E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e rrallë e Jusuf Vrionit: Më mbajtën të varur 15 ditë, që të pranoja spiunazhin

 

...vijon nga numri i kaluar

Netëve pa gjumë ai përkthente veprat e Ismail Kadaresë, ndërsa në zyrat e izoluara me hekura të shtëpisë botuese, veprat e diktatorit. Përçonte në gjuhën frënge dy botë të ndryshme. Jusuf Vrioni është padyshim një nga përkthyesit më të mëdhenj shqiptarë. Emrin e tij mbajnë përkthimet në gjuhën frënge të një pjese të mirë të romaneve të Kadaresë, që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, etj. Por përmes tij kanë kaluar edhe veprat e Enver Hoxhës. Megjithatë, kjo nuk e bënte atë më pak “të rrezikshëm për shoqërinë”. Kishte bërë 12 vjet burg dhe punë të rëndë në burgje e kampe pune në gjithë Shqipërinë. Ka duruar në trup e në shpirt torturat më çnjerëzore për akuza, që asnjëherë nuk u vërtetuan. Vuajtjet e viteve të dënimit dhe ankthin e viteve që pasuan, teksa përkthente, Vrioni i ka hedhur në letër. Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim libri me kujtime “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez Eric Fay dhe sjellë në shqip nga frëngjishtja nga Viktor Kalemi. Edhe sot kemi shkëputur nga ky libër kujtimesh, disa pjesë që përshkruajnë kalvarin e jetës së këtij njeriu të madh.                  a.m
Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut. Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të  torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin vetëm kur haja bukë.
Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30 deri në 35 kile zinxhirë rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër isha i varur natë e ditë me atë peshë..
Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje shpjegime rreth qëndrimit tim politik kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor. Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin?”. Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata që ranë në atë kurth.
Nga shtatori deri në nëntor qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në burgun e vjetër, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje ndodhej shkrimtari i madh shqiptar Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë “Kosova”...
Në shkurt të 1948-ës nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në burgun e ri të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm, nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja. Disa muaj me radhë e pata të pamundur të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli fusnin kryesisht të dënuarit që do ët pushkatoheshin, një apo dy herë në javë dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë?!” dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të burgut të ri ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: A do të shpëtonte apo jo kokën?
...Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në burgun e ri, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!
... Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe... të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik. Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se “u kishte treguar” francezëve çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah dobësinë e mekanizmave ekonomike...
Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi ishte e përkohshme.
Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike...”.
...Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja...
Koha e perkthimeve
...Përkthimet e teksteve zyrtare nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë Volumin XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët. Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: procesverbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik). Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundërkuptim. Gjithë ndryshimet që bënë ata u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja.
Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundërkuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi!”.
Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e shtëpisë botuese më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq. E dija se disa prisnin shkasin më të vogël për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua “uzurpator”.
Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. KQ ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit) versionin përfundimtar të tekstit....
Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”. Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”...
Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, “la proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo... E vura titullin frëngjisht.. Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje?”, më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr!”. KQ dha urdhër të ktheheshin në karton 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje”...
...Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, - vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia. E kishte fjalën vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest... natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën nuk e ndryshonte fare shkallën time të “rrezikshmërisë shoqërore”. Fshehurazi, ata pëërpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi... fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë. Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën duke përkthyer Ismailin, - më thoshte ai. Ka libra shumë më të rëndësishëm që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”. Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti tipik për regjimin. Na porosisnin vazhdimisht se nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e Njëshit; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›