E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat, policia ekzekuton 6 urdhra për arrestime



VLORË – Pas protestave të përsëritura të qytetarëve vlonjatë për bllokimin e ndërtimit të TEC-it dhe parkut energjetik, dje janë shënuar arrestimet e para nga ana e policisë. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës ka ekzekutuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e rrethit për 6 anëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Ata u ndaluan gjatë protestave të organizuara ditët e fundit në qytetin bregdetar. Motivacioni i urdhër-arrestit që solli edhe ndalimin e tyre, është “bllokimi i rrugëve” dhe “organizimi i protestave të kundërligjshme”.
Arrestimet
Qytetarët që u shoqëruan dy ditë më parë në mjediset e komisariatit janë përballur dje me urdhrin e prokurorisë, sipas të cilit ata do të përgjigjen ligjërisht për veprimet e kryera. Gjatë gjithë ditës së mërkurë, në mjediset përpara Drejtorisë së Policisë së qarkut ka pasur me dhjetëra qytetarë, të cilët kërkonin lirimin e anëtarëve të aleancës. Burimet në vendngjarje raportojnë se janë shënuar konfrontime me forcat e Rendit. Për pasojë u ndaluan për disa orë disa persona për arsye se nuk iu bindën kërkesave të policisë. Më pas ata janë lënë të lirë, ndërsa 6 anëtarë të grupimit ambientalist, që kundërshtuan realizimin e projekteve energjetike, vazhdojnë të mbeten në qeli. Gjatë ditës së sotme pritet të jepet masa e sigurisë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor. Prej një jave janë tensionuar marrëdhëniet mes qytetarëve vlonjatë dhe forcave të Rendit, të cilat janë angazhuar për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë gjatë realizimit të termocentralit të financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë.
Tri ditë më parë, drejtuesit e Aleancës u shprehen se protesta e tyre do të përshkallëzohet deri në mosbindje civile, duke nisur që nga bllokimi i rrugës ku kalojnë automjetet e firmës që po punojnë për realizimin e parkut energjetik nga Petrolifera në gjirin e Vlorës.
Apeli
Vetëm një javë pas tragjedisë së Gërdecit, Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës bëri një deklaratë ku shprehej dhimbja dhe solidaritet me familjet e dëmtuara, si dhe kërkohej nga institucionet shtetërore që të ndalojnë realizimin e projekteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve. “Petrolifera”, TEC-i dhe naftësjellësi i zi “AMBO” janë produkte të aferave mafioze të pushtetarëve të korruptuar, servilë dhe të pashpirt”, - thuhet në këtë deklaratë. Sipas tyre, “këto projekte, në shkelje flagrante të Kushtetutës, të konventave dhe normave ndërkombëtare dhe pa përfillur protestat trevjeçare të qytetarëve të Vlorës, kanë filluar të zbatohen nga Delijorgjët vendas, ku përfshihen edhe pushtetarë lokalë”.
Që me 23 mars AMGJV bëri një kërkesë, sipas së cilës, “nëse brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, kërkesa trevjeçare për referendum nuk merr zgjidhje, atëherë do të radikalizohet lëvizja. “1- Do të zbatojmë mosbindjen civile ndaj institucioneve ku përfshihen Bashkia, Këshilli i Qarkut, deputetët, Prefekti i Qarkut dhe Konsullata italiane. 2- Gjithashtu ne nuk do të mbajmë asnjë përgjegjësi për veprime apo kundërshtime të çdo natyre tjetër ndaj objekteve në ndërtim apo personave në shërbim të këtyre veprave”, - thuhen në kërkesat e parashtruar. Aleanca këmbëngul sërish që presidenti të ndërhyjë për zhvillimin e një referendumi në qytetin e Vlorës, ku qytetarët të shprehin me vullnetin e tyre përmes votës nëse duhet të realizohen këto projekte. Vetëm dy javë më pas janë shënuar edhe konfrontimet e para mes protestuesve dhe forcave të Rendit, të cilat patën një bilanc me 6 persona të arrestuar.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›