E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca e pandershme, 60 tregtarë në protestë



FIER - Të paktën 60 tregtarë të fruta-perimeve në Fier u mblodhën të mërkurën përpara godinës së Bashkisë, në shenjë proteste ndaj konkurrencës së pandershme. Tregtarët, pjesëmarrës në protestë, kanë pretenduar se Policia Bashkiake është e pafuqishme për të luftuar aktivitetin e paligjshëm në trotuare dhe rrugë. Ata kanë akuzuar Policinë Bashkiake dhe departamentin e tatim-taksave në bashki se janë bërë bashkëpunëtorë në lojën e pandershme të tregut. “Ne paguajmë një taksë prej 250 lekësh për metra katrorë, ndërkohë që konkurrentët tanë zënë trotuaret dhe rrugët, pa shlyer asnjë detyrim", - thotë një prej protestuesve.

Bie furgoni në humnerë, një i vdekur, tetë të plagosur

MAT – Rënia e një furgoni në humnerë ka shkaktuar një të vdekur dhe 8 të plagosur. Aksident i rëndë automobilistik ndodhi dje në mesditë rreth orës 14:00 në hyrje të qytetit të Burrelit, ku një automjet furgon tip “Benz” me targë MT 2079 A ka dalë nga rruga, gjë që solli edhe vdekjen e një të mituri. “Në furgon kanë qenë 8 udhëtarë, ndërsa si pasojë e daljes nga kthesa në afërsi të qytetit të Burrelit ka humbur jetën një vajzë 5 vjeçe me inicialet A. Z.", - tha dje zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qarkut të Dibrës, Aldo Puca. i njëjti burim saktësoi se, "janë plagosur edhe tre udhëtarë të tjerë, të cilët janë dërguar menjëherë në spitalin civil të qytetit të Burrelit, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale bëhet e ditur se janë jashtë rrezikut për jetën”. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Faik Balla, ka shpëtuar me plagë të lehta dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin civil të qytetit të Burrelit është shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë së rrethit. Pas hetimeve paraprake mendohet se shkak i aksidentit ka qenë një pakujdesi e drejtuesit të mjetit, gjë që ka sjellë edhe shoqërimin e menjëhershëm të tij për hetime të mëtejshme.

Vdes 35-vjeçara e aksidentuar, shpëton e ëma

SHKODËR - Nuk ka mundur të mbijetoje, 35-vjeçarja Vera Nelaj, e cila dy ditë më parë u aksidentua rëndë ndërsa ishte duke ecur bashkë me të ëmën në një nga rrugët e qytetit të Shkodrës. E reja ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së djeshme në spitalin e Shkodrës, ndërsa mjekët sqarojnë se gjendja e nënës së saj Pashka Nelajt, është jashtë rrezikut. Pashka Nelaj, 60 vjeç dhe e bija, Vera, kanë qenë duke ecur në afërsi të zonës e njohur si “Kryqëzimi i Rusit”, kur janë shtypur nga makina e drejtuar nga 24-vjeçari Elvis Jukni, i cili i ndalua 20 minuta pas ngjarjes.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›