E Hënë, 2 Nëntor 2026

Politika në udhëkryq

25/05/2005  Sot - përreth partisë, nesër - përpara shtetit

Fjala «udhëkryq» nuk ka të bëjë pothuajse fare me enigmën se si do të dalë rezultati i zgjedhjeve për në Kuvend, të cilat do të zhvillohen më 3 korrik.

Është ende herët për të folur për të. Aq më shumë është fort herët që të bëhen sondazhe, të cilët të mund të tregonin me një përafërsi pak a shumë disi të mjaftueshme (se për më tepër nuk ka praktikisht asnjë mundësi), nëse do të fitojë koalicioni i partive opozitare, të kryesuara nga Partia Demokratike, apo do të rifitojë koalicioni i partive që janë tashmë prej tetë vjetësh në pushtet, i kryesuar nga Partia Socialiste.

Këtu, kur themi: «politika në udhëkryq», e kemi më shumë fjalën se janë në udhëkryq nga pikëpamja e ndërtimit të tyre sistemi i institucioneve politike të vendit, duke filluar nga partitë dhe pastaj duke vazhduar me institucionet politike kombëtare, sikurse janë ato që ushtrojnë pushtete të ndryshme, ligjvënëse, ekzekutive dhe pastaj edhe ato juridike.

Për më tepër do të thoshja se, në një farë kuptimi, ajo se çfarë përmbajtje, përbërje, funksionimi do të kenë këto të fundit, ndoshta është një çështje edhe tejet më e rëndësishme sesa vetë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme.

Këtë e them për disa arsye.

Funksionimi i institucioneve politike ka të bëjë me fortësinë, qendrueshmërinë dhe konsolidimin e shtetit, kurse zgjedhjet parlamentare, ndonëse edhe këto kanë një ndikim të fuqishëm në këtë drejtim, lidhen më shumë me atë se kush e zotëron për një kohë fuqinë brenda strukturave politike të shtetit. Me një fjalë, në këtë rast nuk është shqetësimi se kush e drejton shtetin, as se cila forcë politike është në fuqi, por se si është ndërtuar vetë shteti.

Nga ana tjetër, edhe vetë fituesi në zgjedhjet e ardhshme ka për ta parë dhe kuptuar jo vonë se do të ndodhet përpara problemeve politike të vështira dhe tejet të ndërlikuara. Ai do të konstatojë shumë shpejt, që të nesërmen e gëzimit të fitores elektorale, se do të ndodhet përpara një detyre shumë të vështirë, të cilën do të duhet ta përballojë jo vetëm me kompetencë, por edhe me shpejtësi të madhe.

Koha nuk pret fare, pas vonesave që janë shkaktuar.

Nuk dëshiroj të përdor shprehjen se më lehtë është ta marrësh (ose rimarrësh) pushtetin sesa ta mbash, pavarësisht se cila forcë do ta ketë këtë barrë, që do të jetë kësaj here shumë e rëndë. Fituesi do të ndodhet i detyruar të manovrojë një makinë shtetërore që sa më solide të jetë aq më kollaj mund të drejtohet, përkundrazi, sa më shumë e shpërbërë të jetë, aq më tepër ajo do të shkojë andej nga e çojnë rutina, rrëpirat, pesha e udhëtarëve që i kanë hipur përsipër, drejtimi i mëparshëm, kthesat e rrugës, pra do ta drejtojnë rrotat timonin dhe jo timoni rrotat.

Më së fundi, problemi i ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore ka më shumë peshë se çështja që të dihet se cili do të jetë fituesi politik i radhës, sepse në fund të fundit, nesër, pas ditës së parë pas zgjedhjeve, qytetarët nuk do të jenë më ata - militantët e të gjitha partive; nuk do të jenë më ata - pjesëmarrësit nëpër mitingje; nuk do të jenë më aspak ata - anëtarët e seksioneve që shohin në dritë të syrit përgjegjësin e tyre politik, por do të jenë të gjithë bashkë individë, të cilët përpara nuk do të kenë më partiakun, por nëpunësin, administratorin, gjykatësin. Këta qytetarë, që sot shfaqen si militantë, do të rindodhen nesër përpara burokracisë dhe institucioneve të shtetit.

Është fjala pra pikërisht për këto institucione, pavarësisht se kush do të fitojë.

