E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kriko", pranga tre të dyshuarve për vjedhje

Tre persona janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi janë kapur në flagrancë duke kryer një vjedhje dhe dyshohen për disa të tjera. Juljan Alçani, 14 vjeç, Dianos Marku, 18 vjeç dhe Agron Zylfo, 34 vjeç, janë arrestuar në bulevard, teksa po tentonin vjedhjen e një dyqani. Policia e Tiranës tha se arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit të koduar "Kriko". Sipas të dhënave hetimore, ata janë kapur në flagrancë duke vjedhur shumën e parave prej 48 mijë lekësh, në dyqanin e firmës "Shpiragu", në bulevardin "Zhan D‘Ark", në pronësi të Sherif Kapllanit. Nga hetimet e kryera, mbi këta persona ka rezultuar se i mituri Alçani, i dyshuar si i implikuar në krimin e vjedhjes, është autor i një sërë vjedhjesh të tjera të realizuara në kohë e vende të ndryshme. Në dosjen penale deklarohet se më datë 4 mars 2009, dyshohet të ketë kryer vjedhjen e magazinës "Lindi", në rrugën "Xhorxh Bush", më datë 11 mars 2009, dyshohet të ketë kryer vjedhjen e një dyqani ushqimor, në Rrugën e Elbasanit dhe më datë 15 prill 2009, dyshohet të ketë kryer vjedhjen e dyqanit "Foto Reli", në rrugën "Luigj Gurakuqi". Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave prej 48 mijë lekësh, ndërsa vazhdon puna për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të realizuara prej tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›