Prangoset i kërkuari, gjykohej për abuzim me pronën e shtetit
GJIROKASTËR - Një 48-vjeçar nga fshati Golem i rrethit të Gjirokastrës, është ndaluar nga policia lokale, pasi Gjykata e Faktit të rrethit të Vlorës e ka dënuar me masën e arrestit “burg pa afat”, pasi dyshohet si protagonisti i prerjeve të paligjshme të lëndëve drusore. Zëdhënësi i drejtorisë së policisë së qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, tha se rreth 6 muaj më parë, 48-vjeçari Xhelal Isufi, lindur dhe banues në fshatin Golem të rrethit të Gjirokastrës, kishte konsumuar veprën penale “shkatërrim të pronës së shtetit” dhe qysh prej asaj dite ai ishte fshehur në malin e Buretos (rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës), në një stan, pranë të afërmve të tij.
Ndalohet, me shokun e tij vodhën motoçikletën
SHKODËR - Forcat e policisë së Shkodrës kanë ndaluar shtetasin Bardhok Geci, 31 vjeç, lindur në fshatin Berishaj të Rrethit të Pukës dhe banues në Shkodër, pasi ka qënë person i shpallur në kërkim nga policia. Burime zyrtare pranë Komisariatit të Policisë së Shkodrës thanë dje se ndalimi i tij u bë pasi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Sokol Prroi, i arrestuar nga policia tre ditë më parë, kanë vjedhur dy banesa si dhe dy motoçikleta, në fshatin Melgushë, Shkodër. Sipas policisë, 31-vjeçari i ndaluar dje, ka qenë më parë i dënuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
3 Prill 2008