2. Partitë dhe kodi elektoral

Kur themi se sistemi i institucioneve politike të vendit është në një farë udhëkryqi, kjo ka kuptimin se ai, pasi ka bërë një rrugë pesëmbëdhjetëvjeçare, ndodhet tani përpara problemeve shumë të rëndësishme, të vështira, të grumbulluara me kohë, të cilat kërkojnë patjetër zgjidhje.

Ajo që duhej bërë ishte që këto probleme të silleshin përpara qytetarëve dhe të bëheshin objekt debati midis vetë politikanëve, të viheshin në vëmendjen e ndërkombëtarëve që punojnë në Shqipëri, para dhe përgjatë fushatës së zgjedhjeve. Do të kishim arritur kështu të diskutonim për çështje të rëndësishme politike të vendit, ashtu sikurse duhet parimisht gjatë fushatave elektorale.

Por ja që nuk qe as këtë radhë e mundur të bëhej kjo gjë.

Siç duket, edhe sikurse ka qenë prej kohësh zakoni në Shqipëri, në kohën kur masat kanë rastin të hyjnë në politikë, politikanët krijojnë një axhendë debatesh politike të dorës së dytë apo të tretë, me qëllimin për të mos e ndërlikuar çështjen dhe për t’i zgjidhur problemet më pas midis tyre, a parte, pa pasur «nëpër këmbë» qytetarët. Nuk është fare vendi për të bërë ndonjë krahasim të pasjellshëm, por edhe në kohën e dikurshme problemet e mëdha plasnin dhe mbylleshin ose përpara, ose pas kongreseve, asnjëherë në kongrese. Në kongrese që ishin periudhat e atëhershme «zgjedhore», vetëm duartrokitej dhe ironizoheshin armiqtë e jashtëm dhe bëheshin krahasime me vitin 1938.

Hesapet e vërteta laheshin pak më parë, ose më pas kongreseve, ose me termin e tanishëm: pak më parë ose pak më pas zgjedhjeve, jo gjatë fushatës elektorale.

Le të shpresojmë të paktën pra që ato gjëra, që u anashkaluan përgjatë gjithë kësaj kohe, do të zgjidhen më pas.

Përndryshe do të jetë ndryshe.

Nëse nuk do të merret politika me problemet.

Do të merren problemet me politikën.

Në fakt disa shqetësime janë grumbulluar me kohë, por disa të tjerë, ata që e nxorën kokën tani së fundi, domethënë dy-tre vjetët e fundit, në fakt kanë lindur bashkë me aprovimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të tanishëm elektoral.

Çfarë ka ndodhur?

Prej vitesh, në Shqipëri, sistemi partiak pluralist ka qenë dhe formalisht vazhdon të jetë i ndërtuar nga shumë parti, aq sa shpesh ankohemi se ndër ne ka më shumë parti politike të regjistruara sesa duhet për një vend me popullsi relativisht të vogël. Në fakt një sistem politik partish është pluralist edhe kur veprojnë shumë parti, edhe kur veprojnë vetëm dy parti të mëdha. E them këtë sepse shpesh herë, gabimisht, është shkruajtur se sistemi dypartiak nuk është një sistem i vërtetë pluralist. Në të vërtetë, natyra pluraliste e sistemit nuk varet nga numri i partive, nëse ato janë dy ose më shumë, por nga fakti nëse ligja lejon që gjithkush, nëse dëshiron, të krijojë partinë e vet dhe të konkurrojë lirisht me të tjerat përpara elektoratit.

Kur u aprovua ligji i ri elektoral u bë e detyrueshme që zgjedhjet në Shqipëri të ishin me një raund, pra do të votohej vetëm një herë, dhe fitues do të dilte kandidati që do të mblidhte më shumë vota në zonën e tij. Do të fitonte ai që merrte më shumë vota, matematikisht, do të thotë se do të shpallej fitues ai që do të merrte qoftë edhe një votë të vetme, atë të tijën, me kusht që të gjithë qytetarët e tjerë të asaj zone të mos votonin ose të hidhnin në kuti fletë votimi të pavlefshme. Kështuqë, paradoksalisht, për një kandidat të tillë për deputet, ka po aq rëndësi t’i ftojë zgjedhësit të votojnë sa edhe ka kuptim që t’i shtyjë zgjedhësit të mos votojnë fare.

