E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, zbardhen gafat dhe shkeljet spektakolare të Kuvendit

Dhjetëra ligje të miratuara pa kaluar rregullisht në komisione. Gjuha e dhunës dhe ofendimet reciproke nuk penalizuan askënd

Tiranë - Raporti “Unë votoj”, i hartuar nga organizata “Mjaft”, ka zbardhur disa nga shkeljet më të spikatura që kanë ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë monitorimit të legjislaturës parlamentare vërehet me shqetësim numri i madh i shkeljeve të Rregullores, konstatuar nga skuadra “Unë votoj”. Bëhet fjalë për dhunimin e vazhdueshëm që i bëhet Nenit 57, pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet në mënyrë të qartë se “...vota është vetjake...” dhe se “e drejta e votës nuk delegohet”. Gjatë gjithë katërvjeçarit rezultojnë 42 ligje të miratuara në kushtet e dhunimit të këtyre rregullave. Gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme është shkelur Neni 34, ku përcaktohet se “mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit” dhe se “...vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit”. Ndërkohë, nga monitorimi figuron se gjatë kësaj legjislature janë zhvilluar 98 mbledhje të komisioneve parlamentare në mungesë kuorumi, si dhe është marrë vendimi për kalimin në seancë plenare dhe votimin e 62 nismave ligjore dhe 8 raporteve institucionale. Kështu, rezulton që së paku 104 ligje, që sot kanë fuqi të plotë vepruese, të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të rregullave procedurale, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre, çka përbën rreth 20 për qind të të gjitha ligjeve të miratuara dhe të monitoruara nga skuadra “Unë votoj”.
Shkeljet
Sipas raportit “Unë votoj” seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë legjislaturës XVII (tetë sesione) janë karakterizuar nga shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit. Një nga shkeljet më të përsëritura gjatë zhvillimit të punimeve të seancave plenare është votimi i nismave ligjore për kolegun. ”Po t’i referohemi Nenit 57 mbi votimin në seancat parlamentare, pikës 1 dhe 2, aty përcaktohet tekstualisht: ‘Votimi është vetjak. E drejta e votës nuk delegohet’. Sipas Rregullores, të gjitha nismat ligjore të votuara përmes kësaj procedure bien ndesh me nenin e sipërpërmendur të Rregullores së Kuvendit. Në bazë të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, të gjitha veprimet e mësipërme përbejnë shkelje të rregullores, ku në Nenin 62 është e përcaktuar se ‘...anëtarët e Kuvendit nuk duhet: t’i ndërpresin fjalën drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë; të përdorin gjuhë ofenduese dhe jo parlamentare në Kuvend; të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti; të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo; të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit”, - shkruhet në raport.
Shpenzimet
Raporti thekson se nëse krahasohen shpenzimet në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë me buxhetin e disa vendeve që ngjajnë me vendin tonë, do të dallojmë disa të dhëna domethënëse. “Për shembull, buxheti i Parlamentit të Estonisë, vend që sapo ka hyrë në Bashkimin Europian dhe me të shkuar të ngjashme me atë të Shqipërisë (e kaluar komuniste, popullsi e vogël, pozicion gjeografik mes Lindjes dhe Perëndimit etj.), u siguron parlamentarëve vetëm 591 euro në muaj për të gjitha shpenzimet e tjera, përveç rrogës, ndërsa shpenzimet e Parlamentit shqiptar vetëm për transportin e deputetëve (ku përfshihet automjeti, shoferi, karburanti, mirëmbajtja etj.) arrijnë 1000 euro në muaj”, - shkruhet në raport. Një vend tjetër i rajonit, me GDP për banor pak më të madhe se ajo e vendit tonë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, nuk u siguron automjete deputetëve të Parlamentit. Parlamenti i këtij vendi u ofron deputetëve vetëm 60 euro/muaj për biseda me celular. Buxheti i Kuvendit të Shqipërisë siguron 140 euro/muaj shpenzime bisedash me celular, si dhe biseda të pakufizuara me telefona linje brenda Tiranës, pra më tepër se dyfishi i asaj që harxhojnë deputetët maqedonas, që kanë GDP për banor më të lartë se Shqipëria.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›