prej agjencisë së udhëtimit në Tiranë. Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga ana e policisë u mësua se këta shtetas dispononin leje qëndrimi për në Greqi të falsifikuara. Madje, jo vetëm kaq por uniformat blu, zbuluan se vula e daljes në pasaportat e tyre nga Shqipëria, ishte e falsifikuar. Gjashtë personat u përkisnin dy familjeve të ndryshme nga Lezha dhe Tirana, një grua me tre fëmijët dhe at e bijë nga Tirana. Policia nga ana e saj ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e autobusit, me akuzën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Sipas burimeve nga Policia e Gjirokastrës, Gjikopulli është për të dytën herë konsumues i të njëjtës vepër penale brenda pak viteve. Veç shoferit të autobusit, Policia e Gjirokastrës ka filluar procedimin penal edhe në ngarkim të tre prej personave që kërkonin të kalonin ilegalisht në Greqi me dokumente të falsifikuara, të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë nga ana e organit të akuzës. Mbi ta rëndon vepra penale e falsifikimit të dokumenteve.
Arrestohet në Kakavijë i kërkuari
Kapet një i ri për dezertim nga Forcat e Armatosura. Shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, kanë ndaluar Shpëtim Hilajn, 26 vjeç nga Levani i Fierit, pasi ishte shpallur person në kërkim tre vjet më parë. Shkalla e parë e Gjykatës së Vlorës më 2 maj të 2007, e ka dënuar këtë shtetas me katër muaj burg për veprën penale të dezertimit nga radhët e Forcave të Armatosura. Identifikimi i 26-vjeçarit ka ndodhur sapo është deportuar nga Policia Greke në Kakavije gjatë mëngjesit të djeshëm.