Njëlloj është për të.

Në fakt, me ligjin elektoral, që është tani në fuqi, nuk kuptohet mirë se përse disa kandidatë për deputetë thërrasin përpara elektoratit:

«Hajdeni në zgjedhje!»

Këshilltarët dhe menaxhuesit e fushatave të tyre elektorale, po ta shohin pak më me kujdes problemin, ndofta do të kenë mirësinë t’i bëjnë me dije kandidatët për deputetë se mund t’iu interesojë më shumë të venë postera me sloganin:

«Mos hajdeni fare në zgjedhje!»

Në këtë rast të dytë (poqese propaganda do të kishte ndikim), në parim, mund të ndodhte që kandidati për deputet, pasi ta hidhte votën për veten e tij në kuti, dhe të tjerët të mos vinin fare të votonin, do të dilte fitues duke pasur kështu 100% të votuesve (veten e vet) me vete.

Kur u hartua dhe hyri në fuqi ky ligj elektoral, që parashikon votimin me një raund, u tha se kjo bëhej në mënyrë që të kishte sa më pak parregullsi në zgjedhje dhe që këto të fundit të mos zgjasnin shpesh herë katër, pesë apo më shumë javë, sikurse kishte ndodhur herë të tjera, sidomos gjatë zgjedhjeve të vitit 2001.

Në fakt, argumenti në fjalë nuk qëndronte fare.

Në radhë të parë se, sikurse u konstatua më pas, parregullsitë nuk vinin aspak nga fakti nëse votohej me një raund apo me dy raunde. Problemi ishte fare gjetiu.

Në radhë të dytë, në mënyrë të pafalshme u harrua se kalimi nga votimi me dy raunde në votimin me një raund do të sillte ndryshime të tjera të rëndësishme, që në fakt do të modifikonin pa u vënë re krejt sistemin politik të vendit. Këto ndryshime të dyta ishin në fakt domethënëse dhe thelbësore.

Teoria e shkencave politike nuk lë vend për diskutime në këtë pikë.

Mbetet për të diskutuar se përse ky aspekt i dytë u la lehtësisht mënjanë nga politikanët dhe komentuesit e politikës në kohën ku u bë ndryshimi.

Nuk dinin?

Dinin, por nuk donin?

Dinin, donin, por nuk mundnin?

Bashkë me kalimin nga votimi me dy raunde (ku del fitues vetëm kandidati që ka marrë më shumë se gjysmën e votuesve të një zone elektorale) në votimin me një raund (ku fitues del kandidati që ka fituar më shumë vota, pavarësisht se sa ka fituar të tilla, një, dy, tre, katër, pesë, apo pesëmijë), do të ndodhte një ndryshim shumë i madh politik, që në kohën e amendimit të ligjit të vjetër pothuajse askush nuk e vuri re.

Të paktën, thuajse askushi nuk foli.

Përmbajtja e ligjit të ri elektoral do të kishte prirjen t’i kthente partitë e vogla, me elektorat të pakët në numër, në shoqata politike.

Në rast se votuesi konsiderohet si një person që bën zgjedhje të arsyeshme në jetë, atëherë me këtë ligj elektoral që kemi tani në fuqi, ai do të priret të votojë kryesisht vetëm për dy partitë e mëdha politike, për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.

Nëse brenda koalicionit të majtë, dikush do të votonte për kandidatin, ta zemë, të partisë agrare dhe ambientaliste, atëherë në fakt këtë votë pa dashje do t’ia hiqte kandidatit të partisë socialiste, i cili do të humbte kështu përballë kandidatit demokrat një zgjedhës, pra një votë.

Shpërndarja e votave brenda kandidatëve të koalicionit të majtë, në fakt, bën që prej këndej të përfitojë kandidati i djathtë.

Edhe në krahun tjetër, ndodh e njëjta gjë. Nëse dikush do të donte t’i jepte një votë, ta zemë, kandidatit të Partisë së Ballit Kombëtar, ai mund ta bënte lirisht këtë veprim, por në fakt do t’i hiqte një votë kandidatit të djathtë, atij të Partisë Demokratike, që do të kishte kështu një votë më pak në shanset e tij për të mundur rivalin e vet të majtë.

Edhe shpërndarja e votave brenda kandidatëve të koalicionit të djathtë, në fakt, bën që të përfitojë kandidati i majtë.

