E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja shfuqizon nenin 315 të Kodit Penal



Laureta Rryçi

Tiranë - Asnjë qytetar nuk mund të bëjë kallëzim për gjyqtarët që kanë dhënë vendim ndaj tij në momentin që ky vendim ka marrë formën e prerë. Gjykata Kushtetuese dje vendosi të shfuqizojë nenin 315 të Kodit Penal duke e cilësuar si antikushtetues. Shkak është bërë kërkesa e Gjykatës së Rrethi të Gjyqësor Durrës e cila është përballur me një situatë të ngjashme dhe ka dashur të marrë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese se si duhet të veprohet në të tilla raste. Në lidhje me këtë kërkesë, përfaqësuesit e këshillit të Ministrave dhe të kuvendit i kanë kërkuar gjykatës që ta rrëzojë. Ndërsa përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e ka lënë në çmim të gjykatës për të vendosur mbi këtë çështje.
Kërkesa
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka ngritur pretendimin, se neni 315 i Kodit Penal është i papajtueshëm me nenet 7, 42/2 dhe 145/1,3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për disa arsye. Sipas përfaqësuesve të kësaj gjykate, neni 315 i Kodit Penal bie ndesh me nenin 145/1, 3 të Kushtetutës që garanton pavarësinë e gjyqtarëve, të cilët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve dhe që parashikon, se çdo ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave, passjell përgjegjësi ligjore. Bazuar në nenin 315 të Kodit Penal, pasi një gjyqtar të jetë shprehur me një vendim përfundimtar, çdokush, në çdo kohë, mund të pretendojë se vendimi është i padrejtë dhe të bëjë kallëzim penal kundër tij/saj. Gjyqtarët do të viheshin nën presionin e kallëzimit penal dhe ndjekjes penale. Kjo situatë mund të cenojë rëndë pavarësinë, paanësinë dhe bindjen e brendshme të gjyqtarit. Po kështu është gjykuar se neni 315 i Kodit Penal bie në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, elementë të të cilit janë “gjykimi i drejtë”, “gjykata e pavarur” dhe “gjykata e paanshme”. Secili prej këtyre elementëve mund të cenohej, meqenëse gjyqtari, për shkak të vendimit përfundimtar të dhënë prej tij, mund të vihet në çdo moment nën presionin e kallëzimit dhe hetimit penal. Në kërkesë janë paraqitur dhe një sërë argumentesh të tjera ligjore që mbron pretendimin për shfuqizimin e këtij neni.
Historia
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ndoshta nuk do të kishte ardhur në këtë moment nëse nuk do të ishte bërë shkak një padi në Prokurorinë e Durrësit. Sipas të dhënave të referuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtetasi P.B. i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me kërkesë për “kundërshtimin e vendimit të pushimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës” lidhur me kallëzimin që ai ka bërë ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Tiranë për kryerjen e veprës penale të “Dhënies së vendimit të padrejtë”, parashikuar nga neni 315 i Kodit Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, më 18 mars të 2003-it kishte vendosur pushimin e çështjes penale në ngarkim të tre gjyqtarëve me arsyetimin, se vendimi i Gjykatës është i formës së prerë dhe se nuk ekziston vepra penale. Më pas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka vendosur të pezullojë gjykimin e çështjes së sjellë nga shtetasi P.B. dhe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese kontrollin e kushtetutshmërisë së nenit 315 të Kodit Penal. Ajo ka çmuar se: ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet nenit 315 të Kodit Penal dhe zgjidhjes së çështjes penale të paraqitur për gjykim; neni 315 i Kodit Penal është i papajtueshëm me nenet 7, 42/2 dhe 145/1, 3 të Kushtetutës.

Vendimi

Gjykata në vendimin e djeshëm është shprehur se mundësia e fillimit të ndjekjes penale ndaj një gjyqtari për dhënien e një vendimi përfundimtar, ndërkohë që vendimi mund të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë, krijon një presion të papërshtatshëm mbi këtë të fundit, çka mund të cenojë dhënien e drejtësisë. Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se standardet kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit përcaktojnë disa elementë të qenësishëm ndër të cilët, pavarësia funksionale e organeve dhe institucioneve kushtetuese lidhet ngushtësisht me përmbajtjen e veprimtarisë që këta realizojnë. Duhet ritheksuar, se parimi i prezumimit të paanshmërisë së gjyqtarit pasqyron një element të rëndësishëm të shtetit të së drejtës, që do të thotë, se vendimet e gjykatave duhet të jenë përfundimtare dhe të detyrueshme me përjashtim kur shfuqizohen nga një gjykatë më e lartë në bazë të parregullsisë ose të qenurit të padrejta. Gjykata, është shprehur se vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykata më e lartë, dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur sipas ligjit. Nëse një vendim është objektivisht i pabazuar në ligj dhe fakte, ai mund të rishikohet nga një gjykatë më e lartë ose gjyqtari mund të mbajë përgjegjësi disiplinore sipas procedurave përkatëse. Gjyqtari që jep një vendim gjyqësor për interes ose për shkaqe të dobëta nuk shmanget nga përgjegjësia Penale që parashikon vepra të tjera penale të cilat mund të kryhen nga një gjyqtar, si p.sh. “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248), “Korrupsioni” (neni 319/a). Mbështetur në analizën e mësipërme, Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se neni 315 i Kodit Penal është i papajtueshëm me nenet 42 dhe 145 të Kushtetutës.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›