Ministri grek: Jemi optimistë për marrjen e huasë nga FMN
“Bisedimet e Greqisë me FMN-në mbi huanë emergjente financiare po shkojnë mirë”, tha dje ministri grek i Financave, Jorgo Papakonstantinu. Ai shtoi se Greqia nuk do të përballet me probleme financimi mbi borxhet e saj, të cilat kanë rrezikuar stabilitetin e monedhës evropiane. Deklarata iu bë pas takimit me kreun e FGMN-së, Dominique Strauss-Kahn, i cili tha se ishte i impresionuar me vendosmërinë e Greqisë për të luftuar krizën. Greqia ka nevojë për një pjesë të parave brenda 19 majit, kur duhet të paguaje një borxh prej 11.3 miliardë dollarë. Papakonstantinu tha se ishte pamendueshme që Greqia të dalë nga Eurozona. Ndërkohë Gjermania dhe Franca kanë këmbëngulur dhe vazhdojnë të deklarojnë se çdo ndihmë financiare për të ndihmuar Greqinë që ajo të tejkalojë problemin e madh financiar duhet të varet nga ulja e shpenzimeve të autoriteteve greke. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shauble tha në gazetën “Bild” se nuk kishte garanci se Gjermania dhe BE-ja do ta aprovonin ndihmën për Greqinë. Ai tha se vendimi do të varej nga kursimet e vazhdueshme të Qeverisë greke. Edhe Ministrja franceze e Financave, Kristine Lagarde tha në të përditshmen franceze, “Journal du Dimanche”, se Greqia nuk kishte përmbushur zotimet e bëra në të kaluarën. Sipas saj, dhënia e ndihmës duhet të verifikohej në mënyrë strikte. Qeveria në Athinë tashmë ka një program shtrëngues kursimesh, por huadhënësit kërkojnë më shumë rreptësi. Të premten Greqia kërkoi aktivizimin e paketës së ndihmës me vlerë 45 miliardë euro nga BE dhe FMN. Sipas BBC, Përfshirja e FMN-së ka krijuar zemërim në popull dhe janë rritur zërat kundër pranimit të këtij borxhi të madh. Kreu i FMN-së u përpoq të sigurojë opinionin publik në Greqi mbi politikat e institucionit të tij. Dominique Strauss-Kahn tha se FMN-ja kishte si objektiv të ndihmonte vendet në vështirësi, por ai nuk detajoi politikat e mundshme për rastin konkret. Zyrtarë të FMN-së dhe Bankës Botërore u takuan për të diskutuar paketën financiare të shpëtimit për Greqinë. Ata deklaruan se janë përgatitur për të dhënë ndihmë monetare për Athinën, por në të njëjtën kohë duke i bërë thirrje Greqisë që të miratojë masa të ashpra kursimi. Greqia shpreson të marrë 40 miliardë dollarë nga vendet e tjera me një shtesë prej 13.4 miliardë dollarë nga FMN. Komisioneri i Financave në BE, Olli Rehn tha se kjo paketë kredie do të jetë gati në fillim të Majit.