Deri këtu problemi është i thjeshtë dhe zgjedhësit po e marrin vesh pak e nga pak këtë procedurë paradoksale dhe pasojat e saj të mundshme. Po të votojnë për kandidatët e tyre që përfaqësojnë parti me peshë më të vogël në elektorat, në fakt kështu do të ndihmojnë vetë kundërshtarët e tyre në politikë.

Paradoksi politik është shtrirë rehat-rehat në politikë në formën e të kundërtave që bëhen e njëjta, të paktën për pjesën e hapësirës politike për të cilën po flasim, atë që elektoralisht mbulohet nga partitë e vogla:

«Votoj për kandidatin e partisë sime të vogël, pra votoj për kundërshtarin tim!»

Përpara këtij fakti, partitë e vogla në përgjithësi, me përjashtim të LSI-së dhe LZHK-së (për shkak të rrethanave shumë specifike të tyre), në rrugë dhe forma të ndryshme iu bashkëngjitën dy partive politike të mëdha. Koalicioni opozitar është mobilizuar përreth Partisë Demokratike dhe koalicioni në pushtet përreth Partisë Socialiste. Që këtej doli edhe një herë në qarkullim fjala «Dushk», që shënon atë procedurë që i kërkon elektoratit përkatës të votojë për kandidatin e partisë më të madhe të një grumbulli partish aleate, ndërsa votën për partinë (për dyzetë vendet e deputetëve të proporcionalit) ta hedhë për partitë e vogla satelitore të partisë më me peshë.

Nuk kishte rrugë tjetër.

S’ka të bëjë këtu fare gjykimi etik. Kjo sjellje politike nuk është as morale dhe as amorale. Është konform ligjit të sotëm elektoral. Nuk ka fare kuptim politik t’iu kërkosh partive politike të mos sillen në atë mënyrë që shpresojnë se iu jep atyre fitoren dhe ligja ua lejon. Problemi është te ligja dhe jo te sjellja elektorale e partive të ndryshme.

Ligji elektoral e bënte të detyrueshme këtë lloj sjelljeje politike nga ana e partive.

3. «Dushk» për «gogla»

Në fakt, bashkë me votimin me një raund ndodhën edhe ndryshimet shumë të mëdha politike që po ndikojnë dhe do të përcaktojnë sistemin politik shqiptar.

Veç dy partive të mëdha politike, partitë e tjera përreth tyre, me përjashtim të LSI-së dhe LZHK-së presin t’i marrin votat e tyre kryesisht nga fakti se partitë e mëdha do ta orientojnë elektoratin e tyre në atë mënyrë që votat për partitë (nga ku do të dalin dyzetë vendet e parlamentit, sipas kriterit proporcional) të mos i japin për kërkënd tjetër po për partitë e vogla që i kanë aleate.

Qëllimi është që edhe këto parti të kenë deputetë në Kuvend në kushtet kur partitë e mëdha nuk përfitojnë ndonjë gjë të madhe nga proporcionali.

Paradoksi është përsëri aty:

«Mos votoni për mua (si parti e madhe), por për aleatët e mi sepse kështu në fakt votoni për mua!»

Vetë Sokrati nuk do të kuptonte gjë nga kjo përzjerje kontradiktash në një të vetme. Ndofta duke zbritur thellë në histori, do të gjendej Herakliti për t’iu thënë njerëzve: «Mos u çudisni, njëra dhe e kundërta e saj janë në fakt e njëjta gjë».

Nga kjo pikëpamje, veprimtaria politike e partive tradicionalisht me më pak peshë në elektorat ra në nivele shumë të ulëta.

«Dushk për gogla» - thotë një fjalë e urtë popullore.

Le t’i vëzhgojmë partitë e vogla politike, me përjashtim të atyre që thamë:

S’ka kongrese partish ku të propozohen platforma të vërteta elektorale.

S’ka përqasje alternativash politike të vërteta në media me veçanësitë e tyre për çdo parti.

S’ka kandidatë për deputetë me protagonizëm që të thonë përpara elektoratit: «Hidheni votën për mua!».

Kandidatët për deputetë të këtyre partive më shumë dëshirojnë të humbasin sesa të fitojnë.

S’ka ndonjë mobilizim të dukshëm të strukturave partiake të formacioneve të vogla politike për të fituar në zonat përkatëse.

