Prokuroria e Durrësit apelon pafajësinë e Delijorgjit
Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që shpalli të pafajshëm Mihal Delijorgjin për veprën penale të "evazionit fiskal". Kërkesa është depozituar në janar të 2008-ës në Gjykatën e Lartë, bënë të ditur dje burime nga kjo Gjykatë, duke siguruar se kjo çështje pritet të kalojë në Dhomën e Këshillimit për të dalë më pas në një vendim për shqyrtimin e saj. Rekursi i prokurorisë është bërë pasi Gjykata e Apelit Durrës vendosi shpalljen të pafajshëm të biznesmenit Mihal Delijorgji për veprën penale të evazionit fiskal. Biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji u mor i pandehur në vitin 2004 nga Prokuroria e Durrësit me akuzat “falsifikim dokumentesh” dhe “evazion fiskal”. Në kuadër të këtij procesi ai u arrestua nga policia për t’u lënë më pas nën hetim në gjendje të lirë në këmbim të garancisë pasurore. Dosja në ngarkim të tij i kaloi për shqyrtim Gjykatës së Durrësit, e cila në përfundim të procesit e shpalli të pafajshëm atë për veprën e falsifikimit, ndërsa e dënoi me gjobë për “evazion fiskal”. Delijorgji apeloi vendimin e shkallës së parë dhe u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Durrës. Nisur nga kjo, prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Mihal Delijorgji administrator i firmës “AlbDemil” ndodhet i izoluar në paraburgimin e Tiranës me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”. Ai u arrestua pas shpërthimit të 15 marsit në depot e fabrikës ku demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës. Së bashku me të në pranga u vendosën edhe drejtori teknik i kësaj firme Dritan Minxholi dhe drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari. Nga shpërthimi i depove të municioneve luftarake në Gërdec humbën jetën disa persona, ndërsa mbetën të plagosur shumë të tjerë. Të shumta janë edhe dëmet materiale të shkaktuara në banesat dhe pronat e banorëve të kësaj zone.
Gjykata dërgon në spital psikiatrik, Mevlan Ferizajn
Tiranë - Mevlan Fejzaj, 50-vjeçari që tentoi të hynte dy ditë më parë në Presidencë me mjetin e tij, është cilësuar dje si person me probleme mendore nga Gjykata e Tiranës. Gjatë masës së sigurisë, gjyqtari i gatshëm, Agron Zhukri përveç pretendimit të Prokurorisë i është dashur të përballet dhe me një dëshmi jo të zakonshme nga i arrestuari. Burime nga kjo gjykate shpjeguan se Ferizaj ka deklaruar se kishte kohë që e ndiqnin persona të dyshimtë dhe se te presidenti ishte nisur për t’i kërkuar që t’ia hiqte qafe. Për Ferizajn gjatë masës së sigurisë, gjykata i caktoi një avokat kryesisht. I arrestuari u ndalua dy ditë më parë për akuzat e “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera” dhe “prishjes së qetësisë publike”. Sipas policisë, Fejzaj, duke drejtuar automjetin tip “benz”, me targa Fr. 5462 c, dëmtoi të dielën portën hyrëse nr. 2 të Presidencës, si dhe hyri në oborrin e saj, ku u kap menjëherë nga personeli i Gardës. Pas shoqërimit të tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe marrjes në pyetje, grupi hetimor konkludoi se Fejzaj ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. Menjëherë pas incidentit u morën në pyetje edhe familjarët e të arrestuarit, të cilët deklaruan se kishin ardhur në Tiranë për ta mjekuar. Policia bllokoi me cilësinë e provës materiale automjetin e këtij shtetasi, ndërsa aktet procedurale në ngarkim të tij i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.
Procesi ndaj Brawn, të miturit pyeten në gjykatë
Tiranë - Të miturit dëshmojnë me dyer të mbyllura për David Brawn. Seanca e radhës për anglezin e arrestuar ka vijuar në Gjykatën e Tiranës pa praninë e medias. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan se për shkak se procesi është në fazën e dëshmitarëve dhe këta të fundit janë të mitur nuk mund të bëheshin publikë. David Brawn, akuzohet për pedofili. “babai” i fondacionit “Fëmijët e tij” ndodhet në burg prej disa muajsh. Brawn nuk e ka pranuar akuzën, duke pohuar se ka ardhur në Shqipëri për të ndihmuar fëmijët. Nga hetimet e mëtejshme të drejtësisë shqiptare, e cila po ndihmohet edhe nga prokurorë britanikë rezulton se Brawn i ekspozonte fëmijët edhe në internet, me qëllim tërheqjen e miqve të tij, të cilët në Shqipëri prezantoheshin si turistë. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të tij.
3 Prill 2008