Konkurrenca dhe ERRU, marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e konkurrencës
Nënshkruhet marrëveshje mes Autoritetit të Konkurrencës dhe Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU). Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional, për lehtësimin e kryerjes së funksioneve përkatëse të këtyre institucioneve. Memorandumi i nënshkruar nga Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Lindita Milo (Lati) dhe Kryetari i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura z. Avni Dervishi, në mjediset e ERRU synon, sipas nënshkruesve, rritjen e rolit të rëndësishëm të politikës së konkurrencës në promovimin e zhvillimit efektiv, në sektorin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura. Sipas tyre, kjo për arsye se sektori i furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura ka pësuar zhvillime të qenësishme vitet e fundit, në kuadrin e reformimit thelbësor, që synon një sektor financiarisht të vetë-qëndrueshëm, që ofron shërbime të një cilësie të lartë, por të përballueshme, për të gjithë konsumatorët në Shqipëri. Autoriteti dhe ERRU kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së operatorëve dhe konsumatorëve nga veprimet abuzive, në sektorin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.