S’ka as ndonjë rivalitet për të qenë nga liderë brenda partive të vogla për të zënë vende sa më të para në listën e proporcionalit të partisë së tyre. Dihet, vendet e para i kanë zënë shefat. Dhe ju takojnë. Të tjerët s’kanë asnjë shpresë.

S’ka promovime të vërteta elektorale të partive të vogla politike nga ana e drejtuesve të tyre në gazeta apo në media.

Veprimtaria politike e tyre është

atrofizuar,

rrudhur,

ngushtuar,

është bërë pre e lojërave politike të shefave të lartë partiakë në Tiranë, të cilët edhe ata, s’kanë se çfarë të bëjnë tjetër, veçse të ndjekin logjikën politike që e bëri të detyrueshme dhe e imponoi si «efekt anësor» ligja elektorale që kemi sot në fuqi.

Kjo që ishte e parashikueshme qysh me kohë. E kam shkruajtur dhe përshkruar këtë dukuri që do të ndodhte, sepse është një rast i studiuar më së miri nga ana e shkencave politike perëndimore dhe i provuar katërcipërisht nga praktika dhe përvoja politike e vendeve demokratike.

Ligji elektoral që parashikon zgjedhje me një raund priret që shumë shpejt, ndofta brenda një ose dy legjislaturash, nëse nuk ndryshohet, ta shndërrojë sistemin politik pluralist nga një sistem me shumë parti në një sistem politik dypartiak. Bashkë me polarizimin e partive rreth dy të mëdhajave, bëhet edhe polarizimi bipolar i elektoratit, i cili nuk ka më se çfarë të bëjë veçse të votojë kandidatët e partive të mëdha, ndërsa për dyzetë vendet e deputetëve, që dalin nga proporcionali, të ndjekin këmba-këmbës, në mënyrë besnike, verbërisht udhëzimet e përgjegjësve lokalë apo në shkallë kombëtare të partive të tyre.

4. Tranzicioni politik i tranzicionit politik

Redaktori i shkrimit të mos mërzitet. Nuk ka shpëtuar ndonjë përsëritje e paqëllimtë, që ai duhet ta korrigjojë.

Kemi dy tranzicione pra, njëri brenda tjetrit.

Sistemi ynë politik karakterizon fazën e kalimit, të tranzicionit politik, nga autoritarizmi drejt parlamentarizmit. Por, brenda këtij tranzicioni të madh, sot, në ditët që po kalojmë, jemi dëshmitarët, bartësit, përfituesit dhe viktimat (ndoshta) edhe të një tranzicioni tjetër politik, më të vogël, që nënshkruhet brenda tranzicionit të parë politik.

Në po përjetojmë ndoshta pa e kuptuar fazën e kalimit nga sistemi politik shumëpartiak në sistemin politik dypartiak.

Por, si çdo tranzicion tjetër, ne po e kalojmë atë me tronditje dhe me pasoja që do të na bëjnë të vuajmë politikisht.

Nuk është fjala se po them që ky kalim nga sistemi shumëpartiak në sistemin dypartiak ka ndonjë të keqe në vetvete. Problemi nuk qëndron te përmbajtja e tij, çështja mbështetet në faktin e rrugës të pastudiuar që po ndiqet për të shkuar drejt tij.

Faza e tanishme quhet një fazë tranzicioni, sepse ajo karakterizohet nga tipare krejt të kundërta.

Nga pikëpamja ligjore dhe juridike ndër ne ekzistojnë një numër i madh partish politike, por nga pikëpamja reale, politike, e veprimtarisë praktike të tyre, në fakt (me përjashtimet që thamë), ekzistojnë vetëm dy partitë e mëdha politike.

Të tjerat kanë fonde, por nuk kanë veprimtari të mirëfilltë politike.

Partitë e vogla politike do të nxjerrin deputetë, kush më shumë e kush më pak, në bazë të vendeve që do të fitojnë nga numri i deputetëve që del nga proporcionali.

Në fakt, këta deputetë do të dalin vetëm nisur nga vullneti dhe vendimi politik i dy partive të mëdha, i Partisë Demokratike dhe i Partisë Socialiste, por nesër, pasnesër, në Kuvend, ata nuk do ta quajnë më veten të tillë. Ata do ta quajnë veten deputetë të partive të vogla, nga të cilat kanë dalë, aleancistë, socialdemokratë, liberaldemokratë, ballistë etj.

