E Diel, 1 Nëntor 2026

Pala kosovare kërkon financime nga BB-ja për autostradën deri në Morinë



PRISHTINË - Komiteti Ndërministror i qeverisë së Republikës së Kosovës për autostradën Merdar-Morinë, pjesën kosovare të autostradës drejt Durrësit, si dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore në një takim në Prishtinë diskutuan fillimin sa më shpejt të realizimit të këtij projekti madhor. “Dëshirojmë që Banka Botërore të jetë pjesë e pandashme e këtij projekti që po shkon drejt realizimit”, - tha pas takimit ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. “Me angazhimin e Bankës Botërore shpresoj se shumë shpejt do t’i arrijmë afatet që ia kemi parashtruar vetes”, - u shpreh Limaj. “Me buxhetin e Kosovës nuk ka mundësi ta realizojmë vetë këtë projekt madhor, por unë besoj se jemi në rrugë të drejtë për të gjetur format e financimit”, - tha Limaj. Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak, premtoi se do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e Kosovës në mbështetjen e projektit të autostradës. “Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Do të ofrojmë ekspertë që kemi”, - tha ai. Qeveria e Kosovës dhe ekspertët e Bankës Botërore janë duke punuar rreth përllogaritjes së kostos së projektit, që sipas një studimi të mëparshëm ka qenë mbi 600 milionë euro. Ndërkohë, me ligjin “Për shpronësimin”, ka filluar shpronësimi i tokave përgjatë autostradës, e cila parashihet të kalojë në tetë komuna. Sipas projektit, autostrada në pjesën kosovare ka një gjatësi prej më se 117 kilometra, përfshirë ndërtimin e katër tuneleve, gjatësia totale e të cilave është pesë kilometra. Autostrada do të ketë dy pika kufitare dhe 105 ura, mbikalime dhe nënkalime.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›