E Diel, 1 Nëntor 2026

Surroi, letër Sejdiut e Krasniqit: Ky, vit i shkeljes së Kushtetutës”



Kreu i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, duke shpjeguar arsyet e mospjesëmarrjes së tij në ceremoninë për përvjetorin e Kushtetutës së Kosovës. “Me gjithë vullnetin e mirë që të marr pjesë në këtë solemnitet, në veçanti duke pasur parasysh pjesëmarrjen e miqve të nderuar ndërkombëtarë, kam pengesa morale që më pamundësojnë ardhjen”,- ka thënë Surroi në letrën e tij.
Surroi ka theksuar se lista e pengesave është e gjatë por deklaron se vendimi i tij është i nxitur kryesisht nga dy shkaqe.
“Gjatë këtyre 12 muajve të ekzistencës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ju keni qenë shkelës i pari i saj, duke mos respektuar kërkesën eksplicite për mosushtrim të funksioneve të tjera publike, gjegjësisht të atyre në parti politike. Veprimi juaj i kundërt me kërkesën kushtetuese e ka dëmtuar prerogativën presidenciale të garantimit të funksionimit të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ka penguar zhvillimin demokratik të një pjese të jetës politike të vendit”,- ka shkruar publicisti kosovar. Një letër ish-lideri i ORA-si ka dërguar edhe Kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi. “Kushtetuta e Kosovës është shkelur që në ditën e parë të hyrjes së saj në fuqi, e Kuvendi i Kosovës, gjatë 12 muajve të fundit, ka qenë institucion i cili ka përcjellë, shumë herë pa bëzajtur, këto shkelje, që nga cenimi i unitetit të vendit, shkelja e funksionit të Presidentit të Republikës e deri te cenimi i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës nga ana e abuzimeve të pushtetit”, ka thënë Surroi në letrën drejtuar Sediut.

Sejdiu dekreton eprorët e FSK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekretuar emërimin e eprorëve të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Dekretimi është bërë duke u bazuar në kompetencat që i jep Kushtetuta presidentit të Republikës, si komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në përputhje me Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe duke u bazuar në kërkesën për promovim të ministrit për FSK-në. Me këtë rast, presidenti Sejdiu ka dekretuar promovimin e këtyre eprorëve të FKS-së: Gjeneralmajor Rrahman Rama, zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe komandant i Komandës së Forcave Tokësore; gjeneralmajor Kadri Kastrati, drejtor i Operacioneve; gjeneralbrigade Bashkim Jashari, inspektor i Forcës së Sigurisë së Kosovës; gjeneralbrigade Nazmi Brahimaj, komandant i Brigadës për Reagim të Shpejtë; gjeneralbrigade Zymer Halimi, udhëheqës i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit; gjeneralbrigade Imri Ilazi, komandant i Brigadës për Mbështetje të Operacioneve dhe gjeneralbrigade Enver Cikaqi, komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›