Ata nuk dilnin dot kësaj radhe si kandidatë të mirëfilltë të partive të mëdha politike.

Në radhë të parë sepse s’i pranonin atje si të tillë.

Pastaj, sepse vendet ishin zënë.

Së fundi, se nga mbrapa kishin një peshë morale dhe organizative, një gur të rëndë, që i pengonte për ta luajtur si duhet lojën e re politike, kishin pra strukturat e tyre partiake, në qendër dhe në bazë, që nuk i braktisnin dot kështu fare hapur dhe brenda një dite.

Në këto kushte, që kishin të bënin me ruajtjen e interesave personale të një grupi politikanësh, u krijua një paradoks i fuqishëm, që shpreh gjithë pështjellimin e sotëm.

Sistemi politik është shumëpartiak.

Ligji elektoral përforcon dypartitizmin.

Kuvendi do të përbëhet nga deputetë, që do të priren të marrin gjithmonë e më shumë ngjyra shumëpartiake.

Këto rrethana ndikuan që kandidatët për deputetë të partive të vogla të pranojnë të kenë një status politik të dyfishtë dhe kontradiktor.

Ata janë edhe përfaqësues të një partie, edhe të zgjedhur deputetë prej një partie tjetër.

Edhe janë kandidatë për deputë të partive të mëdha edhe nuk janë.

Do të jenë në fakt kandidatë për deputetë të partive të mëdha, por ata që do të arrijnë të zgjidhen do ta quajnë veten deputetë të partive të vogla.

Kandidatë të partive të mëdha dhe deputetë të partive të vogla!

Do të zgjidhen pa u votuar.

Nuk do të votohen as si emra, sepse vota do t’i jepet partisë dhe jo vetë atyre. Edhe si parti nuk do të votohet partia e tyre, sepse për ta do të votojnë kryesisht zgjedhësit e partive të mëdha në bazë të orientimeve të marra.

E gjitha kjo ndodh sepse ne kemi një ligj elektoral tashmë që prodhon kryesisht një realitet politik dypartiak, ndërsa nesër do të kemi një trup legjislativ, një Kuvend, të kompozuar nga deputetë që do të pretendojnë dhe do të sillen sikur vijnë nga një realitet politik shumëpartiak.

Këtu është çështja që krijon paradokse politike sot, dhe nesër ka shumë mundësi të krijojë bllokime të ndryshme institucionale.

5. S’na mungojnë ligjet, na mungon fryma e ligjeve

Fryma e ligjeve, sikurse do ta konstatonte me keqardhje Monteskjëja, nuk do të ishte koherente, unike. Ajo do të ishte e çarë më dysh midis dypartiakes dhe shumëpartiakes.

Po kështu, ne kemi një kod elektoral, që në thelb ngjan shumë me kulturën politike anglo-saksone, sepse është bazuar në votimin me një raund. Por, krejt në kundërshtim me këtë frymë anglo-saksone të kodit elektoral, kemi një sistem politik me frymë europiano-mesdhetare të një republike parlamentare.

Të dyja «frymat» në vetvete janë të mira, por kur bashkohen kështu, mikst, i marrin frymën njëra-tjetrës, prodhojnë një kaos si ai që krijojnë ciklonet që pështillen rreth vetvetes.

Është njësoj si të përziesh në një mëny mëngjesi: sallam anglez, kroasant francez, spageti italiane, tadziqi greke dhe në fund t’i japësh me fund edhe një gotë koka-kola për të shpëlarë gurmazin.

Nuk do të kishte një frymë unike të ligjeve.

Sistemit politik mund t’i merrej fryma.

Ne rrezikojmë të mos ta dimë më kurrë se cila do të jetë pesha e vërtetë elektorale e dhjetëra deputetëve, që do të dalin nga listat e proporcionalit.

As ata vetë nuk do ta dinë.

Mund të thuhet se edhe këta të fundit do t’i ndihmojnë dy partitë politike të mëdha për të fituar. Por, edhe kjo do të mbetet e dyshimtë. Me ligjin e ri elektoral, me një raund, askush nuk do të kishte dëshirë që të votonte për kandidatë që dihej se nuk do të fitonin. Vetëm votimi me dy raunde mund ta maste forcën e vërtetë elektorale të tyre. Sado të ishte, ajo do të ishte e vërtetë dhe do të matej mirë në raundin e parë, për t’iu lënë vend aleancave të mundshme me partitë e mëdha për raundin e dytë zgjedhor.

