E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subvensioni në bujqësi, nuk përfiton pa paguar taksat e tokës

SHKRUAN: Blerina Hoxha 08-03-2011 15:37

Asnjë nga fermerët që duan të përfitojnë nga skema e subvencionit të qeverisë, për nxitjen e prodhimit vendas, nuk do të mund të përfitojnë, nëse më parë nuk do të paguajnë tatimet dhe taksat për sipërfaqen e tokës që duan të mbjellin, sipas një udhëzimi të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, për shpërndarjen e subvencionit për bujqësinë. Prej vitesh, qeveria ka aplikuar vënien e tatimeve për sipërfaqet bujqësore, të ndara në zona sipas rendimentit të prodhimit, por deri më tani pagesa e taksës është pothuajse inekzistente për shkak se sektori i bujqësisë nuk operon me bankat. “Aplikanti të ketë paguar taksën e tokës për të cilën aplikon për të dyja vitet 2010/2011”, thuhet në udhëzimin e ministrit Ruli. Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural është parashikuar në buxhetin e MBUMK-së për vitin 2011, në zërin “Transfertë në buxhetet familjare” dhe arrin në shumën e 10 milionë eurove dhe do të përdoret në sektorët e prodhimit të frutave, ullinjve dhe rrushit, perimeve në serra, prodhimi i qumështit, vajit të ullirit dhe mjaltit. Sipas udhëzimit të Rulit, përfituesit e kësaj skeme mbështetëse mund të jenë fermerë individualë dhe subjekte me status fizik ose juridik, grup fermerësh dhe organizatë prodhuesish. Toka duhet të jetë në pronësi të aplikantit, ose në përdorim për të paktën 20 vjet. Sipërfaqja minimale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më e vogël se 2 dynymë. Aplikanti mund të bëjë më shumë se një aplikim, kur toka nuk ndodhet në të njëjtin vend, kultivon specie të ndryshme apo zbaton forma të ndryshme kultivimi, por sipërfaqja maksimale për çdo aplikant nuk duhet të jetë më shumë se 10 ha. Ndërsa kriterët për t’u shpallur fitues në 100 pikë të vëna në dispozicion, sipërfaqja e tokës që do mbillet zë 35 pikë, specia që do të mbillet 10 pikë, teknika e projektuar për ngritjen e pemëtores gjithsej 45 pikë, sistemimi, punimi i tokës hapja e gropave për mbjelljen e fidanëve 20 pikë, masat antierozive apo masat kulluese 5, numri i bimëve për njësi sipërfaqeje 10 pikë, mënyra e ujitjes 10 pikë, statusi i aplikantit (emigrant i kthyer, grup fermerësh apo organizatë prodhuesish) 10 pikë. Sipas kriterëve në udhëzimin e Rulit, fitues mund të jetë çdo projekt me të paktën 60 pikë. Fituesit renditen sipas rendit zbritës të pikëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›