E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, mëkati ynë i ligjëruar



Meri Dishnica

Politika, ky koncept kaq larg dhe kaq afër nesh. Kaq larg sepse ne jemi këtu duke folur, shkruar apo punuar dhe janë të tjerë ata që mendojnë për ne (gjithmonë për mirë) ata që na integrojnë, ata që na drejtojnë në rrugët aq shumë të aspiruara drejt Perëndimit apo gjetkë…
Por ne e ndiemë kaq afër politikën, çuditërisht? Të jetë vallë se shqetësohemi për të mirën tonë si komb? Të jetë formimi ynë karakterial i tillë që ne të jemi kaq individualistë, të mbushur me kaq shumë dëshirë për të marrë pjesë personalisht nëpër çështje dhe procese të ndryshme? Të duam të jemi kaq të drejtpërdrejtë dhe të japim kontribut edhe kur s’na kërkohet?
A mos ndoshta ky fakt shpjegohet se shqiptari ka një ndjenjë vetëbesimi aq të madhe sa të tremb me ato çfarë mund të marrë përsipër?! A mos ndoshta është fakti se gjithkush na del papritur me një aftësi të habitshme për të vendosur vetë, qoftë ky budalla apo i zgjuar, na del me kapacitetin e duhur që në dukje të bind? A mos ndoshta George Finlay (ky studiues i historisë greke, në kapitullin e veçantë për lidhjen me shqiptarët) ka pasur mrekullisht të drejtë kur na ka përshkruar si “krenarë, fodullë, të pashtruar dhe të etur për fitim”?
A të jenë këto veti kaq shumë të dukshme dhe të qëndrueshme, sa mund t’i gjesh edhe sot të manifestuara në shumicën prej nesh, por të veshura me shumë stil dhe me stoli servilizmash në dukje të këndshme? Pse kundërshtojmë pa fund majën dhe kur jemi afër saj fillojnë dhe na zbuten gjykimet, bien disa parime dhe fillojnë kompromiset? Pse jemi aq fanatikë deri në atë pikë kur, as ndryshojmë bisedë dhe as mendim… derisa lind dëshira e fshehur për ta parë në një këndvështrim tjetër, për të qenë më afër saj, për ta prekur majën dhe pushtetin? Për të qenë brenda sistemit, por për të guxuar jashtë tij. Për të qenë brenda kornizës, por për të tentuar jashtë saj. Për të qenë brenda politikës, por afër interesave.
Por, nga të gjitha këto, asgjë s’të bën më keq se shprehja tjetër që thuhet se na karakterizon “kur u bë evgjiti pashë, puna e parë vari të atin”, që flet për individualizëm të papërmbajtur, natyrë të paqëndrueshme dhe gjaknxehtë.
Po të hedhësh sytë në të kaluarën e popullit shqiptar flitet për heronj, për shumë heronj, por të gjithë të vetmuar dhe jetëshkurtër. Të jetë se shqiptarët janë individualistë, nuk i nënshtrohen ndikimit të askujt, kundër vullnetit të tyre. Të jetë se në çdo shqiptar është një njeri me vetëbesim dhe si të thuash “qeveri më vete”. Nuk ka masa indiferente në Shqipëri, mungesa e kësaj fryme të kopesë mund të jetë interesante, por ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë, për shkak se shqiptari ka dashur të marrë pjesë personalisht, drejtpërdrejt në diskutimin e çështjeve të ndryshme dhe si pasojë ideja e tij për qeverinë nuk i ka kapërcyer kufijtë e qytetit të tij, ideali i shqiptarit ka qenë qytet shteti. Të jetë ky fakt një ndër të shumtët që shpjegon ekzistencën e shumë partive në një vend kaq të vogël?
Historia jonë dhe personazhet e saj, megjithatë, na bëjnë të veçantë si komb. Ne jemi shqiptarët, kemi qenë të tillë dhe s’mund të ndryshojmë; pasionet e fshehura në nënvetëdijen individualiste na ftojnë të themi vazhdimisht “pse jo unë???”.
Si rrjedhim, kemi venë re një rritje të pjesëmarrjes në politikë, kështu si pa kuptuar vitet kalojnë dhe ditë pas dite ne ndjehemi më shumë politikanë, më të përfshirë, më të zellshëm… Politika, ky art që po na josh kaq shumë; disa mund ta quajnë obligim, apo “punë e preferuar” në administratë, disa të tjerë mund ta quajnë “sport” apo thjesht “mbushje kohe me intensitet”, një intensitet që kur vjen dhe realizohet na qetëson deri në atë pikë që harrojmë vrullin që na çoi atje, premtimet dhe argumentet.
Pse ndihemi papritur të aftë të “mëkatojmë” me pak politikë, pse si të thuash ligjërojmë manitë tona duke u marrë me politikë, kënaqim dëshirat e vjetra për pushtet, shpërfillim ndrojtjen duke u bërë publik, harrojmë interesat tona të vërteta për një çast dhe jepemi, jepemi me mish e me shpirt në politikë?
A thua na kënaq aq shumë rezultati i arritur, saqë harrojmë çdo dëshirë “mëkatare” që na joshi në fillimet e veta, na mbajti të angazhuar gjatë procesit, dhe na la të ngopur në fund, duke bërë që në kokën tonë të përsëritet pa fund shprehja “ia vlejti”?

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›