E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca, godet me thikë shoferin e autobusit

Qëllohet me thikë për konkurrencë, një nga drejtuesit e autobusëve të linjës së transportit urban Lushnjë-Sarandë. Burime zyrtare konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:40 të mëngjesit të djeshëm, në daljen lindore të qytetit të Fierit, në afërsi të ish-parkut të mallrave. Ndërkohë, mësohet se autorët e ngjarjes, atë e bir, janë ndaluar nga uniformat blu të Fierit. Burime nga vendi i ngjarjes kanë treguar se Besnik Muça, duke udhëtuar drejt Sarandës është grindur me Hito Memën, shofer furgoni. Zënka mes dy shoferëve ka degjeneruar në përleshje fizike dhe në ndihmë të Memës ka ardhur dhe i biri 22-vjeçar, Elioni, i cili ka qëlluar me thikë në bark 47-vjeçarin. Pasagjerët e alarmuar kanë lajmëruar policinë, që ka arritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur dhe transportimin e shoferit të plagosur drejt spitalit rajonal të Fierit. 47-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërkohë që mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mundur që të ndalojë dy autorët, Hito dhe Elion Mema, rreth orës 10:00, vetëm katër orë pas ngjarjes. Atë e bir ishin larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes që kryen. Ndërkohë, mësohet se policia ka nisur për ta procedimin penal për akuzën "plagosje të rëndë me dashje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›