Por, tani kjo gjë ka mbaruar.

Problemi është mbyllur.

Deputetët e partive të vogla – «kandidatë» të partive të mëdha, do të futen nëpër qeverira të ndryshme, do të ndajnë shpesh shapin nga sheqeri në votime me rezultate të ngushta dhe gjithmonë ne do të jemi përpara faktit se për këto votime të vështira, për shembull, nëse zgjidhet apo nuk zgjidhet dikush President i Republikës, ndërtohet apo bie qeveria, zgjidhet apo nuk zgjidhen instanca dhe struktura politike si ato të KKRT, Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit publik, për zgjedhjen e drejtuesve të organeve të larta të drejtësisë etj. Vendimin përfundimtar, fjalën e fundit «gramin» e fundit që do të përcaktojë nga do të anojë peshorja e vendimmarrjes politike do ta hedhin ndoshta pikërisht deputetët, që në fakt nuk do të kenë peshë të matëshme elektorale.

Pothuajse të mbetur të pavotuar realisht nga elektorati.

Në fakt këtu fillon problemi.

Ne rrezikojmë të mos dimë se çfarë peshe elektorale do të kenë vendimet e mëdha që do të bëjë Kuvendi i ri shqiptar, sepse për to mund të bëhen vendimtare votat e deputetëve të partive të vogla, që kanë të drejtë të votojnë edhe kundër vullnetit politik të partisë së madhe që i ka zgjedhur deputetë.

Të kuptohemi, këtë mund ta bëjë edhe deputeti i ndonjë partie të madhe, që ka fituar në zgjedhje – pra edhe ai mund të dalë kundër vullnetit politik të partisë së tij – por duke e pasur ama krejt të matëshme peshën e vet elektorale.

Në këtë rast do të ishim në një koniunkturë tjetër morale dhe politike.

Zëri i një deputeti që ka fituar në zonën e tij elektorale do të peshonte realisht dhe, parimisht, do të ishte zëri i elektoratit të tij. Pastaj, moralisht dhe politikisht, një deputet i tillë që përfaqëson pastër dhe qartë edhe elektoratin që e ka votëbesuar edhe partinë që e ka kandiduar do të ishte nën veprimin e kontrollit politik të mekanizmave të fuqishme të partisë së tij dhe të grupit të deputetëve të partisë së tij. Vështirë se ai do të dilte kundër vendimeve të grupit të tij parlamentar, duke krijuar shumica të paqëndrueshme që do të krijonin çekuilibrime të mëdha në qeverisje.

Kurse deputetët e partive të vogla, me përjashtimet që kemi theksuar qysh në fillim, nuk do t’iu binden aspak dhe në fakt s’kanë përse t’iu binden këtyre mekanizmave politikë. Ata do të përgjigjen përpara partive të tyre, pra si shefa partish të vogla që janë do të përgjigjen përpara vetes së tyre dhe askujt tjetër.

Sjellja e tyre politike si deputetë pritet të jetë, sikurse ka qenë, krejt e paparashikueshme.

Në parim, rrezikojmë të mos dimë nëse ligjet e aprovuara do të përfaqësojnë vërtet vullnetin e shumicës së elektoratit që e konstituoi Kuvendin.

Rrezikojmë të mos e marrim vesh sa është pesha elektorale e qeverisë, apo e ndonjë vendimi të mundshëm për ta rrëzuar një qeveri.

Rrezikojmë të mos e dimë se sa do të jetë legjitimiteti dhe pesha elektorale e Presidentit të ardhshëm.

Mund të kemi fitues të paqëndrueshëm dhe humbës të paqëndrueshëm. E gjitha kjo mund të shndërrohet në qeveri jo stabile dhe në bllokime institucionale, që sjellin kriza politike.

Janë këto të fundit që frenojnë reformat dhe vështirësojnë punën e administratës.

Shihet pra se nuk është thjesht çështja se cila forcë politike do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Kjo është një pjesë e problemit. Thelbi i tij është të dimë se çfarë pasojash do të lërë ligji i sotëm elektoral mbi institucionet e ardhshme politike të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›