Konkurrenca: Tregu vendas është akoma i deformuar
Fabiola Çela
Ekonomia vendase po përballet me një treg të deformuar. Kjo do të thotë që bizneset vendase bien dakord mes tyre për marrëveshje të fshehta, me qëllim për të rritur fitimet e tyre në kurriz të konsumatorëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse konsumatorët shpesh herë përballen me rritje çmimesh. Duke qenë se nuk ka konkurrencë të ndershme në treg, shumë rrallë ndodh që bizneset të ulin çmimet e mallrave të tyre. Vetë kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, ka deklaruar dje se ekonomia vendase po përballet me një treg të deformuar. Deklarata e saj u dha gjatë një seminari të organizuar dje nga autoriteti dhe OECD mbi marrëveshjet kufizuese të konkurrencës, i cili do të zgjasë deri më datë 17 qershor. Në këtë seminar do të diskutohen çështjet e karteleve si dhe rregullat e procedurat që përdorin Autoritetet e Konkurrencës, zbulimin dhe hetimin e këtyre marrëveshjeve. Gjatë këtij seminari, do të bëhen një sërë prezantimesh në lidhje me çështjet kryesore që lidhen me zbatimin e së drejtës së konkurrencës, në rastet e marrëveshjeve të ndaluara. Seminari do të përqendrohet në metodologjitë e përdorura për vlerësimin e shtrembërimeve të mundshme të konkurrencës nga marrëveshjet horizontale apo vertikale. Gjithashtu do të diskutohen rregullat procedurale që përdoren nga autoritetet e konkurrencës, duke u përqendruar te provat në të cilat mbështetet zbulimi i karteleve. Autoriteti i Konkurrencës është një institucion i pavarur, i përbërë nga Komisioni dhe Sekretariati. Komisioni i Konkurrencës zgjidhet drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Shqipërisë.