“Shqipëria 1 euro”, investime vetëm në tokat e refuzuara
Zonat industriale në vend do të ngrihen vetëm në ato vende që konsiderohen si zona apo toka të refuzuara. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka përgatitur hartën e tokave të refuzuara nga fermerët, por dhe tokave të pandara në të gjithë territorin e Shqipërisë, që do të vihet në përdorim të nismës “Shqipëria 1 euro”. Sipas burimeve nga kjo ministri, në këtë hartë janë paraqitur të dhëna në bazë qarqesh, komunash e bashkish në të gjithë vendin, si Tiranë, Durrës, Pogradec, Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës, etj. Gjithashtu informacioni i publikuar përcakton të gjitha të dhënat e nevojshme si vendndodhja e këtyre tokave, afërsia e largësia nga qendrat e komunave e të qyteteve, kategoria e tokave, sipërfaqet e tyre, lloji i tyre, fushë, kodër apo mal, etj. Sipas të dhënave nga kjo hartë, rezulton se në të gjithë vendin tone janë 26976.99 hektarë tokë e refuzuar dhe e pandarë, prej të cilave 495.5 hektarë janë sipërfaqe fushore, 9665.19 tokë kodrinore e 16816.3 hektarë sipërfaqe malore.
Thellohet deficiti tregtar, importet rriten me 22.6 për qind
Në muajin Shkurt 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.028 milionë lekë, duke zënë 9.1 për qind ndaj totalit të importit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, krahasuar me Janarin 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 19.8 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës, të cilat patën një rritje prej 71.5 për qind. Edhe pse qeveria ka ndërmarrë një sërë politikash lehtësuese në favor të bizneseve vendase, bilanci i tregtisë së jashtme del në favor të mallrave të importit. Deficiti tregtar i shkurtit arriti rreth 260 milionë USD, duke shënuar një rritje prej 10.9 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 26.5 për qind. Në muajin shkurt të vitit 2008 u eksportuan rreth 90 milionë USD mallra, me rritje 17.1 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe rritje me 13 për qind në krahasim me muajin shkurt 2007. Ndërsa importet regjistruan 350 milionë USD mallra, me rritje 22.6 për qind në krahasim me një vit më parë dhe rritje 12.5 për qind në krahasim me muajin janar 2008. Sipas INSTAT-it, në këtë periudhë, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 32 milionë USD, duke zënë 9.1 për qind ndaj totalit të importit. Në raport thuhet se, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 64.6 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.
Pagat e ERT-së, komisionet parlamentare diskutojnë strukturën
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Industrinë diskutoi mbi strukturën e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve. Deri në hyrjen në fuqi të ligjit "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura", struktura organizative, numri dhe pagat e punonjësve të ERT-së janë përcaktuar me vendim të Këshillit Drejtues, në zbatim të ligjit "Për telekomunikacionet".
ERT-ja propozon kategorizimin për pagat, bazuar në nivele funksionesh, funksionarë të lartë shtetërore, të kabinetit ndihmës, të nivelit ekzistues, nëpunës dhe punonjës mbështetës. ERT-ë në propozimin e vet, përcakton se ai është ent rregullator në një sektor të ndjeshëm dhe me rritje të shpejtë, ku ushtrojnë aktivitetin shoqëri tregtare me nivele pagash të larta. Sipas ERT-së del e nevojshme që të bëhen përmirësime të vijueshme në aftësimin e këtij institucioni, në nivelin e stafit, të investimit në vazhdimësi për kualifikim të tij, duke bërë shtesë mbi pagat e përcaktuara. Diskutimet rreth këtij problemi do të vazhdojnë në seanca të tjera të Komisionit të Ekonomisë.
3 Prill 2008